Zhvillimi i qëndrueshëm me panele diellore (Foto ATSH)
Shqipëria vlerësohet nga ekspertët si një nga vendet më të favorshme në Europë, për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Në krahasim me vitin 2019, kur prodhonte më pak se 1% të energjisë nga dielli, sot, vendi, në sajë të impianteve të shumta të paneleve fotovoltaike të instaluara, prodhon më shumë se 3.5 përqind të totalit, ose 3.5 herë më shumë.
Ka shumë shembuj parqesh me panele diellore edhe tek ne. Për shembull, në Topojë të Fierit është realizuar një nga projektet e para për prodhimin e energjisë nga panelet diellore në Shqipëri, në vitin 2016, me një fuqi 10 Megavat të instaluar, ndërtuar afër bregdetit të Semanit, në një sipërfaqe rreth 15 ha. Ky park tashmë ndodhet në vitin e tetë të prodhimit.
Ndërkohë, Parku fotovoltaik në Karavasta të qarkut Fier, me një sipërfaqe 198 ha dhe vlerë investimi 100 milionë euro, ka nisur tashmë prodhimin e pjesshëm të energjisë elektrike, ndërsat linja e transmetimit 220 kV Fier -Karavasta është vënë në punë.
Nisja e prodhimit të energjisë nga ky park panelesh diellore po ndikon në rritjen e sasisë së gjeneruar nga burimet fotovoltaike, si dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, që aktualisht varen në shumicën dërrmuese nga hidrocentralet.
Parku fotovolatik i Karavastasë ka një fuqi të instaluar prej 140 MW, ndërkohë që sipas marrëveshjes së nënshkruar me shtetin shqiptar, kompania e njohur franceze Voltalia parashikon shitjen e energjisë elektrike me një çmim fiks prej 24.89 euro/mWh, për 15 vjet, për kapacitetin 70 MW.
Ndërkaq, në fazë të avancuar është edhe ndërtimi i centralit diellor në Spitallë.
Ndërsa hidrocentrali i Vaut të Dejës, një nga hidrocentralet më të mëdhenj dhe më të vjetër në Shqipëri, po kthehet në një qendër të integruar të prodhimit të energjisë së gjelbër. Hidrocentrali me kapacitet 250 MW, i vendosur në veriperëndim të vendit, ka shtuar së fundmi një njësi të energjisë diellore prej 5.1 MW në digën e tij në Qyrsaq. Është shembulli i parë në Ballkanin Perëndimor, i kombinimit të hidrocentraleve dhe fotovoltaikëve.
Korporata Elektrike Shqiptare po zhvillon një procedurë tenderimi, për instalimin e një termocentrali diellor lundrues, në rezervuarin e hidtrocentralit të Vaut të Dejës.
Panelet diellore po përdoren jo vetëm për prodhimin e energjisë në rang vendi, por edhe për të ndihmuar drejtpërsëdrejti qytetarët. Ne dhjetor te vitit 2023, Ministria e Infrastruktures dhe Energjitikes rihapi aplikimet për paketën e dytë prej 2 mijë panelesh diellore për ngrohjen e ujit për qytetarët, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70 përqind nga Buxheti i Shtetit. Në thirrjen e parë në nëntor 2022 aplikuan 4 mijë familje. Saimir Saliaj, ekspert i energjisë diellore vlerëson rritjen e paneleve diellore në Shqipëri dhe krijimin e parqeve fotovoltaike
Saimir Saliaj në intervistë për CMG
CMG: Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të favorshme në Europë, për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore. Sa kemi ecur me këtë prodhim, në këto dy vitet e fundit?
Saimir Saliaj: Jo me kot vlerësohet nga të gjithë, për vetë faktin se kemi numrin më të lartë të ditëve me diell. Kjo e favorizon prodhimin e energjisë nga gjeneratorët fotovoltaikë.
Aktualisht, janë në ritme shumë të mira prodhimi kapacitetet ekzistuese, por kemi edhe implementim të parqeve të reja. Kemi në vazhdimësi rienergjizim të parqeve në proçes pune. Sot kanë filluar të japin frytet e para dhe disa nga parqet më të mëdha të realizuara në vendin tonë, si ai i Karavastasë, etj.
CMG: Cila është sfida kryesore e sektorit në Shqipëri?
Saimir Saliaj: Sfidat kryesore janë kapacitetet trasmetuese, përmirësimi i rrjetit dhe sigurisht, sfida më e madhe është çmimi i bursës së energjisë që është treg i ri në vendin tonë. Këto janë sfidat kryesore, kur flasim në nivel makro, për sektorin.
CMG: Në Topojë të Fierit është realizuar një nga projektet e para për prodhimin e energjisë nga panelet diellore në Shqipëri, me një fuqi 10 Megavat të instaluar, ndërtuar afër bregdetit të Semanit, në një sipërfaqe rreth 15 ha. Sa parqe të tilla diellore kemi sot në Shqipëri?
Saimir Saliaj: Parku që ju përmendët, për kohën kur u ndërtua, ka qenë një inovacion. Tashmë ai është bërë pjesë e rutinës energjitike, apo përditshmërisë. le të themi. Përditshmërisë së instalimit, implementimit të parqeve të reja.
Sot kemi arritur të marrim frytet e para konkrete të energjisë së krijuar nga burimet diellore. E kemi rritur këtë prodhim me herë në pak vite.
Këtu kanë patur ndikim të madh edhe skemat mbështetëse të aplikuara nga qeveria. Aktualisht, kemi në prodhim një nga parqet më të mëdha me 140 megavat/orë, atë të Karavastasë.
Kemi gjithashtu një park rrotull Semanit dhe Topojës po në qarkun e Fierit, i cili ka kaluar fazat e fundit të testimit dhe pritet të kalojë në kapacitete të plota.
Panelet diellore (Foto RTSH)
Këto dy parqe janë me fuqi të instaluar me 190 megavat/orë të prodhuar, dhe nga parametrat teknikë të tyre, do të kemi 350 megavat/orë të prodhuar në vit. Kjo sasi energjie është shumë e madhe, serioze.
Ndërkohë, qeveria ka lidhur kontrata, duke planifikuar të tjera parqe diellore në Ersekë, Seman. Janë një zinxhir parqesh të vogla, ka studime të ndryshme, pasi kërkesa e madhe ka zgjuar shtuar interesin e investitorëve.
Një projekt me rëndësi është edhe parku fotovoltaik në zonën e ish-Uzinës së Ballshit, i cili është në proces pune. Në tërësi, ky numër i lartë parqesh diellore po kontribuon në rrjetin eletro-energjik të vendit.
Problemin e kemi në zonën qendrore dhe jugore të Shqipërise, pasi trasmetimi në distancë i energjisë së prodhuar nga hidrocentralet në Veri, vjen me humbje, me problematikat e fluksit të energjisë, si dhe gjithë ato probleme teknike që e shoqërojnë. Me projektet e reja, qeveria po kontribuon në afrimin e burimit të prodhimit të energjisë elektrike, me konsumatorin.
Po mbulohet gradualisht ai boshllëk i konsumit të energjisë tek ne, në verë deri në vjeshtë, periudhë kur mbarojnë reshjet e shiut dhe jemi të detyruar të importojmë.
Energjia diellore nga fotovoltaikët pikërisht po shërben si zëvendësues. Ky zëvendësues na vlen shumë për ekonominë. Të mos harrojmë që edhe turizmi po rritet me ritme të shpejta dhe kryesisht klientët e tij, pozicionimi i konsumatorit të turizmit është në Jug të Shqipërisë, aty ku burimet e energjisë janë ende të pakta.
Ndërkohë, kjo qasje e qeverisë po përshtat më së miri prodhimin, me nevojën dhe konsumin për energji në këto zona.
CMG: Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rihapi aplikimet për paketën e dytë prej 2 mijë panelesh diellore për ngrohjen e ujit për qytetarët, kosto e cila do të subvencionohet në masën 70 përqind nga qeveria. Në thirrjen e parë në nëntor 2022, aplikuan 4 mijë familje. Si ju duket kjo nismë?
Saimir Saliaj: Implementimi i paneleve të ngrohjes së ujit nga dielli nuk ka impakt direkt në prodhimin e energjisë.
Megjithatë, duke ulur një pjesë të konsumit të energjisë për konsumatorët familjarë, rrjedhimisht na lirohet energji nga ajo që do të konsumohej.
E gjitha kjo energji mund të shkojë për eksportim, për të plotësuar nevojat. Por ama, njëkohësisht na ulen edhe humbjet.
Pra, është një nismë e mirë, edhe për ambicjen e vendit tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian, në bazë të normave dhe standarteve, siç është parashikuar të bëhet me efiçiencën e energjisë.
Parqet fotovoltaike (Foto Facebook)
CMG: Disa të dhëna paraprake nga Enti Rregullator i Energjisë flasin se në katër muajt e parë të këtij viti janar-prill 2024, prodhimi i energjisë elektrike nga njësitë private të gjenerimit ia kaloi prodhimit nga ato shtetërore, për herë të parë në historinë e prodhimit të energjisë elektrike në këta dyzet vitet e fundit. Komenti juaj, ju lutem.
Saimir Saliaj: Kjo e rrëzon mitin e kapitalizmit. Do të thotë se, kur kemi arritur të tejkalojmë prodhimet e atyre veprave që kanë kërkuar shumë punë voluminoze për t’u ndërtuar, si hidrocentralet shtetërore, të ndërtuara katër dekada më parë, duke patur parasysh edhe nivelin e mjeteve, sot teknologjia është përparuar dhe është më e lehtë për të realizuar shifrat që ju përmendët, në prodhimin e gjeneruesve privatë të energjisë.
Kriza e energjisë arriti kulmin e vet me vendosjen e emergjencës nga ana e qeverisë në tetor 2021. Biznesi privat ishte i pari që përqafoi nismën e liberalizimit të tregut të furnizimit me energji elektrike, për të fituar një lloj autonomie, si dhe për të përmirësuar konsumin, apo faturat e energjisë elektrike.
Kjo bëri që të përmendej në masë të gjerë prodhimi i energjisë nga panelet diellore, sepse ishte një formë e uljes së kostos. Dhe të gjitha bizneset filluan të ulnin kostot që kishin në prodhim. Prandaj dhe sot ne kemi një vetëprodhim të energjisë elektrike nga sipërmarrjet private në mjediset e tyre të punës, që më parë as që mund të mendohej.
CMG: A duhet të bëjmë kujdes me panelet diellore në tokat bujqësore? Ka një teknologji për panelet diellore që përdoren në bujqësi, me të cilën mund t’i ngresh ato në lartësi dhe krahas përftimit të energjisë, të sigurohet edhe kultivimi i frutave apo perimeve poshtë paneleve. A duhet ta marrim në këtë teknologji?
Saimir Saliaj: Në fakt, për fat të mirë, instancat shtetërore janë treguar të kujdesshme për këto toka.
Kanë vendosur një kusht themeltar, që kryesore për t’u pajisur me një leje për ndërtim parku fotovoltaik, është që toka, kategoria e tokës nuk duhet të jetë bujqësore, pasi është kusht skualifikues. Pranohen vetë toka jo bujqësore.
Prandaj dhe, kryesisht ndërtimet e parqeve diellore janë përqëndruar në zona të kripura, toka jo pjellore, në zërin kadastral pyje pa pemë, apo në zona industriale.
Deri më sot, nuk ka patur një rast aplikimi të fermave diellore në toka bujqësore.
Sigurisht, kjo lidhet edhe me faktin se ka kosto më të lartë se sa ndërtimi i një parku në një tokë të rrafshët, si dhe pa patur problematika, për të shmangur ndikimin negativ, në mbarëvajtjen e punëve agrare.
Nuk kemi pse të shkojmë në zgjidhje më të kushtueshme, kur ka sipërfaqe të shfrytëzueshme për ta zhvilluar sektorin, në toka jo bujqësore.
Intervistoi Fatos Çoçoli