Një partneritet efektiv biznes prodhues-qeveri
2024-05-14 12:01:30

ZvKryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi javën e kaluar një tryezë me Shoqatën e Prodhuesve Shqiptarë. Kjo strukturë është një organizim i biznesit ndër më përfaqësueset e tij, pasi përmbledh kompanitë prodhuese më të rëndësishme të vendit.

Është mirë që qeveria, në nivelet e saj më të larta, dëgjon kërkesat e prodhuesve tanë. Ata erdhën në takim me tre pika të të rëndësishme, si heqja e akcizës për gazin e lëngshëm, mundësimi i importit të lëndëve djegëse alternative, si dhe mundësimi i importit të lëndëve të para dytësore, pjesë e Listës së Gjelbër të Bashkimit Evropian.

Qeveria u zotua t’i dëgjojë këto kërkesa. Hapja e bisedimeve me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë të vendit shihet me pozitivitet, sa edhe me vëmendje nga prodhuesit tanë të konsoliduar. Ata janë tashmë të vetëdijshëm që i kemi hyrë një rruge pa kthim, ku duhet të përshtatemi të gjithë.

Kemi hyrë në një proces që edhe në Shqipëri është vrojtim(monitorim) dhe provim(ekzaminim) së bashku, me ekspertët e Komisionit Evropian, në të gjitha hallkat e zinxhirëve të prodhimit.

Për t’u përafruar plotësisht me Bashkimin Evropian, është normale që plotësimi i standardeve të tij ka kosto. Kompanitë tona prodhuese do të jenë të detyruara që të përmbushin të gjitha kriteret dhe standardet, të cilat deri tani ndoshta nuk i kanë ashtu siç i kërkojnë rregulloret dhe direktivat e Komisionit Evropian, sidomos, përsa i përket ndikimit në mjedis të aktivitetit prodhues.

Këtu duhet të përqendrohet dialogu me qeverinë, për të gjetur mundësitë për të lehtësuar kompanitë tona prodhuese.

Sikurse theksoi në tryezë edhe zvKryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, “Është e rëndësishme që të diskutojmë mbi këto çështje, përsa i përket akcizës së gazit të lëngshëm, sigurisht edhe Listës së Gjelbër të lëndëve, të cilat mund të prodhojnë energji. Ky është një diskutim i gjatë që ne e kemi nisur.

Padyshim që këto çështje kërkojnë një vëmendje nga qeveria. Edhe ministria e Mjedisit dhe Turizmit, krahas nesh, është vendimmarrëse në këtë proces.

Zvkryeministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë)

Zvkryeministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë)

Duke ju referuar praktikave më të mira që ka rajoni dhe sidomos Bashkimi Europian, ne do të shikojmë sa më parë implementimin e tyre. Është momenti sot që ta diskutojmë në të gjitha nivelet, si përsa i përket përfaqësisë së komisioneve parlamentare, edhe qeverisë, edhe nga ana juaj.

Ne kemi hyrë në një rrugëtim që nuk e ka një kthim pas, që është procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Na duhet të përmbushim kërkesat, na duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe na duhet t’i bëjmë të gjithë së bashku.

E përsërisim shpesh këtë. Nuk është një integrim në Bashkimin Europian i Qeverisë Shqiptare, është integrim në Bashkimin Europian i Shqipërisë.

Kështu që duhet ta bëjmë të gjithë bashkë rrugëtimin. Duhet të jemi të qartë cilat janë detyrat e seicilit dhe unë jam e sigurt që nuk do të kemi asnjë pengesë për këtë.

Për ne është shumë e rëndësishme që të gjitha hapat që do të hidhen në të ardhmen, të kenë një bazë të mbështetur mbi praktikat më të mira”.

Tryeza e 4 majit vërtetoi se biznesi prodhues shqiptar është jo vetëm i ndërgjegjësuar, por edhe i gatshëm për të kontribuar në këtë proces. Produktet shqiptare janë tashmë të pranishme në tregun evropian.

Prodhuesit tanë eksportojnë bimët mjekësore, si dhe prodhimet agro-ushqimore që tashmë lejohen të dalin përtej kufijve tanë. Tek fasoni, shumë nga prodhuesit tanë prodhojnë tekstile dhe këpucë “Made in Albania”, me cikël të mbyllur të prodhimit dhe depërtojnë në tregjet europiane e më gjerë.

Kjo është bërë falë një pune mjaft të mirë të prodhuesve shqiptarë, të cilët e kanë krijuar ndërmarrjen, standardizuar dhe kanë gjetur vetë tregun për të shitur produktet e tyre.

Natyrisht që ka shumë punë për të bërë, në lidhje me mbështetjen që duhet t’u japë qeveria dhe hallkat e tjera të saj, që janë ministritë e linjës, kësaj përpjekjeje titanike që prodhuesit tanë bëjnë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Biznesi prodhues shqiptar ka nisur të diskutojë me qeverinë për kostot dhe përfitimet e futjes graduale në Bashkimin Evropian, në mënyrë që prodhuesit tanë të jenë përfituesit e mëdhenj, dhe jo humbësit e mëdhenj, në liberalizimin e plotë të tregut tonë, gjatë gjithë procesit të bisedimeve dhe të integrimit në BE.

Gjysma e kapitujve të negociatave me BE-në prek drejtpërdrejt tregun, ekonominë dhe punën e përditshme te prodhuesve tanë. Suksesi i tyre do të varet nga mënyra se si do të ndërtohet i gjithë procesi i bisedimeve me ekspertët e Bashkimit Evropian dhe këtu qeveria jonë është vendimtare, me ndihmën dhe mbështetjen e saj.

Qeveria duket e mirëpozicionuar për ta dëgjuar biznesin serioz prodhues, për të bërë një vrojtim se sa të përafruar e kemi legjislacionin në fushën prodhuese, cilat janë ende ato boshllëqe që kemi dhe çfarë rrugëtimi duhet për të realizuar plotësimin e kritereve, për të arritur në standardet e Bashkimit Evropian.

Fatos Çoçoli