Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach tha të dielën në Shangai se u kënaq kur pa një mënyrë të re të paraqitjes së Lojërave Olimpike falë zhvillimit teknologjik të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) dhe se pret që aplikimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së re të audios do t'i japë publikut një përvojë të re të shikimit të Olimpiadës.
Bach i tha këto gjatë vizitës të dielën në Portin Ndërkombëtar Mediatik të Shangait pranë CMG-së dhe, së bashku me Shen Haixiong, drejtorin e këtij grupi, u dhanë licensën ekipeve të transmetimit të CMG-së për Lojërat Olimpike të Parisit, shpallën logon e raportimit të CMG-së për këto lojëra dhe nisën transmetimin e rubrikës së CMG-së për Lojrat Olimpike të Parisit "Morning Sports".
foto CMG
Në fjalimin e tij, Shen Haixiong tha se, si media më e madhe komplekse në botë, CMG-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për të përmbushur përgjegjësitë e saj si institucioni kryesor i Lojërave Olimpike të Parisit dhe transmetuesi mbajtës i të drejtave të të gjitha mediave.
Shen bëri të ditur se autobusi i transmetimit ultra të lartë 8K i CMG-së, që u largua të shtunën nga Pekini, do të niset nga porti Ningbo-Zhoushan i Kinës Lindore dhe do të mbërrijë në Paris në fund të korrikut. Ky do të jetë transmetimi i parë në botë i Lojërave Olimpike me teknologjinë ultra të lartë 8K. Para kësaj, 10 kontejnerë standardë me 1 256 pajisje transmetimi e raportimi u dërguan nga porti Ningbo-Zhoushan për në portin Le Havre të Francës. CMG-ja është e gatshme të punojë me KON-in për të thelluar vazhdimisht bashkëpunimin në përshpejtimin e novacionit teknologjik dhe në kërkim-zhvillimin e veprimtarive e-sportive. CMG-ja është e gatshme për Olimpiadën e Parisit.
Në fjalimin e tij, Bach tha se ishte shumë i kënaqur që u bashkua me miqtë e vjetër të CMG-së në Shangai dhe ndjeu entuziazmin e të gjithëve për lëvizjen olimpike. Potenciali i përparuar në botë i CMG-së në transmetimin sportiv ka dhënë kontribut të madh në promovimin e frymës olimpike.
CMG-ja do të përgjigjet për prodhimin e sinjaleve publike ndërkombëtare për katër sporte në Olimpiadën e Parisit, si gjimnastika, pingpongu, badmintoni e ngjitja sportive, me një kohëzgjatje transmetimi të drejtpërdrejtë prej mbi 400 orësh. (Wang Lei/ Artan)