Muhamet Deskaj pas fitoreve ne ndehsjet e zhvilluara (Foto personale)
Sportisti Muhamet Deskaj jeton dhe ushtron sportin e kikboksit në Split të Kroacisë. Ai është me origjinë nga Kosova, por ka lindur në Kroaci sepse familja e tij ka emigruar në këtë vend shumë vite më përpara. Muhameti filloi të merret me sportet luftarake që në moshën 13 vjeçare, fillimisht me Taekwando kurse më pas edhe me kikboks. Dëshira e tij më e madhe ka qenë që të fitojë titujt prestigjioz në kikboksin profesionist dhe këtë ai e ka arritur, sepse nga 10 ndeshje ka vetëm 1 humbje. Ai është kampion i Kroacisë në çdo disiplinë në kikboks, si dhe ka fituar titujt e kupës së Europës, botës dhe shumë tituj të tjerë. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për karrierën e tij sportive në kikboks, medaljet dhe titujt e fituar si dhe planet në vazhdim.
Muhamet Deskaj. (Foto personale)
CMG: Kur ke nisur të merresh me sportet luftarake?
Muhamet Deskaj: Në moshën 13 vjeçare kam filluar të merrem me Taekwando, por mbas një kohe mu duk që nuk është sport shumë luftarak ashtu siç doja unë. Vëllai im në të njëjtën kohë ushtronte kikboks dhe më ftoi që të shikoj një stërvitje. Mua më pëlqeu kickbox dhe që atë ditë e kam gjetur veten te ky sport.
CMG: Fillimisht me cilin klub u regjistruat dhe me cilët trajnerë jeni stërvitur për të arritur?
Muhamet Deskaj: Jam regjistruar në klubin Pitbul xhin, i cili është klubi më i mirë në Kroaci, ku ka shumë luftëtarë të mirë, ka shumë kampionë botërorë dhe europianë, dhe është një klub që ka kushte shumë të mira. Janë trajnerët më të mirë në botë si Marko Zaja, Lluka Tomiç dhe Ante Matas.
Muhamet Deskaj pas fitores (Foto personale)
Muhameti pas fitores (Foto personale)
CMG: Cila ka qenë ndeshja juaj e parë?
Muhamet Deskaj: Ndeshja ime e parë ka qenë në vitin 2011, ku vetëm pas tre-katër javë stërvitje trajneri e shikoi që jam i talentuar dhe më ftoi të ndiqja një ndeshje kundër kundërshtarit me shumë përvojë, që në atë periudhë ishte kampion i Kroacisë. Unë në ndeshjen e parë kam humbur me një ose dy pikë, por solla njëfarë lufte shumë të ashpër, ku të gjithë e panë talentin tim. Pas asaj lufte kanë ardhë shumë tituj për mua.
CMG: Si ndjeheni tani që je profesionist në kikboks?
Muhamet Deskaj: Njehem shumë mirë sepse kikboks është një sport shumë i bukur, lufta është shumë e pastër me duar dhe këmbë. Takwando-ja është një luftë më e butë, kurse kickboxi më ka sjellë një lloj ndjenje lufte më të pastër dhe të mirë.
CMG: Sa i zhvilluar është ky sport në Kroaci?
Muhamet Deskaj: Ky sport është shumë i zhvilluar në Kroaci. Kroacia ka shumë luftëtarë të mirë dhe shteti na përkrah shumë. Populli kroat e ndjek shumë këtë sport, sidomos këtu në Split ku unë jetoj. Momentalisht ky lloj sporti është i famshëm këtu.
Muhamet Deskaj ne nje ndeshje kikbiksi (Foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë rezultatet tuaja të deritanishme në këtë sport?
Muhamet Deskaj: Si profesionist kam zhvilluar 10 luftime, nëntë fitore dhe një humbje. Ndërkohë që në karrierën time kam patur shumë rezultate të mira. Jam kampion i Kroacisë në çdo disiplinë në kikboks. Në Kroaci kam fituar titujt e kupës së Europës, të botës dhe shumë tituj të fortë. Gjithashtu jam i vetmi në Kroaci me medaljen historike të Kroacisë në vitin 201, në lojërat botërore të zhvilluara në Poloni, ku unë kam qenë i vetmi që kam marrë medaljen për Kroacinë.
CMG: Sa ju ka mbështetur familja në rrugën tuaj sportive?
Muhamet Deskaj: Familja më ka mbështetur shumë dhe arsyeja që unë e ushtroj këtë sport dhe stërvitem me aq dëshirë të madhe, është pikërisht familja ime. Familja është mbështetja më e madhe, ku më kanë ndjekur në çdo hap të karrierës time, në momente gëzimi dhe trishtimi ata kanë qenë gjithmonë pranë meje. Ata kanë qenë me mua në çdo lëndim, çdo fitore e çdo humbje. Jam shumë falenderues për familjen time, për çdo hap të karrierës time.
Muhamet Deskaj gjate ndeshjeve te kikboks (Foto personale)
CMG: Keni bashkëpunuar deri tani me sportistë të tjerë nga Kosova apo Shqipëria?
Muhamet Deskaj: Nuk kam patur bashkëpunime me sportistë të Kosovës apo Shqipërisë, por na kanë ardhur mjaft kampionë të Italisë, Rusisë dhe Polonisë. Në të ardhmen kam shumë dëshirë të bashkëpunoj me sportistë të kickbox të Shqipërisë, por sidomos të Kosovës.
CMG: Kur ka emigruar familja juaj në Kroaci?
Muhamet Deskaj: Familja ime ka ardhur në Kroaci në vitin 1985, babai im atëhere ishte 13 vjeç dhe emigroi në Split të Kroacisë, për të punuar dhe krijuar një jetë më të mirë. Ai pas disa viteve u kthye në Kosovë, ku u martua dhe u kthye prapë në Split.
CMG: Si e keni mësuar gjuhën shqipe, sepse ke lindur në Kroaci?
Muhamet Deskaj: Në shtëpinë tonë e vetmja gjuhë që flitet ka qenë gjithmonë shqipja. Prindërit e mi na thoshin gjithmonë se gjuha shqipe duhet të jetë e para. Ata na thonin që ne të mësonim gjuhën kroate apo anglisht, por në shtëpi duhet të flisnim vetëm shqip. Gjithashtu prindërit na kanë mësuar për traditat shqiptare. Unë jam falenderues, që sot jam shqiptar dhe familja ime na ka futur atë dashuri të madhe për atdheun.
Muhamet Deskaj gjate nje ndeshje (Foto personale)
CMG: E vizitoni shpesh Kosovën dhe Shqipërinë?
Muhamet Deskaj: Sipas mundësive dy ose tre herë në vit e vizitoj Kosovën dhe Shqipërinë. Kam shumë qejf të shkoj në Kosovë e Shqipëri.
CMG: Si është një ditë e zakonshme në Split?
Muhamet Deskaj: Spliti është një qytet shumë i bukur, vend turistik ku në dimër nuk ka shumë njerëz. Zakonisht në mëngjes filloj punën në biznesin tonë familjar. Mbasdite bëj trajnim dhe stërvitje, por dal dhe për ndonjë kafe me shoqërinë ose familjen.
Muhamet Deskaj pas ndeshjes (Foto personale)
CMG: Sa orë në ditë stërviteni?
Muhamet Deskaj: Kur jam në kamp, duke u përgatitur për ndonjë ndeshje stërvitem dy herë në ditë, 11 stërvitje në javë. Ndërkohë që dy muaj para çdo ndeshje stërvitem dy herë në ditë dhe nëse nuk kam ndeshje ushtrohem njëherë në ditë. Unë e mbaj veten aktiv në sport, dhe nuk rri asnjë ditë pa u stërvitur.
CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhim në lidhje me kickbox?
Muhamet Deskaj: Plani im është të vazhdoj me arritje, rezultate e medalje të tjera, por dhe nëse e ndërpres karrierën jam prapë i kënaqur, Gjithashtu kam dëshirë të jem trajner i këtij sporti, sepse e kam diplomën për trajner.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Muhamet Deskaj: Përshëndes dëgjuesit tuaj dhe gjithë shqiptarët kudo në botë.
Muhamet Deskaj (Foto personale)
Intervistoi: Gazmend Agaj