Foto nga VCG
Vendimi i Shtëpisë së Bardhë të martën për të rritur tarifat për importet e automjeteve elektrike kineze nga rreth 25 për qind në 100 për qind rrezikon të dëmtojë objektivat klimatikë e forcën konkurruese industriale të ShBA-së, si edhe interesat e konsumatorëve amerikanë, vlerësohet në raportet e fundit të mediave ndërkombëtare, si edhe nga analistë e ekspertë të ndryshëm.
"Konsumatorët amerikanë kryesisht nuk e kanë kuptuar se sa të mira e sa të lira janë automjetet elektrike të prodhuara në Kinë dhe rritja e tarifave të reja do t'i ndalojë ata ta bëjnë këtë," thuhet në një artikull të publikuar të martën në revistën “Foreign Policy.” "Në fund të fundit, amerikanët do të jenë më të ngadaltë në kalimin te automjetet elektrike nëse u mbeten vetëm mundësi të kushtueshme."
Në një analizë të revistës “The Economist” po të martën vihet në dukje se "prodhuesit vendas amerikanë gjithashtu mund të ndiejnë më pak nxitje për të prodhuar mallra të lira në një periudhë afatgjatë, duke e ditur se janë të mbrojtur nga konkurrenca e huaj... Pas një muri tarifor 100 për qind, zyrtarët dhe shefat e korporatave amerikanë do të kenë më pak ndjenjë nguti për të gjetur përgjigje."
“Plani i administratës së presindetit Biden për të vendosur tarifa të reja të rënda mbi automjetet elektrike dhe bateritë kineze do të sigurojë mbrojtje të përkohshme për vendet e punës në sektorin e automobilave të ShBA-së, me gjasë në kurriz të përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të luftuar ndryshimin e klimës duke përshpejtuar përdorimin e automjeteve elektrike në ShBA,” thuhet në një raport të “Reuters”-it të publikuar të martën.
Foto nga VCG
Sipas raportit, drejtuesit e industrisë dhe disa analistë besojnë se një luftë tregtare sa i përket teknologjisë së pastër midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të rriste gjithashtu kostot e automjeteve elektrike, baterive dhe pajisjeve të tjera të automjeteve elektrike, duke i mbajtur çmimet e përgjithshme të automjeteve elektrike të larta.
"Nëse 'General Motors', 'Ford' dhe 'Stellantis' nuk duhet të konkurrojnë kundër kompanive të huaja që prodhojnë automjete elektrike, ato nuk do t'i prodhojnë ato. Tregu do t'i shkojë BYD (kompani kineze e prodhimit të automjeteve elektrike)," tha Daniel Becker i Qendrës për Diversitetin Biologjik, një grup mjedisor që e ka shtyrë administratën Biden për të zbatuar politika më të forta klimatike.
Vendosja e tarifave 100 për qind për makinat kineze nga Shtetet e Bashkuara është një "kurth i madh", tha për një televizion francez Carlos Tavares, CEO i grupit të automobilave "Stellantis".
"Kur vendosni një flluskë rreth një tregu, qoftë ai tregu amerikan apo evropian, gjëja e parë që bëni është krijimi i inflacionit masiv brenda flluskës. Dhe kur krijoni inflacion, dëmtoni fuqinë blerëse të klasës së mesme e theksoni hendekun teknologjik midis atyre brenda flluskës dhe atyre jashtë që janë të zënë me pushtimin e botës," shtoi ai.