Trendi i real estate, një në katër apartamente blihen nga të huaj
2024-05-16 09:54:21

Investime në real estate (Foto Facebook)

Investime në real estate (Foto Facebook)

Një në katër apartamente në Shqipëri blihen nga të huajt, kështu ka deklaruar për mediat  drejtori Ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria nisur nga të dhënat që disponon nga ky treg. Ai ka sjellë një panoramë të situatës së fundit sa i takon tregut të Real Estate.

“Ndryshe nga 2022 ku 14% ishin blerësit e huaj, tani është 26%, domethënë 22 ka qenë në gjashtë mujorin e parë të 2023 kështu që ka një lloj faktori kyç tani që një në 4 apartamente blihen nga të huajt apo jo rezidentët, pjesa tjetër janë nga reminitancat. Pra diku tek 930 apo 940 milionë euro janë remitancat sipas Bankës së Shqipërisë dhe një pjesë e këtyre remitancave shkon brenda sektorit të real estate, pra ndihma që vijnë për familjarët që jetojnë në Shqipëri. Kryesisht ky është shpjegimi që kanë statistikat zyrtare. Mendoj 80-85% e tregut shpjegohet nga këto burime dhe duhet të kuptojmë që ka një tjetër shtresë  të pasur  të shqiptarëve.”- u shpreh Pipiria.

Si shumë sektorë të tjerë edhe Real Estate ka problem informalitetin.

Eksperti Reinaldo Pipiria (Foto Linkedin)

Eksperti Reinaldo Pipiria (Foto Linkedin)

“Statistikat e Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it janë këto. Patjetër që ekonomia shqiptare vuan nga informaliteti, nuk vuan vetëm real astate, apo ndërtimi, vuajnë të gjithë sektorët. Kështu që aktorët në treg kanë sjelljen e tyre konsumatore me gjithë financat, pavarësisht burimeve që kanë. Duhet bërë një analizë e të gjithë ekonomisë shqiptare për të kuptuar pse kemi këto çmime tek ushqimet, tek karburantet e tek çdo gjë tjetër më pas.”

Për Abc News edhe eksperti për pasuritë e paluajtshme, Dritan Ballgjini ka thënë  se blerjet e apartamenteve në bregdet bëhen kryesisht nga emigrantët.

“ Unë në fakt nuk do t’i quaja blerës të huaj, do t’i quaja më shumë shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë, shqiptarë që jetojnë jashtë trojeve shqiptare dhe turistë të huaj. Por gjithsesi kuptoni që Tirana dhe bregdeti në përgjithësi ku ata po blejnë dhe po fuqizojnë shumë tregun është akoma e lirë për ta. Duhet të kuptoni që po të vëmë në balancë çmimet e një metri katror në Tiranë dhe çmimet e një metri katror mos të shkojmë më larg se Beogradi apo Zagrebi, ne kemi disnivele të caktuara në raport me kohën, ku duhet të shkosh nga aty ku blihet deri në qendër.”

Në këtë drejtim sipas ekspertit, një ndikim ka turizmi.

Banesa të reja ((Foto Facebook)

Banesa të reja ((Foto Facebook)

“Kështu që unë do të doja t’i mëshoja pak fort këtij fakti që turizmi po luan, një rol të rëndësishëm, po ashtu edhe të gjithë banorët që nuk janë shqiptarë, por normalisht jetojnë dhe punojnë në vendet e tyre. Unë dua të shtoj dhe diçka tjetër, ne jemi shqiptarë dhe të gjithë pothuajse kanë ëndërr Tiranën, pra një qytetar që jeton në jug të Shqipërisë, në mes apo në veri që ka të ardhura të mjaftueshme dhe ka kursyer gjatë gjithë kohës, kërkon një shtëpi për ta pasur në Tiranë, por edhe për ta dhënë me qira, për ta pasur për investim për fëmijët në të ardhmen. Ka balanca të caktuara, njerëzit që blejnë në Tiranë.”

Kryesisht qytetarët i drejtohen bankave për investime të tilla.

“Do t’u them dhe unë një statistikë, rreth 60% e klientëve tanë  janë klientë të cilët i drejtohen një banke të nivelit të dytë për të marrë një shtëpi. Janë klientë, njerëz të cilët kanë kursyer disa para dhe po kalojnë nga statusi i qirasë që kanë qenë gjatë gjithë këtyre viteve drejt blerjes së një shtëpie. Natyrisht nuk do ta blejnë në qendër të Tiranës, do ta blejnë në periferi, në zonat ku po ndërtohet. Po ju jap një statistikë. Sot në Tiranë po ndërtohet 7 deri në 8 kilometra, duke marrë parasysh qendrën, apo largësinë me qendrën. Dhe të gjithë që duan të blejnë shtëpinë me kosto të lirë po i drejtohen atij statusi.”

Ndërsa, ekspertja për ekonominë, Teuta Nunaj u shpreh se periferia dhe zonat rezidenciale më të preferuarat në Tiranë, shkak për këtë është bërë aksesi në këto zona. Nunaj bën një krahasim të çmimit të banesave në Itali me Shqipërinë.

“ Realisht nëse do të bëjmë pjesën e krahasueshmërisë me vendet e ngjashme, për bregdetin shqiptar siç është ai i jugut që ka një kosto më të lartë duhet ta krahasojmë me  bregdetin e Guria-s që sërish ka një kosto më të lartë dhe është një bregdet, i cili frekuentohet nga individët e pasur që jetojnë kryesisht në veriun e Italisë. Kjo gjë po ndodh në Shqipëri. Në njëfarë mënyrë po përkufizohen ose po ndahen zonat në varësi edhe të burimeve të të ardhurave që kanë individët për të investuar. Në përgjithësi për këtë rast Tirana po zgjerohet drejt periferisë, por edhe këta individë me të ardhura të larta po preferojnë të vijnë në zona të caktuara rezidenciale për t’iu larguar smogut, zhurmës dhe të gjithë rrëmujës që sjell qyteti i madh”- theksoi Nunaj.

Lungomare Vlorë (Foto booking.com)

Lungomare Vlorë (Foto booking.com)

Ekspertja Nunaj analizon edhe nivelin e çmimeve.

“Tek ajo që u analizua si faktor që kanë çuar në këtë rritje të nivelit të çmimeve, unë do të doja të evidentoja dhe një faktor që është shumë i rëndësishëm, ai i investimet në infrastrukturë, investimeve publike. Investimet publike i  kanë bërë këto zona më të aksessueshme. Pra nëse aktualisht po ndërtohet në Tiranë, në zona periferike do të thotë që mjeti urban publik dhe këto zona nuk janë më të izoluara. Mund të marrim rastin e Astirit që ishte një zonë ose do themi 10 apo 15 vite më parë shumë më e kufizuar me kosto 400-450 euro për metër katror dhe aktualisht kjo vlerë është shtuar me diçka më tepër. “

Një nga arsyet e rritjes së çmimeve të banesave, sipas ekspertëve janë edhe investimet në infrastrukture pasi rrisin vlerën e pronave.

“Nëse ne do flasim për zonën e jugut të Shqipërisë, krahas interesit që kanë turistët e huaj ose individët e huaj, të cilët vijnë edhe për faktin që ka një çmim të lirë, vijnë për faktin që Shqipëria ka një kohë me diell përgjatë vitit, e cila e bën të pranueshme të jetuarit, ushqimet akoma janë bio. Marrëdhënia  që ndërtojmë me të huajt në mënyrë miqësore i bën tërheqës. Por edhe investimet në infrastrukturë në këtë rast e kanë rritur koston dhe mund të sjell shembull rastin e Vlorës, tek pjesa e Lungo Mares  çmimet janë rritur edhe si pasojë e investimeve që ka marrë kjo zonë duke u kthyer në një zonë akoma edhe më të bukur, një zonë më elitare në pjesën rezidenciale të saj. Në këtë këndvështrim mund të themi që të gjitha këto investime kanë çuar ujin tek ai mulli që është rritja e çmimeve. Një nga faktorët dhe arsyeja bazë në këtë rast është që është çmimi më i ulët në Shqipëri në krahasim edhe me Malin e Zi që jemi në të njëjtën linjë bregdetare, apo me Greqinë apo dhe Italinë. Kjo e bën Shqipërinë akoma më tërheqëse.”- tha Nunaj.