Xhuljo Hamataj së shpejti me projekte të reja muzikore
2024-05-11 10:49:49

Këngëtari i muzikës popullore të trevës së jugut Xhuljo Hamataj e ka nisur karrierën e tij muzikore në moshë të vogël si DJ, dhe më vonë si këngëtar i këngës popullore. Ai është rritur në një familje artdashëse, prindërit e tij janë marrë me muzikë. Xhuljo ka realizuar disa projekte muzikore si dhe bashkëpunime me këngëtarë të tjerë, ndër to duetin me këngëtaren Vitori Balili, idhullin e tij. Është i pranishëm në koncerte, dasma e gëzime familjare brenda dhe jashtë vendit, duke përcjellë me zërin e tij këngët popullore tradicionale. Së shpejti Bruno do të sjellë për publikun katër produksione të reja muzikore. Në intervistë për Radio Ejani Xhuljo Hamataj tregon për pasionin e tij për këngën popullore, aktivitetet dhe projektet në vazhdim.   

Kengetari Xhuljo Hamataj (Foto personale)

Kengetari Xhuljo Hamataj (Foto personale)

CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën popullore?

Xhuljo Hamataj: Unë kam nisur të merrem me muzikë në një moshë fare të vogël, diku rreth moshës 14-15 vjeçare. Fillimisht kam punuar si DJ nëpër dasma. Pastaj më hyri më shumë në qejf muzika dhe vazhdova të këndoja sepse e kam patur edhe trashëgimi muzikën.

CMG: Kush është marrë tjetër me muzikë në familjen tuaj?

Xhuljo Hamataj: Babai im i ndjerë ka qenë klarinetist,  ka punuar për pak kohë nëpër dasma, por edhe mamaja ka kënduar me grupet polifonike. Kështu që më ngeli mua ta vazhdoja këtë rrugë, tashmë si një profesion. 

CMG: Kanë qenë prindërit një shtysë për ty në muzikën popullore?

Xhuljo Hamataj: Prindërit e mi kanë dashur shumë, dhe më kanë shtyrë që unë të ndiqja rrugën e muzikës, me ato mundësi që kanë pasur. 

Xhuljo Hamataj (Foto personale)

Xhuljo Hamataj (Foto personale)

CMG: Gjatë kohës që ke punuar si DJ nëpër dasma besoj se ke krijuar edhe kontakte me këngëtarë të këngës popullore?

Xhuljo Hamataj: Patjetër që kam patur kontakte me këngëtarë, një prej tyre është këngëtarja e njohur Vitori Balili, që unë kam nderin të bëj bashkëpunim. E kam dëgjuar shumë Vitorinë kur isha i vogël, dhe e kisha idhull. Sot për mua nuk ka kënaqësi më të madhe të këndoj në duet me këtë këngëtare, dhe të dalim në skenë apo nëpër dasma bashkë. 

CMG: Si janë pritur këngët tuaja nga publiku?

Xhuljo Hamataj: Unë shoh një pritshmëri shumë të mirë deri tani, dhe mendoj se publikut i kanë pëlqyer këngët e mia, sepse marr gjithmonë komente pozitive. 

CMG: Gjithashtu ke realizuar disa duete me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore. Si ka qenë eksperienca në duete?

Xhuljo Hamataj: Dueti i parë që kam realizuar ka qenë me këngëtarin Luçiano Saliaj, edhe ai i ri në këtë fushë. Bashkëpunimi i dytë ka qenë me këngëtaren Marjana Gjika, dhe i treti është me Vitori Balilin, të cilën e kam patur idhull dhe shumë qejf si këngëtare. Mendoj që në vazhdim të bëj edhe bashkëpunime të tjera me këngëtare të njohura dhe në zë të muzikës popullore.

CMG: Je ndjerë më mirë si solist apo në duete?

Xhuljo Hamataj: Unë e ndjej veten mirë edhe si solist, por dhe në bashkëpunim me këngëtarë të tjerë. Duetet më pëlqejnë shumë sepse bëhet një gërshetim i bukur zërash që godet në publik, sidomos në jug duetet preferohen shumë sot. 

Xhuljo Hamataj gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)

Xhuljo Hamataj gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)

CMG: Ke provuar të këndosh këngë polifonike?

Xhuljo Hamataj: Realisht unë jam në një grup polifonik, i cili quhet grupi i Mallakastrës, të cilët i përshëndes  djemtë e Mallakastrës. Unë këndoj shpesh me ta, dhe nuk ka gjë më të bukur sesa polifonia. Mendoj se polifonia është rrënja, dhe pastaj vazhdon muzika popullore, e cila ka evoluar dhe është bërë turbofolk. Mundohem që polifoninë ta sjell sa më mirë tek publiku.

CMG: Në cilat aktivitete ke interpretuar këngë polifonike?

Xhuljo Hamataj: Këngët polifonike i kam kënduar më tepër nëpër festivale. Kam marrë pjesë në festivalin e Bylisit, ku kam qenë marrës në disa këngë. Gjithashtu kemi festivale të tjera që do të marrim pjesë me grupin e Mallakastrës. Unë ndjehem shumë rehat kur këndoj këngë polifonike. Mendoj që së shpejti të sjell një gërshetim të bukur, turbofolk me polifoni, për dashamirësit e mi të muzikës popullore.

CMG: Kush janë bashkëpunuëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Xhuljo Hamataj: Unë bashkëpunoj me shumë autorë tekstesh, pavarësisht se nuk kam nxjerrë këngë të reja për momentin. Ndërkohë që përsa i përket kompozitorëve, kam bashkëpunuar me Genci Malaj, Vani Rushiti, Zhuljan Kuça që kam bërë projektin e fundit me Vitori Balilin, dhe Edi Balilin. Të gjithë këta kompoitorë më kanë mbështetur, dhe bëjnë të pamundurën që ne të nxjerrim diçka të bukur.

CMG: Sa rëndësi i jep paraqitjes kur interpreton në skenë?

Xhuljo Hamataj: Mendoj se paraqitja e jashmte është shumë e rëndësishme, dhe një artist duket nga sjellja dhe veshja. 

Xhuljo Hamataj me veshje popullore (Foto personale)

Xhuljo Hamataj me veshje popullore (Foto personale)

CMG: E ke veshur ndonjëherë kostumin popullor tradicional?

Xhuljo Hamataj: Nëse nuk do ta vishja kostumin popullor, mendoj nuk do të quhesha këngëtar, sidomos në këngët polifonike.

CMG: Si je ndjerë në skenë me kostumin popullor?

Xhuljo Hamataj: Jam ndjerë shumë mirë dhe vërtetë tradicional. Nuk ka gjë më të bukur se veshjet popullore.

CMG: Mendon se brezi i ri e pëlqen këngën popullore?

Xhuljo Hamataj: Mendoj se brezi i ardhshëm do ta duan më shumë, sepse shoh që muzika popullore ka marrë shumë prioritet vitet e fundit. Brezi im, dhe më i vogël se unë e shoh që e pëlqejnë këngën popullore. Gjithashtu edhe dasmat po bëhen me orkestër dhe këngëtarë, sepse duket që publiku e pëlqen këngën popullore dhe ka qejf ta dëgjojë live. 

CMG: Si e prisni sezoni e dasmave dhe gëzimeve familjare këtë vit?

Xhuljo Hamataj: Ky sezon është goxha i lodhshëm, por mendoj se do jetë dhe shumë i bukur, sepse vërtetë kemi lodhje por dhe lumturohemi kur i kënaqim njerëzit. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur njerëzit kënaqen nga atmosfera që ne krijojmë në dasma. 

CMG: Në cilat treva të vendit jeni më i kërkuar për të kënduar?

Xhuljo Hamataj: Treva e jugut, duke filluar nga Fieri, Gjirokastra, Tepelena dhe Vlora. Këto janë trevat që unë performoj zakonisht live nëpër koncerte dhe gëzime të ndryshme familjare, kryesisht dasma. 

Xhuljo Hamataj. (Foto personale)

Xhuljo Hamataj. (Foto personale)

CMG: Ke qenë për koncerte jashtë vendit?

Xhuljo Hamataj: Kam shkuar për festat e nëntorit në Belgjikë, në koncert në Itali si dhe shumë herë në Greqi. Pasi të përfundojë sezoni i dasmave do të shkoj edhe në Angli, sepse kam marrë një ftesë. Koncertet jashtë vendit janë kryesisht gjatë dimrit, kur dhe ne lirohemi nga puna këtu. 

CMG: Si është publiku i diasporës?

Xhuljo Hamataj: Publiku i diasporës është shumë i përmalluar dhe më mikpritës, sepse atyre ju mungon muzika shqiptare, dhe kanë mall të kërcejnë një valle shqiptare. Kur shkojmë në koncertet jashtë bëhet vërtetë një atmosferë e bukur.

CMG: Përveç trevës së jugut a ke tentuar të lëvrosh dhe treva të tjera në këngën popullore?

Xhuljo Hamataj: Preferoj të qëndroj te treva e jugut, sepse atë di ta sjellë më mirë dhe më bukur. Përpiqem të bëj dhe këngë nga trevat e tjera kur na i kërkojnë nëpër ambjente, por unë e kam gjuhën në jug dhe nuk mund ta këndoj dot një këngë të Shqipërisë së mesme siç e kënfon një këngëtar i asaj treve. Preferoj të rri në atë profil që mua më shkon dhe që e ndjej veten rehat. 

CMG: Ke ndonjë këngëtar tjetër idhull të këngës popullore?

Xhuljo Hamataj: Idhull kam Vitori Balili, por edhe Paron e Petrit Lulon, që kanë qenë dhe janë idhujt e mi në muzikën popillore. Gjithashtu dhe Ylli Baka, sepse jam rritur me këngët e tij dhe e kam një mik shumë të mirë.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Xhuljo Hamataj: Kam katër projekte muzikore që do t’i nxjerr së afërmi, me tematika të ndryshme. Kryesisht kam prekur tematikën e kurbetit më shumë, ngaqë jetoj dhe vetë herë pas here në Greqi, dhe e ndjej mallin e Shqipërisë. ku gjej veten aty për të transmetuar diçka të tillë tek shqiptarët. 

Xhuljo Hamataj ne interviste per CMG

Xhuljo Hamataj ne interviste per CMG

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Xhuljo Hamataj: Përshëndes të gjithë fansat e mi dhe dëgjuesit e këngës popullore. Jetë dhe shëndet ju dhëntë Zoti, qofshi gjithmonë të gëzuar dhe me muzikë. Nuk ka gjë më të bukur sesa të dëgjosh muzikë popullore.

Intervistoi: Gazmend Agaj