Plazh ne Dhermi - foto ATSH
Fshati i Dhermiut - Foto ATSH
Dhërmiu është ndoshta fshati më piktoresk i rivierës së jugut dhe përbën një nga turet më të bukur e të plotë, mes detit të bruztë dhe fshatit, të gdhëndur në gur. Kjo është mënyra më e mirë për të shijuar Dhërmiun, jo vetëm si plazh, por edhe një fshat mjaft atraktiv për vizitorët. Në fakt, kjo qasje është e përshtatshme për ata vizitorë që preferojnë historinë, arkitekturën, gjeografinë dhe i gëzohen kontrasteve të natyrës. Pikërisht këtyre fakteve i referohet media e huaj, e cila vijon ta promovojë Shqipërinë edhe këtë vit si një destinacion turistik, duke premtuar që 2024 do të jetë një tjetër vit me rritje për turizmin. Mediat e huaja vazhdojnë të reklamojnë plazhet shqiptare dhe kësaj here ishte media britanike e cila e ka vendosur Dhërmiun në fokusin e saj, duke e rekomanduar te shtetasit e saj si një vend tepër i bukur dhe njëkohësisht i përballueshëm për britanikët që kërkojnë çmime të ulëta. Kështu e përshkruhet në të përditshmen britanike “Express”.
Sipas artikullit në fjalë, “fshati i mrekullueshëm bregdetar, mund të jetë zgjidhja perfekte për pushime të lira në vitin 2024. Dhërmiu ndodhet në detin Jon dhe ofron plazhe spektakolare si dhe ambiente argëtuese të jetës së natës”
Në artikull shkruhet se riviera shqiptare është një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, por mbetet ende një vend i përballueshëm për turistët britanikë që kërkojnë çmime të ulëta. Pushuesit, mund të akomodohen në hotele (me katër yje) në fshatin e bukur bregdetar për vetëm 50 paund nata, gjatë muajit korrik.
Ndërsa Aeroporti i ri i Vlorës është ende në ndërtim e sipër, për momentin, turistët do të duhet të fluturojnë drejt Aeroportit të Tiranës për të arritur në Dhërmi. Edhe pse duhen rreth tre orë e gjysmë për të vizituar Dhërmiun, ia vlen të sakrifikohet për këtë destinacion të jashtëzakonshëm”.
Çfarë duhet të bëni në Dhërmi?
Në këtë pjesë të artikullit flitet për vijën bregdetare të Dhërmiut, e cila është një nga më të vlerësuarat në “Tripadvisor”. Dhërmiu ofron plazhe të mrekullueshme me guralecë, det të kaltër dhe një ambient të qetë pa turma vizitorësh.
“Shpella e Piratëve” në Dhërmi është gjithashtu një nga atraksionet e saj kryesore, të cilën turistët mund ta eksplorojnë si pjesë e një turneu me varkë.
Fshati i vjetër i Dhërmiut, është një vend i mrekullueshëm për një shëtitje relaksuese. Nëse jeni në kërkim të aventurave, mund të provoni të ecni në kanionin e Gjipesë, i cili zgjat rreth dy orë.
Plazhi i Dhermiut me lokalet e tij - foto ATSH
Çfarë duhet të hani në Dhërmi?
“Dhërmiu ka disa restorante fantastike që shërbejnë ushqime deti, ndërsa vegjetarianët do të gjejnë ushqime të freskëta vendase”, shkruan autorja.
Më tej ajo vazhdon duke treguar që turistët që marrin me qira një makinë ose zgjedhin transportin publik në Shqipëri mund të zgjasin pushimet e tyre për të eksploruar më shumë vendin.
“Nëse jeni në Shqipëri, mos e lini pa vizitua Tiranën, rekomandon gazeta britanike, pasi Tirana është një nga vendpushimet më të lira të Evropës, me disa muze interesantë dhe bare koktejlesh të përballueshme”, përfundon artikulli.
Media britanike nuk është e vetmja që i ka kushtuar vëmendje pushimeve shqiptare në përgjithësi dhe bregdetit të Dhërmiut në vecanti. Artikujt për Dhermiun në mënyrë të vazhdueshme reklamojnë këtë perlë të jugut duke u ndaluar tek vecoritë e tij.
Gazetarë dhe bloger nënvizojnë faktin se plazhi i Dhërmiut është simbol i detit të pastër, ujit me ngjyrë të bruztë dhe gjelbërimit. Dhërmiu ka plazhe me guralecë, të mbuluar nga ujërat e kristalta, ku spikasin gjiri i Gjipesë, Drimadhes dhe Palasës. Në plazhe turistët mund të gjejnë bare të vegjël në breg, të cilët ofrojnë pije freskues, por edhe restorante ku gatuhet kryesisht peshk dhe pica.
Turistët pëlqejnë detin dhe atraksionet
Edhe pse nuk është një fshat i madh, Dhërmiu dhe rrethinat e tij janë shtëpia e më shumë se tridhjetë kishave, disa prej të cilave vërtet ia vlen të vizitohen dhe mahnisin turistët.
Në fshatin e vjetër të Dhërmiut, turistët mund ndalojnë dhe admirojnë Manastirin e Santa Marisë, për t’u ngjitur tek i cili shërbejnë ca shkallë që zgjasin deri në majë të kodrës, por që ia vlen. Po aq magjepsëse dhe të ruajtura mirë janë Manastiri San Teodoro, i vendosur pikërisht në kodrën e qytetit, Manastiri i Stavridhi dhe Manastiri i Virgjëreshës Mari, i vendosur në kodrën e Drymades. Të gjitha këto kisha karakteristike, arrijnë të tërheqin vëmendjen e turistëve, që janë më të vëmendshëm ndaj historisë së zonës që po vizitojnë, por do të jenë në gjendje të magjepsin edhe ata që kanë ardhur këtu vetëm për të shijuar ujërat e kristalta të zonës.
Neritana Kraja