Daniel Mustafa ne studio (Foto personale)
Daniel Mustafa është kitarist dhe këngëtar i njohur i muzikës popullore tradicionale, kryesisht asaj të juglindjes. Ai ka nisur të merret me muzikë qëkur ishte fëmijë, një pasion i trashëguar nga gjyshi dhe mamaja e tij. Danieli në repertorin e tij muzkor ka këngë solistike si dhe mjaft duete popullore me bashkëshorten, këngëtaren e njohur Nertila Vreto. Prej gjashtë vitesh ka hapur studion e tij muzikore, ku bashkëpunon me artistë të rinj dhe të njohur. Së shpejti ai do të sjellë për artdashësit dy materiale të reja muzikore, një këngë kushtur vendlindjes së tij Kolonjës, dhe një këngë verore në duet me Nertilën.
Daniel Mustafa (Foto personale)
CMG: Flasim për fillimet tuaja në muzikë, e ke të trashëguar këtë pasion nga familja?
Daniel Mustafa: Fillimet e mia në muzikë kanë qenë në moshën 14 vjeçare, kur kam filluar të studioj për kitarë. Gjej rastin të falenderoj mikun tim, profesorin e nderuar Mondi Rushi, sepse ka qenë një ndihmesë dhe shtysë shumë e madhe për mua, që të eci përpara në muzikë. Muzikën e kam të trashëguar nga gjyshi, i cili ka qenë një këngëtar i mirfilltë në zonën e Kolonjës dhe të gjithë e njohin. Gjithashtu dhe mamaja ime ka qenë pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
CMG: Me bashkëshorten tuaj, këngëtaren e njohur Nertila Vreto keni sjellë mjaft duete të këngës së mirfilltë popullore. Si janë pritur këto këngë nga artdashësit?
Daniel Mustafa: Duetet tona kanë rezultuar gjithmonë me sukses, sepse jemi munduar të sjellim gjithmonë këngët e tabanit popullor, dhe nuk ka më bukur që në çdo festë apo koncert njerëzit të këndojnë njëzëri me ne. Kjo është kënaqësia e çdo artisti mendoj.
Daniel Mustafa (Foto personale)
CMG: Të qenurit të dy artistë ka qenë i lehtë apo i veshtirë për ju?
Daniel Mustafa: Mendoj se të qenurit të dy të së njëjtës fushë ka avantazhe, sepse jemi kudo bashkë dhe mbështetesh maksimalisht nga të dyja anët, por ka dhe vështirësitë e veta sepse jemi larg vajzës tonë.
CMG: Kryesisht në repertorin tuaj keni trajtuar muzikën pooullore të juglindjes. Sipas mendimit tend, cila është veçantia e këtyre këngëve në dallim nga treva e jugut?
Daniel Mustafa: Këngët e juglindjes kanë veçanti sepse melosi është aq i ëmbël sa çdo notë depërton në qelizë. Është zëri i dytë ose siç i thonë ndryshe pritja e këngës, që dallon shumë nga pritja e këngës së jugut. Këngët e juglindjes duan botë të brendshme dhe ndjenjë që të këndohen ashtu siç duhet.
CMG: Para disa vitesh ke hapur studion tënde muzikore, ku besoj se është komoditet për një muzikant. Ke realizuar këngë dhe për këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Daniel Mustafa: Kam rreth gjashtë vite që kam hapur studion time muzikore, ku kam pasur bashkëpunime edhe me këngëtarë të tjerë. Tani po bashkëpunoj dhe me shkollën më të mirë të qytetit të Durrësit, me talentet e reja që ka gjimnazi “Turgut Ozal”, dhe jam shumë i lumtur. Patjetër që studio është komoditet, dhe normalisht duhet ta kisha hapur më përpara.
CMG: Sa kohë kalon në studio duke punuar?
Daniel Mustafa: Unë në studio kaloj shumë kohë sepse studio kërkon kohën e vet, dhe pa djersitje nuk ka arritje. Kështu që mundohem të gjej kohën për familjen, por që edhe studio do kohën e vet.
Danieli me bashkeshorten Nertila Vreto (Foto personale)
CMG: Shquheni bashkë me Nertilën për ruajtjen me fanatizëm të muzikës popoullore tradicionale. A duhet të ruhet folklori nga të gjithë këngëtarët që dalin në tregun muzikor?
Daniel Mustafa: Folklori ynë është i magjishëm, por duhet trajtuar brenda tabanit dhe mos të dalësh jashtë atyre kornizave që na kanë lënë të parët tanë. Mendoj se folklori aty e ka bukurinë e vet, dhe duhet ruajtur me fanatizëm nga të gjithë këngëtarët, sepse është një thesar i çmuar që na kanë lënë të parët tanë.
CMG: Vajza e ka trashëguar muzikën nga ju të dy?
Daniel Mustafa: Vajza është shumë e talentuar, ku ka një vesh absolut muzikor. Ajo këndon shumë bukur, por nuk është se ne ja ushqejmë që ta ketë si profesion të parë. Nëse ajo në të ardhmen do të ketë dëshirë që të merret vërtetë me muzikë, patjetër që do të ketë mbështetjen tonë.
Danieli me Nertilen dhe vajzen (Foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë kryesisht koncertet ku keni marrë pjesë, brenda e jashtë vendit?
Daniel Mustafa: Do të veçoja koncertet që ne kemi marrë pjesë në SHBA, ku jemi pritur shumë mirë, jemi duartrokitur dhe kemi marrë shumë dashuri nga publiku. Ne jemi muduar të japim më të mirën tonë në të gjitha koncertet. Gjej rastin të falenderoj të gjithë dashamirësit tanë, ata që vërtetë na duan dhe na ndjekin gjithmonë me projektet tona.
CMG: Cilat do të jenë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Daniel Mustafa: Kam dy projekte në vazhdim, njëri projekt është i imi, ku kam bërë një këngë për vendlindjen time Kolonjën, dhe mezi po pres ta nxjerr këtë këngë. Gjithashtu kam dhe projektin tjetër me Nertilën, një këngë verore dhe pak ndryshe këtë herë.
Intervistoi: Gazmend Agaj