Të enjten, Kina dhe Hungaria vendosën të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe në një "partneritet të gjithanshëm strategjik për epokën e re".
Ky vendim u njoftua gjatë bisedimeve mes Presidentit të Kinës Xi Jinping dhe Kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban.
Të dy udhëheqësit janë të mendimit se ky vendim do të përcaktojë të ardhmen e zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Hungari.Gjithashtu do të forcojë më tej bashkëpunimin dypalësh, duke krijuar një të ardhme më të mirë për të dy popujt.
Sipas “Raportit të Investimeve të Bashkëpunimit Kinë-Hungari”, në vitin 2023, vëllimi tregtar dypalësh arriti në 14.52 miliardë dollarë, duke u rritur 73% në krahasim me vitin 2013. Njëkohësisht, investimet e Kinës në Hungari arritën në 7.6 miliardë euro në vitin 2023, duke zënë 58% të investimeve të përgjithshme të huaja në Hungari.
Hungaria është vendi i parë evropian që nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kinën për nismën "Një brez, një rrugë". Vitet e fundit, kjo nismë është bashkuar ngushtë me strategjinë e Hungarisë për hapjen drejt Lindjes Bashkëpunimi dypalësh në fushën e tregtisë, investimeve dhe financave është forcuar më tej.
Foto nga CFP
Në dhjetor të vitit të kaluar, prodhuesi kinez i automjeteve elektrike BYD, njoftoi ndërtimin në Hungari të fabrikës së tij të parë të automjeteve me energji të re në Evropë. Ministri i Jashtëm dhe Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijjarto, e përshkroi këtë si "një nga investimet më të rëndësishme në historinë ekonomike të Hungarisë".
Gjatë bisedimeve, presidenti Xi Jinping i tha kryeministrit Viktor Orban se modernizimi i Kinës do t'u sjellë më shumë mundësi vendeve të ndryshme, përfshirë Hungarinë. Ai mirëprit Hungarinë të jetë partnerja e Kinës, në rrugën e saj drejt modernizimit.
Xi Jinping theksoi se lidhja mes njerëzve është një burim i pafund force për marrëdhëniet Kinë-Hungari. Ai shtoi se sa më shumë shkëmbime të ketë mes popujve, aq më të forta do të jenë themelet e miqësisë dypalëshe.
Shkëmbimet dhe vizitat e ndërsjella mes dy vendeve janë rritur pandërprerje. Fluturimet javore direkte të pasagjerëve arrijnë në shifra dyshifrore. Masat për të lehtësuar udhëtimet në dy vendet, kanë pasur rezultate frytdhënëse.
Viktor Orban theksoi se zhvillimi i Kinës, është më shumë një mundësi për Evropën sesa një rrezik. Ai dhe tha se pala hungareze nuk e pranon të ashtuquajturën "mbikapacitet" ose "heqje të rreziqeve".
“Vendosmëria e Hungarisë për thellimin e bashkëpunimit me Kinën, është e palëkundur. Ajo nuk do të ndikohet nga asnjë forcë”, tha Viktor Orban. (Fani)