Në 45 vjetorin e karrierës së tij si këngëtar, Arben Duro do të vijë për publikun më 16 maj përsëri te Liqeni. Kësaj radhe me një koncert recital me këngë që janë duartrokitur ndër vite, tashmë në versionin elektro-akustik. I shoqëruar në skenën e Amfiteatrit të Liqenit Artificial nga instrumentistët Rubin Kaso (kitarë), Dorian Metohu (kitarë), Françesk Fjerca (kitarë bass) dhe Besmir Shani (kitarë), Arben Duro rrëfen ekskluzivisht për Radio Ejani disa nga çastet e këtij koncerti dhe surprizat e tij.
CMG: Më 16 maj do të prezantohet koncerti recital “Si dikur” në 45-vjetorin e karrierës tënde artistike. Si e pret këtë?
Arben Duro: Vërtet është diçka historike për mua. Më vjen shumë mirë që sot jam në këtë intervistë në kujtim të këngëve të mia të liqenit. Më pëlqen shumë kjo zgjedhje sepse kjo ka qenë shtëpia jonë. Këngët tona ishin bërë në një mënyrë tjetër, më ritmike dhe si djem të rinj që ishim atëherë donim të performonim. Kjo hapësirë e madhe që quhet sot Kodrat e liqenit, ashtu si edhe dikur në fakt, ne të gjithë gjetëm këtë shtëpi të madhe për të ardhur dhe performuar këngët që realizonim me miqtë tanë, bënin fjalë për dashuritë tona të humbura apo të reja. Kjo ka qenë historia ime para 45 viteve dhe më vjen mirë që sot rikthehem po këtu, ku ishte vendi ynë. Kjo verandë në kodra të liqenit, u kthye në verandën tonë. Të gjithë e dinin se nëse donin të dëgjonin Benin, Biken, apo dhe të ndjerin Bazi, na gjenim te veranda tek “Vëllezërit Frashëri”.
Arben Duro në koncertin e vitit 2019
CMG: Për nostalgjinë tënde ndodhemi në këtë verandë, ku flasim për koncertin recital. Si po ecin përgatitjet?
Arben Duro: Po, 45 vite më parë unë e kujtoj si sot, ishte 16 shtatori i vitit 1980 ku ne pas një dalje në publik për festën e Pezës, zgjodhëm të nesërmen që për dy ditë të këndonim nga liqeni.
CMG: Jemi afër koncertit recital, çfarë do të zbulosh për publikun?
Arben Duro: Dua t’u them të gjithë ata që kanë dëshirë të dëgjojnë Këngët e liqenit më datë 16 maj, ora 20:00 unë rikthehem në Amfiteatrin e Tiranës, ku na ndajnë vetëm pak ditë.
CMG: Në këtë ambjent, në këtë miniskenë të vogël të verandës, shoh që ke shumë nostalgji.
Arben Duro: Për herë të parë në këtë verandë kam qenë me shokun tim, Ludovikun ose Biken siç i thërras unë e bashkë krijuam dhe i kënduam këngët për vite me rradhë. E kujtoj si ditë që ka qenë e hënë, pas festës së Pezës në 16 shtator, kur njerëzit u dashuruan me këngët tona dhe donin të dinin me patjetër se kur dhe ku do të ishin daljet më vijim. Fakti që ne ishim ushtarë dhe kishim marrë leje, vendosëm që këtë dalje ta bëjmë te liqeni, duke ftuar edhe miqtë tanë.
Arben Duro në Amfiteatrin e Tiranes ne koncertin e vitit 2019
CMG: Të kujtohet repertori i këngëve që kënduat atë ditë?
Arben Duro: Po, janë disa këngë që unë i kujtoj sepse kanë qenë këngët tona të para si “Hënë e plotë” dhe disa të tjera që u zëvendësuan më pas me këngë të reja, “Greta” e Norit, “Alba” një këngë e Leonard Bulkut dhe disa këngë korçare. Pra kanë qenë disa këngë, që i kishim mbledhur në atë fazë të parë. Kishim disa ushtarë korçarë që këndonin bukur dhe i morëm nga ata dhe i sollëm në stilin tonë. Duke i sjellë në një mënyrë tjetër ne u bëmë të njohur në një kohë shumë të shkurtër. Kanë qenë publik më shumë ai i shkollës së mesme dhe politeknikumit ku shpërndanë informacionin te miqtë e tyre.
CMG: Për sa kohë vazhdoi ky ritual?
Arben Duro: Në ’80-tën bëmë daljen e parë në ambjent të hapur, një ditë pas festës së Pezës, më pas shkuam në repart, por vinim herë pas here dhe sa herë vinim jepnim informacion se në cilën datë do të ishim sërish aty. Çdo leje të ushtrisë e kalonim tek liqeni, duke u ndjerë shumë mirë të rrethuar nga miq, shokë e njerëz edhe të panjohur të cilët na bënin të ndiheshim të vlerësuar. Kjo zgjati derisa mbaruam ushtrinë në vitin ‘82 dhe gjatë këtyre dy viteve përveçse në Tiranë ishim dhe në Korçë, Elbasan, etj. Pasi u liruam nga ushtria e gjetëm Tiranën me shumë dashamirës të këngës sonë, e ishim bërë të njohur si Beni dhe Bikja.
Arben Duro në koncertin e vitit 2019 (Foto nga facebook)
CMG: Ka qenë një periudhë që nuk ka patur rrjete sociale, por gjithësesi fama juaj u përhap menjëherë. Në koncertin e datës 16 maj në 45 vjetorin e karrierës tënde artistike, sa këngë nga repertori juaj do të jenë pjesë e këtij koncerti?
Arben Duro: Më 16 maj do të jem në Amfiteatrin e liqenit e jo më kot kam zgjedhur amfiteatrin, sepse është pjesë e shtëpisë sonë. Unë do dal me rastin e 45- vjetorit të karrierës sime, ku fillova të mbledh këngët e para dhe pata daljen e parë në publik me shokë e miq. Fiks ishte viti 1979 dhe këtë vit përkon ky 45 vjetor. Janë shumë këngë, një pjesë të të cilave do t’i rikthej në formën si dikur. Ndaj dhe ky koncert ka një emërtim të veçantë, ka të bëjë me historinë time dhe të këngëve “si dikur”. Ne do të jemi vetëm me katër kitara elektro -akustike, pa asnjë vegël tjetër muzikore. Unë kam përzgjedhur 16 këngë, të cilat do mbajnë për dy orë publikun në këmbë me entuziazëm dhe atmosferë.
CMG: Si dikur do të vish në këtë mini-skenë pas 45 vjetësh, por ke mbajtur dhe koncerte të tjera recitale në Amfiteatrin e Tiranës më i fundit ishte po në muajin maj të vitit 2019, pra 5 vite më parë. Çfarë të lidh me muajin maj?
Arben Duro: Para 5 vitesh pata koncertin recital që lidhej me rikthimin tim dhe titullohej pikërisht “Rikthimi i këngëve të mia dhe këngëve të liqenit”. Pas kësaj ishte situata e Covidit ku u bllokua çdo lëvizje dhe e pengoi këtë nisje timen. Përsa i përket muajit maj e kam muajin tim të preferuar, është muaji më i bukur që përkon me stinën e pranverës, i ngrohtë dhe i freskët e plot me diell. Gjatë periudhës sa dimrit ne mblidhnim këngët, shkruanim tekstet e i përgatisnim ndërsa në muajin maj i këndonim. Dua të risjell atë majin e dikurshëm, siç bëhej në këtë muaj festë shumë e madhe dhe unë dua ta sjell këtë festë në Tiranë, e cila atëherë lindi dhe tani dua t’i jap frymë.
Arben Duro (Foto e posterit)
CMG: Do të të shoqërojnë miqtë e tu të dikurshëm në këtë koncert recital?
Arben Duro: Sigurisht që kam shumë miq e këngëtarë të njohur si Dashnor Diko, Leonard Bulku që ndodhet në Itali, Aleksandër Gjoka e sigurisht Bikja, Çimi, Mond Beqja, Dulla, etj.Kanë qenë një grup çunash, por në këtë koncert do të sjell këngët e mia. Ne kemi qenë duet, për të mos thënë një nga duetet më të forta dhe sillnim këngët më të bukura. Këngët e Dashnor Dikos, Sandrit, të Bikes e të miat, këngë të Korçës, Elbasanit dhe disa nga repertori i Kosovës si “Djall dhe dreq” që i sollëm në stilin tonë rock, e i bëmë të pëlqehen dhe sot. Kam kënduar me Ludovik Gjokën ose Biken siç e njohin të gjithë, e kam informuar që historikun tonë dua ta rikthej, por edhe mosha bën të vetën sepse kanë kaluar shumë vite nuk ishte i gatshëm, prandaj do ta bëj vetëm këtë koncert.
CMG: Pesë vite më parë e ke prezantuar vetë koncertin, madje ke treguar historitë që shoqëronin çdo këngë. Do të bësh të njëjtën gjë edhe këtë vit?
Arben Duro: Edhe këtë vit do të bëj të njëjtën gjë në këngë të ndryshme, të cilat kanë lënë gjurmë në mesin tonë. Do të prezantoj, të tregoj histori të këngëve, por edhe të tjera të veçanta, të cilat nuk do të mjaftonte një natë e tërë dhe e gjatë dimri për t’i treguar. Shpresoj që të jenë prezent shumë njerëz që janë rritur me këngët tona.
Arben Duro (Në intervistë për CMG)
CMG: Është shumë bukur të rikthehesh dhe të kesh aty të njëjtin publik që e ke pasur dikur, “Si dikur” edhe sot pas 45 vitesh…
Arben Duro: Do jetë shumë bukur dhe e ftoj publikun që të përjetojmë së bashku në këtë ditë pranvere të njëjtat emocione “si dikur” dhe ju siguroj që kushdo që do të jetë prezent nuk do të largohet dot nga atje. Përveç cilësisë unë do bëj çmos që të sjell shumë atmosferë.
Intervistoi: Sava Lena