失败---[shī bài]---Dështim
Regjistrimi për pjesëmarrjen në Asamblenë e 77-të Botërore të Shëndetësisë përfundoi më 13 maj. Siç pritej, rajoni i Tajvanit u refuzua, gjë që shënoi dështimin për tetë herë me radhë të pretendimit të autoriteteve të Partisë Demokratike Progresive (DPP). Kjo tregon plotësisht se parimi i “Një Kine” është një konsensus universal i komunitetit ndërkombëtar. Sado që pala amerikane "të mbështesë pjesëmarrjen e Tajvanit", sado që autoritetet e DPP-së "të lypin ndihmë", është thjesht një farsë së cilës askush nuk i kushton vëmendje, thuhet në një koment të Grupit Mediatik të Kinës.
Foto:VCG
Megjithatë, ShBA-ja dhe autoritetet e DPP-së ende përdorin justifikime të tilla si i ashtuquajturi "boshllëk në sistemin e parandalimit të epidemisë" në Tajvan për të ngatërruar opinionin publik. Atëherë, a ka të drejtë Tajvani të marrë pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë? Mospjesëmarrja e tij a do të krijojë vërtet boshllëqe në parandalimin e epidemisë? Pse farsa e aleancës ShBA-Tajvan pëson dështime njëra pas tjetrës? Këto janë tre çështje që duhen sqaruar.
Para së gjithash, Tajvani nuk ka asnjë status apo të drejtë për të marrë pjesë në Asamblenë e OBSh-së pa miratimin e qeverisë qendrore.
Sipas parimeve themelore të konfirmuara nga Rezoluta 2758 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Rezoluta 25.1 e OBSh-së, qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën dhe gëzon të drejta të plota sovrane brenda sistemit të OKB-së. Si provincë e Kinës, pjesëmarrja e Tajvanit në çështjet përkatëse në OBSh duhet të trajtohet në përputhje me parimin e "Një Kine". Nga viti 2009 deri më 2016 Tajvani mori pjesë si vëzhgues në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë me emrin "Tajpei Kinez", gjë që ishte një rregullim i veçantë i bërë nëpërmjet konsultimeve midis dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit në bazë të Konsensusit të 1992-shit dhe parimit të "Një Kine". Ky ishte një veprim i vullnetit të mirë i pjesës kontinentale ndaj Tajvanit, jo një "bamirësi" që autoritetet e Tajvanit e marrin për të mirëqenë.
Që nga viti 2016, autoritetet e Partisë Demokratike Progresive kanë synuar "pavarësinë e Tajvanit" dhe kanë kundërshtuar me kokëfortësi Konsensusin e 1992-shit, duke shkatërruar themelet politike për pjesëmarrjen e Tajvanit në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë. Për shkak të sfidimit të parimit të “Një Kine”, është e pashmangshme që autoritetet e DPP-së të përjashtohen nga Asambleja për tetë vjet rresht. Kjo ka një bazë të fortë ligjore.
Foto:VCG
Së dyti, pretendimi që thotë se moslejimi i Tajvanit të marrë pjesë në Asamble do të çojë një "një boshllëk në sistemin ndërkombëtar të parandalimit të epidemisë" është absurd.
Për qeverinë qendrore kineze, bashkatdhetarët në të dy anët e ngushticës së Tajvanit janë një familje dhe ajo ka bërë marrëveshjet e duhura për pjesëmarrjen e Tajvanit në çështjet globale të shëndetit. Në vitin e kaluar, gjithsej 21 grupe me 24 persona nga Tajvani aplikuan për të marrë pjesë në aktivitetet teknike të OBSh-së dhe qeveria qendrore i miratoi të gjitha aplikimet. Tajvani ka pikë kontakti të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetësisë, nëpërmjet së cilës mund të marrë menjëherë informacione për emergjencat e shëndetit publik të lëshuara nga OBSh-ja dhe t'i raportojë OBSh-së njëkohësisht informacionet e veta në kohën e duhur. Mund të shihet se brenda kornizave ekzistuese të OBSh-së dhe rregullimit midis të dy brigjeve të ngushticës, kanalet e komunikimit dhe raportimit të Tajvanit për parandalimin e epidemive janë të hapura, mekanizmi është i plotë dhe të drejtat shëndetësore të banorëve tajvanezë mbrohen plotësisht.
Publiku ende e mban mend që gjatë epidemisë së COVID-19, kur Tajvani u bë zona më e goditur, Shtetet e Bashkuara refuzuan t'i siguronin vaksina këtij rajoni me arsyetimin se "norma e infektimeve të konfirmuara në Tajvan është relativisht e ulët". Ndërsa autoritetet e DPP-së nuk pranuan ndihmat që ofroheshin nga pjesa kontinentale.
Së treti, arsyeja pse Shtetet e Bashkuara "mbështesin pjesëmarrjen e Tajvanit në Asamble" është në fakt përdorimi i Tajvanit si gur shahu.
Foto:VCG
Nga njëra anë, disa njerëz në Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë "përkrahjen e pjesëmarrjes së Tajvanit në Asamble" si një kartë politike. Ky është një vit zgjedhor në ShBA dhe disa politikanë duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të luajtur sërish këtë kartë për të treguar të ashtuquajturin “qëndrim të ashpër ndaj Kinës” në përpjekje për të fituar vota. Nga ana tjetër, ShBA-ja e shikon këtë si frontin e luftës ligjore kundër parimit të “Një Kine”, duke synuar të konkurrojë për të pasur të drejtën e përcaktimit të "statukuosë në ngushticën e Tajvanit" dhe të "rendit ndërkombëtar".(Zhang Yan/Artan)