Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi me presidentin e Taxhikistanit Emomali Rahmon të shtunën në Dushanbe.foto nga MPJ e Kinës
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi theksoi se Kina do të mbështesë aktivisht strategjitë e zhvillimit të Taxhikistanit dhe do ta ndihmojë këtë vend të Azisë Qendrore të përmirësojë ekonominë e tij.
Ai i tha këto gjatë një takimi me presidentin e Taxhikistanit Emomali Rahmon të shtunën në Dushanbe.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, kujtoi vizitën shtetërore të Rahmonit në Kinë për të marrë pjesë në Samitin Kinë-Azi Qendrore vitin e kaluar, gjatë të cilit të dy krerët e shteteve shpallën krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta Kinë-Taxhikistan me miqësi të përhershme, solidaritet, mbështetje reciproke dhe përfitime të përbashkëta. Wang tha se kjo ka vendosur objektiva të qartë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke dërguar një sinjal pozitiv për dy popujt dhe botën.
"Kina do të vazhdojë të përkrahë me vendosmëri Taxhikistanin në ndjekjen e një rruge zhvillimi në përshtatje me kushtet e tij dhe do të kundërshtojë kategorikisht ndërhyrjen e jashtme në punët e brendshme të Taxhikistanit," tha Wang. "Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina do të jetë gjithmonë mike dhe partnere e besueshme e Taxhikistanit."
Rahmon theksoi se Taxhikistani arriti një numër konsensusesh me Kinën gjatë vizitës së tij vitin e kaluar dhe se rezultate të rëndësishme janë arritur me zbatimin e tyre. Ai tha se nxitja e marrëdhënieve me Kinën është një përparësi e politikës së jashtme të Taxhikistanit dhe se Taxhikistani i është përmbajtur pa mëdyshje parimit të "Një Kine" dhe e pranon se Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës.
Kreu i shtetit i Taxhikistanit shprehu shpresën për të mbajtur shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë me Kinën, për të forcuar bashkëpunimin dypalësh në ekonomi dhe tregti, energjetikë, miniera, transport, bujqësi, industrinë e gjelbër dhe inteligjencën artificiale, për të luftuar së bashku kundër "tre forcave të së keqes" dhe për të forcuar vazhdimisht partneritetin strategjik gjithëpërfshirës me Kinën.
Ai tha gjithashtu se Kina luan një rol të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale dhe se Taxhikistani është i gatshëm të koordinohet ngushtë me Kinën në platformat shumëpalëshe.
Ministri i Jashtëm kinez shprehu gatishmërinë e Kinës për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me Taxhikistanin, për të luftuar kundër terrorizmit të formave të ndryshme dhe për të konsoliduar koordinimin e tyre në platformat shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe mekanizmi Kinë-Azi Qendrore, për të mbrojtur interesat e përbashkët të të dy vendeve dhe vendeve të tjera në zhvillim dhe për të kontribuar për lulëzimin e qëndrueshmërinë e rajonit dhe botës. (Wang Lei/ Artan)