Pasagjerët duke hipur në avionin e fluturimit CA898 të "Air China" në aeroportin Guarulhos në periferi të Sao-Paulos, Brazil, 29 prill 2024. / CFP
Autoriteti i aviacionit civil i Kinës angazhohet të rrisë frekuencën e fluturimeve ndërkombëtare të pasagjerëve si një objektiv kryesor për këtë vit, duke synuar rimëkëmbjen e mëtejshme të udhëtimeve ajrore ndërkombëtare.
Kompanitë ajrore kineze dhe të huaja kryen gjithsej 5 493 çifte fluturimesh ndërkombëtare pasagjerësh nga 6 deri më 12 maj, sa afro 73 për qind e nivelit para pandemisë së COVID-19, tha të premten Xu Qing, një zyrtar i Administratës së Aviacionit Civil të Kinës (CAAC).
Aktualisht, fluturimet ndërkombëtare të pasagjerëve lidhin Kinën me 70 vende, me shtimin e pesë destinacioneve të reja pas pandemisë, përkatësisht për në Kuvajt, Serbi, Tanzani, Luksemburg dhe Guinenë e Re Papua.
Aeroporti Daxing i Pekinit / foto nga CFP
"CAAC ka qenë aktivisht në përkrahje të kompanive ajrore kineze dhe të huaja në rritjen e kapacitetit të tyre për linjat ndërkombëtare dhe përmirësimin e rrjetit të linjave ndërkombëtare," tha Xu.
Disa kompani ajrore kanë nisur kohët e fundit fluturimet në linjat e reja ndërkombëtare për të lehtësuar udhëtimin midis Kinës dhe vendeve të tjera. Për shembull, "Air China" përuroi linjën Pekin-Madrid-Sao Paulo më 27 prill, ndërsa "China Southern Airlines" filloi të operonte linjën Shenzhen-Meksiko më 11 maj. Përveç këtyre, "Hainan Airlines" planifikon të hapë linjën Shenzhen-Budapest dhe "China Southern Airlines" linjën Guangzhou-Budapest.
CAAC do të vazhdojë të thjeshtojë procedurën e miratimit dhe të shtojë mbështetjen ndaj fluturimeve ndërkombëtare, duke trajtuar me kohë çdo vështirësi dhe sfidë që hasin kompanitë ajrore në rifillimin e shërbimeve ndërkombëtare, tha Xu. (Wang Lei/ Artan)