Financat publike të Shqipërisë do të menaxhohen me një strategji të re deri në vitin 2030. Ministri Financave Ervin Mete bëri një përmbledhje të dokumentit dhe synimeve, ndërsa mori këshilla nga BE dhe Banka Botërore për të patur më shumë kontroll të projekteve dhe luftë kundër korrupsionit. Ministri Mete është shprehur se dokumenti synon të sigurojë një sistem financiar public, që promovon transparencën dhe zhvillimin ekonomik.
Buxheti(Foto BoldNews.al)
“Forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore edhe sa i përket rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Krahas Ministrisë së Financave reforma përfshin një sërë aktorësh dhe faktorësh. Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar public, që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik. “- tha Mete
Ministri thotë se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që, në veçanti gjatë viteve të fundit, kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.
“Në këtë kuadër edhe Plani i Rritjes, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar kjo edhe me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre. Shqipëria po kalon një moment pozitiv ekonomik, vlerësuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit. Treguesit kryesorë makro-ekonomikë kanë shënuar përmirësime të ndjeshme. Borxhi publik në fund të vitit 2023 zbriti për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60%, ndërkohë që pritet të vijojë trajektoren rënëse edhe gjatë viteve në vijim.”- u shpreh Mete.
Treguesit ekonomik, sipas të dhënave të qeverisë janë pozitive ku kontribut kanë një sërë sektorësh.
Financat publike (Foto tv scan)
“Balanca primare në fund të vitit 2023 u rikthye në pozitive, ndërsa u shënua një përmirësim i ndjeshëm i bilancit të llogarisë korrente, ndikuar kryesisht nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me këtë sektor, si edhe investimeve të huaja direkte që arritën nivelin më të lartë, prej 1.5 miliardë euro. Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016, edhe kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike. Në dekadën e fundit, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ka patur progres të konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra. Lidhur me kuadrin fiskal, janë rritur kapacitetet për programimin makroekonomik, si edhe parashikimet makro-fiskale, në bashkëpunim edhe me FMN-në dhe Bashkimin Evropian.”, tha ministri Mete
Projektet me rëndësi kombëtare kanë patur fokus të veçantë.
“Progres ka patur edhe lidhur me Planifikimin Strategjik të Integruar dhe procesin e Planifikimit Buxhetor Afatmesëm. Është rishikuar kuadri ligjor për Menaxhimin e Investimeve Publike, duke prioritizuar përmes një liste unike projektet me rëndësi kombëtare. Janë bërë arritje të rëndësishme sa i përket forcimit e menaxhimit financiar në qeverisjen vendore, kryesisht përmes ndryshimeve në kuadrin ligjor e rregullator. Kuadri ligjor i menaxhimit të borxhit është ndryshuar për të reflektuar përmirësime mbi përgatitjen e Strategjisë së Menaxhimit të Borxhit. Për sa i përket Kontrollit të Brendshëm, janë bërë përmirësime dhe ndryshime në Ligjin “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” dhe Ligjin “Për Auditimin e Brendshëm”, shoqëruar me aktet përkatëse nënligjore.”
Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike synon edhe përmirësimin e mëtejshëm të politikave fiskale dhe makroekonomike.
“ Avancim në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritjen e monitorimit dhe raportimit, rritjen e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor, forcimin e menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimin e mëtejshëm të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, avancimin e përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së, si dhe një nga risitë e kësaj strategjie, që ka të bëjë me integrimin e elementeve të ekonomisë së gjelbër, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra.”
Nderkohë drejtori i Bankës Botërore Emanuel Salinas vuri theksin tek lufta kundër korrupsionit.
Prezantimi i Strategjisë (Foto Financa.gov.al)
"Duhet ruajtur disiplina fiskale nëpërmjet menaxhimit të mbledhjes së të ardhurave dhe menaxhimit të borxhit. Teksa shohim strategjinë mendojmë se 4 element kritik. I pari është prioriteti, sepse gjithmonë do të ketë nevojë më shumë për burime, ndaj duhet prioritet në përdorimin e burimeve. Eficenca për përdorimin e burimeve, vlera e parave në momentin që investohen, e gjithë duhet të merret në konsideratë. E treta, është transparenca dhe llogaridhënia, mendoj se të gjithë jemi përgjegjës për këtë strategji, dhje duhet të sigurohemi që mundësitë për korrupsion të eliminohen. E katërta është fleksibiliteti, në Shqipëri ka pasur shok në vitet e fundit, dhe ka pasur nevojë për rialokimin e financave publike, që duhet të bëhet në mënyrë të shpejtë që tu përgjigjet elementeve të shoqërisë më në nevojë. Duhet të kemi nevojë tu përgjigjemi këtyre situatave në mënyrë sa më të shpejtë' - tha Emanuel Salinas.
Ndersa Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato këshilloi qeverinë shqiptare të mos bëjë ndryshime buxhetore gjatë vitit kalendarik dhe të monitorojë kontratat me Partneritet Publik Privat.
Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike e publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar, pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj.