foto nga VCG
Kina dhe ShBA-ja parashtrojnë plane për bashkëpunim të mëtejshëm për ndryshimet klimatike, ndërsa të dërguarit nga të dyja palët përfunduan një takim të mbajtur në Uashington.
Sipas njoftimit, Kina dhe ShBA-ja morën angazhime në këtë takim për të vendosur teknologjitë e reduktimit të emetimeve, për të krijuar ose përmirësuar sistemet dhe standardet e monitorimit, raportimit dhe verifikimit, si dhe për të nxitur bashkëpunimin dypalësh dhe ndërtimin e kapaciteteve. Të dyja palët diskutuan bashkëpunim teknik dhe ngritjen e kapaciteteve në lidhje me gazrat serrë jo-CO2, duke përfshirë oksidin e azotit industrial dhe substancat pararendëse të ozonit në nivel tokësor.
Takimi dyditor i ndryshimeve klimatike që u përmbyll të enjten, u bashkëkryesua nga i dërguari i posaçëm i Kinës për ndryshimet klimatike, Liu Zhenmin dhe i dërguari i posaçëm presidencial i ShBA-së për klimën, John Podesta.
foto nga VCG
Duke reflektuar mbi rezultatet e samitit midis presidentit kinez dhe atij amerikan në San Francisko vitin e kaluar, diskutimet në konferencë u thelluan në fusha të ndryshme të përshkruara në dokumentin "Deklarata e Diellit për Forcimin e Bashkëpunimit për të adresuar krizën klimatike". Këto përfshinin tranzicionin e energjisë, metanin dhe gazrat e tjera serrë jo-CO2, ekonominë rrethore dhe efikasitetin e burimeve, shpyllëzimin dhe nismat në provincat/ shtetet dhe qytetet me karbon të ulët.
foto nga VCG
Për më tepër, bashkëpunimi për çështje shumëpalëshe që lidhen me suksesin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike 2024, që do të mbahet në nëntor në Baku të Azerbajxhan-it, ishte një pikë kryesore. Të dyja palët ndanë përvojat dhe sfidat në politikat dhe veprimet e tyre përkatëse për klimën, me synimin për të adresuar në mënyrë efektive krizën klimatike dhe pasojat e saj.
Takimi tjetër i nivelit të lartë Kinë-ShBA mbi veprimin lokal të klimës është planifikuar për 29 deri më 30 maj në Kaliforni. (Fang Xiaoyu/Laçi)