Përfundoi edicioni i 68-të i Festivalit Evropian të këngës Eurosong Contest 2024, ku fitues u shpall këngëtari i ri Nemo përfaqësuesi i Zvicrës me këngën “The code”. Shqipëria këtë vit u përfaqësua me këngëtaren e njohur, Besa Kokëdhima e cila performoi në gjysmëfinalen e dytë me këngën e kënduar në gjuhën angleze “Titan”. Këngëtarja zgjodhi rrjetin social Instagram për t’u deklaruar pas performancës së saj në natën e dytë të gjysmëfinales së “Eurovision 2024”, pasi nuk arriti ta prekte finalen. Ajo shkroi: “Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj dhe për mesazhet që më keni dërguar. E kemi bërë një punë shumë serioze dhe rigoroze gjatë këtyre muajve për të realizuar një përfaqësim dinjitoz. Më vjen keq që nuk kaluam në finale, por kjo është pjesë e garës dhe ne nuk i përcaktojmë rregullat. Shpresoj t’ju kem bërë krenarë dhe kjo është çdo gjë që ma mbush shpirtin plot. Ju falënderoj shumë!”.
Të shumtë kanë qenë shqiptarët që kanë prerë biletën për ta ndjekur nga afër këtë festival evropian, madje disa prej tyre janë janë fansa të përhershëm të këtij festivali, por mbi të gjitha janë mbështetësit më të mëdhenj të Shqipërisë që në prezantimin e saj 20 vite më parë. Në intervistë për Radio Ejani nga Kopenhaga, flet për eksperiencën e tij ndër vite, fansi shqiptar i Eurovizionit Roni Balla Klein.
CMG: Jeton prej vitesh jashtë vendit, por je dhe një ndjekës i rregullt i Eurovizionit. Prej sa vitesh e ndjek nga afër Festivalin Europian të Këngës?
Roni: Unë jetoj prej 22 vitesh në Danimarkë. E kam ndjekur Eurovizionin që në ato fillime, kur mori pjesë për herë të parë Shqipëria në vitin 2004 dhe u përfaqësua me këngëtaren Anjeza Shahini. Në atë kohë nuk e dinim se si funksiononte ky festival.
CMG: Gjithashtu ke patur mundësinë që të takosh nga afër edhe artistët përfaqësues të Shqipërisë. Cili ka qenë përfaqësimi më dinjitoz sipas mendimit tënd?
Roni: Unë kam takuar shumë nga artistët shqiptarë pjesëmarrës në Eurovizion. Për mendimin tim, përfaqësimi më dinjitoz në Festivalin Evropian të Këngës ka qenë këngëtarja Rona Nishliu, por edhe këngëtarja Anjeza Shahini, që ka qenë dhe përfaqësuesja e parë e Shqipërisë në Eurovizion.
CMG: Po artisti më miqësor cili ka qenë?
Roni: Besa Kokëdhima, Ledina Çelo më ka lënë përshtypje shumë të mira, Jonida Maliqi mendoj se ka qenë shumë miqësore me këdo që takonte në Eurovizion.
CMG: Në cilin vit ka patur më shumë tifoza të Shqipërisë në Eurovizion?
Roni: Më shumë tifoza për Shqipërinë mendoj se ka patur në Stamboll, ndoshta se aty ishte më afër dhe shqiptarët mund të shkonin pa vizë, por edhe shqiptarë që jetonin aty kanë qenë të shumtë në Stamboll.
CMG: Nga artistët shqiptarë të prezantuar deri tani, kush mendon se e ka merituar më shumë çmimin e parë?
Roni: Të gjitha pjesëmarrjet deri tani, mendoj se e kanë merituar çmimin, pasi edhe e kanë fituar çmimin e parë në Festivalin e Rtsh-së, por këngëtarja që e meritonte çmimin e parë në Eurovizion më vjen ndërmend tani, Elhaida Dani,por edhe Rona Nishliu e meritonte.
CMG: Këtë vit Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Besa. Si e priti në sallë publiku shqiptar por edhe ai i huaj paraqitjen e saj skenike?
Roni: Besa ka një vokal shumë të mirë dhe Shqipëria gjithmonë është paraqitur me zëra shumë të mirë. Besa gjithashtu kishte një veshje shumë të bukur, paraqitje skenike gjithashtu, si dhe zërat mbështes të Besës back vokalet nga franca ishin shumë të mirë. E gjitha një paraqitje shumë dinjitoze.
CMG: A të ka mbetur në mendje motivi i këngës së saj, të na e sjellësh për dëgjuesit?
Roni: Edhe pse kam shumë emocione, do e këndoj pak për ju nga kënga “Titan” e Besës .
CMG: Roni, e ndoqe live performancen e Beses, si dukej nga salla gjigante e Malmos?
Roni: Performanca e Besës dukej shumë bukur në sallën gjigante të Malmos, pasi arriti të përfshinte të gjithë publikun, i cili e ka duartrokitur.Gjithashtu dukej shumë bukur edhe nga pamja vizuale, veshja e saj, vokalet shoqëruese, etj.
CMG: Të erdhi keq që Shqipëria nuk shkoi në finale? Pse mendon se nuk e arriti dot biletën e finales ?
Roni: Më erdhi keq që nuk shkoi dot në finale. Arsyen nuk di ta them,por ndoshta ishte një gjysmëfinale e fortë. Ndoshta edhe fakti që Besa këndoi e dyta, dhe kur këndon në gjysmëfinalen e Eurovizionit,në përgjithësi ato këngë harrohen shpejt dhe nuk votohen.
CMG: Ti menaxhon nje faqe të fansave të Eurovizionit, na trego për këtë.... Sa mbështetës janë shqiptarët dhe a ka edhe të huaj që bëjnë tifo për Shqipërinë?
Roni: Unë menaxhoj një faqe të Eurovizionit bashkë me fansa të tjerë të Eurovizionit, si Besart Mujku, shqiptar që jeton në Zvicër dhe Ronaldo shqiptar që jeton në Suedi. Kjo është një punë që e bëjmë për pasion, nuk paguhemi për këtë. Kemi dëshirë që kur jemi në Eurovizion të përcjellim momentet e bukura që ne marrim aty.
CMG: Sa ka qenë afërsisht numri i shqiptarëve në publik që e kanë ndjekur nga afër Eurovizionin këtë vit?
Roni: Nuk mund të them që shqiptarët janë mbështetës të Eurovizionit. Ndoshta nuk e njohim shumë këtë pjesë ashtu si mbështetësit e vendeve të tjera.
CMG: A ka edhe të huaj që bëjnë tifo për Shqipërinë?
Roni: Sigurisht që ka edhe të huaj që bëjnë tifo për Shqipërinë. Një nga të huajt që e pëlqente këngën e Besës, ishte nga Spanja i cili ishte veshur kuq e zi dhe mbante flamurin shqiptar. Ka çdo vit të huaj që bëjnë tifo për Shqipërinë. Këtë vit ishin rreth 25 shqiptarë që kishin flamurin shqiptar.
CMG: Duket që ke një dashuri të madhe për muzikën, por çfarë profesion ke?
Roni: Unë punoj si koordinator në kompaninë e hekurudhave daneze, prej 18 vjetësh. Për ta shpjeguar në qartë, kur ndodh diçka me trenat, unë duhet të koordinoj procedurat e sigurisë dhe informimit.
Lidhja ime me muzikën mendoj se ka ekzistuar që fëmijë. Kur kam qenë një vjeç e gjysmë kam dëgjuar një këngë të festivalit të këngës në Rtsh dhe e mësova menjëherë dhe e këndoja. Dashuria për këngën është diçka subjektive, besoj se e kanë shumica e njerëzve në botë dhe gjithashtu edhe unë.
CMG: Ke raportuar për mediat shqiptare edhe më herët dhe a do doje ta bëje në vazhdim?
Roni: Në përgjithësi kam raportuar për Rtsh-në, por edhe ndonjë media private. Së fundi ishte një intervistë. Sigurt që është diçka që do e bëja edhe në vazhdim sepse e bëj me pasion këtë gjë.
CMG: Na trego disa nga momentet më të bukura që mban mend nga gjithë kompeticionet ku ke ndjekur Eurovizionin?
Roni: Kam shumë momente te bukura ndër vite me Eurovizionin. Do përmend këtu kur konkuroi këngëtarja Hersi Matmuja. Kur erdhi ajo në Kopenhagen në muaj shkurt apo mars të vitit 2014, RTsh do vinte të bënte kartolinën dhe duhej të bënte një guidë. Hersi donte ta përfshinte në kartolinë tatuazhin me shqiponjë, nëse e vini re në youtube, te kartolina prezantuese e Hersit është edhe shqiponja në kurrizin e saj. Unë u bëra guidën ato ditë. Më pas kur Hersi u kthye sërish në muajin maj për konkurim, kemi qëndruar çdo ditë dhe u bëm miq të mirë, pasi unë isha dhe guida e delegacionit shqiptar në Kopenhagen. Më pas ajo më ftoi në dasmën e saj, por nuk munda dot të shkoja, ky ishte një nga momentet më të bukura. Momente të bukura ka plot, sidomos dalja në finale e shqipërisë ka qenë gjithmonë një nga momentet mjaft të bukura, sidomos kur thirret emri i shqipërisë në një nga zarfat.
CMG:Cila ishte kënga më e mirë e Eurovizion 2024 që do i jepje çmimin e parë?
Roni: Çmimin e parë këtë vit unë do ja jepja Kroacisë, pasi kënga e Baby Lasagna ishte shumë ritmike, por jo vetëm kjo, pasi po ta kishte fituar Kroacia do ishte shumë mirë edhe për shumë vende ballkanike që i janë shkëputur Eurovizionit dhe do ishte mirë të riktheheshin në Eurovizion.
CMG: Po më e mira ndër vite?
Roni: Sa i takon këngës më të mirë ndër vite, ka jashtë mase shumë, por më vjen ndër mend një këngë e Spanjës e kënduar nga këngëtarja Pastora Soler “Quédate Conmigo”, gjithashtu një tjetër këngë e Spanjës “Bandido” e vitit 1990. Nga këngët shqiptare ka qenë kënga "Suus" e Rona Nishliut, "Nesër shkoj" e Ledina Çelos, janë shumë, por këto mund të veçoj.
-Në edicionin e 68-të të Festivalit Evropian të Këngës mbajtur këtë vit në Malmo të Suedisë, morën pjesë gjithsej 37 shtete, ndërsa në finale shkuan 26 shtete. Kupa e çmimit të parë në Festivalin e 68-të të Këngës Evropiane të Eurosong, tashmë u fitua nga këngëtari Nemo, i cili e dërgoi fitoren e çmimit të parë pas 36 vitesh në Zvicër, pas fitores së këngëtares Céline Dion në vitin 1988.
Konkurrimi i Shqipërisë në Eurovizion në këto dy dekada
Shqipëria mori pjesë për herë të parë në “Eurovision” në vitin 2004 në Turqi, ku me përfaqësimin e këngëtares Anjeza Shahini me këngën “Image of You” u vlerësua nga publiku duke u renditur në vendin e 7-të. Në vitin 2005 Shqipëria u përfaqësua nga Ledina Çelo, e cila me këngën “Tomorrow i go”, u pozicionua në vendin e 16-të.
Në vitin 2006 Shqipëria konkuroi me këngë me ritëm “Zjarrë e ftohtë” kënduar nga Luiz Ejlli, por nuk arriti të shkoj në finale.
Në vitin 2007 shkon në Festivalin Evropian këngëtari Frederik Ndoci, ku merr pjesë me këngën “Hear My Plea”, por nuk u vlerësua për të shkuar në finale.
Në vitin 2008 këngëtarja Olta Boka këndoi në Beograd ku mori pjesë me këngën “Zemrën e lamë peng”, e cila shkoi në finale duke u renditur e 17-ta me 55 pikë.
Në vitin 2009 shkon një tjetër talente e re nga vendi ynë 17-vjeçarja Kejsi Tola, e cila në Moskë përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Carry me in your dreams”, këngë e cila arriti të shkonte në finale. Koreografia e saj në atë kohë ishte një nga më të përfolurat më median evropiane.
Në vitin 2010 Shqipëria mori pjesë me artisten Juliana Pasha dhe me këngën “It’s all about You”, por Juliana u rendit e 16-ta me 62 pikë.
Në vitin 2011 Shqipëria u përfaqësua nga Aurela Gaçe, me këngën “Feel the passion”, me të cilën nuk kaloi dot në finale.
Në vitin 2012 Shqipëria u përfaqësuar nga Rona Nishliu, ku i befasoi të gjithë me interpretimin e saj të këngës “Suus”. Rona bëri historinë duke i dhënë Shqipërisë suksesin më të madh të arritur deri më tani, ku u rendit e 5-ta me 146 pikë, duke mbajtur arritjen më të lartë të Shqipërisë deri më sot.
Në vitin 2013 Shqipëria u përfaqësua me këngën “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj & Bledar Sejko, por publiku evropian nuk arriti ta vlerësojë këtë këngë dhe nuk dërgoi në finale.
Në vitin 2014 Shqipëria u përfaqësua në “Eurovision” nga këngëtarja Hersi Matmuja me këngën “One Night’s Anger”, e cila nuk arriti të shkonte në finale.
Në vitin 2015 Shqipëria mori pjesë me këngën “I’m alive” kënduar nga këngëtarja Elhada Dani, e cila vinte pas fitores së çmimit të parë të “The Voice” në Itali. Këngëtarja kaloi në finale dhe u radhit e 17-ta me 34 pikë.
Në vitin 2016 këngëtarja Eneda Tarifa përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Fairytale”, por nuk arriti të shkoj në finale.
Në vitin 2017 Shqipëria u përfaqësua me këngën “VVorld” kënduar nga këngëtarja Lindita Halimi pas suksesit të saj në “American Idol”, por edhe këtë herë Shqipëria nuk shkoi në finale.
Në vitin 2018 Shqipëria u përfaqësua në Festivalin Evropian nga Eugen Bushpepa, i cili arriti të kaloj në finalen e fortë të kësaj gare muzikore dhe zuri vendin e 11-të.
Në vitin 2019 Shqipëria u përfaqësua nga këngëtarja Jonida Maliqi. Ajo shkoi në finale dhe u rendit në vendin e 18, me 90 pikë.
Në vitin 2020 Shqipëria u përfaqësua nga këngëtarja Arilena Ara. Por për shkak të Covid-19, festivali “Eurovision”u transmetua në Youtube ku finalja u quajt “Eurostream 2020”. Shqipëria arriti të kualifikohej në finale dhe u rendit në vendin e fundit me 63 pikë, 26 pikë nga juria dhe 37 pikë nga televotimi.
Në vitin 2021 Shqipëria u përfaqësua nga Anxhela Peristeri ku me këngën me titull “Karma” ajo u rendit e 21-ta me 57 pikë.
Në vitin 2022 Shqipërinë e përfaqësoi Ronela Hajati me këngën “Sekret”, e cila cila nuk arriti të shkojë në finale.
Në vitin 2023 Shqipëria u përfaqësua nga Albina Kelmendi dhe familja e saj me këngën me titull “Duje”, duke e dërguar Shqipërinë në finale. Me 17 pikët jurisë dhe me 59 pikët e publikut, vendi ynë arriti që të renditej në vendin e 22-të, nga 26 pjesmarrësit në finale.
Në vitin 2024 Shqipëria u përfaëqësua nga këngëtarja Besa Kokëdhima e cila edhe pse pati një përfaqësim dinjitoz, nuk arriti që të shkonte dot në finale.
Intervistoi: Sava Lena