Xi Jinping-u zhvillon bisedime me kryeministrin hungarez Orban
2024-05-10 02:37:04

Në pasditen e së enjtes sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Kryeministri në Budapest.

Foto: CMG

Foto: CMG

Udhëheqësit e të dy vendeve deklaruan së bashku ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat në epokën e re.

Xi Jinping-u vuri në dukje se aktualisht marrëdhëniet kino-hungareze gjenden në periudhën më të mirë në histori. Partneriteti i gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Hungarisë ka ruajtur një nivel të lartë zhvillimi, besimi i ndërsjellë politik ndërmjet të dy vendeve ka vazhduar të thellohet dhe bashkëpunimi dypalësh në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të frytshme, duke krijuar një model për krijimin e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Hungarisë, u shpreh Xi, duke theksuar që zhvillimi i këtyre marrëdhënieve ka sjellë mundësi të reja dhe të rëndësishme. Të dy vendet duhet të vazhdojnë të jenë miq të mirë me besim të ndërsjellë dhe që e ndihmojnë njëri-tjetrin, si edhe partnerë të mirë me bashkëpunim me leverdi të ndërsjellë. Ato duhet ta shfrytëzojnë krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat në epokën e re si një pikënisje të re për shtimin e forcave të reja në bashkëpunimin dypalësh dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të bukur për të dy popujt.

Xi Jinping-u u shpreh më tej se pala kineze e vlerëson ndjekjen afatgjatë dhe të vendosur nga pala hungareze të politikave miqësore ndaj Kinës dhe mbështetjen e saj të qartë e të palëkundur mbi çështjet që lidhen me Tajvanin, Hong-Kongun dhe të drejtat e njeriut. Kina mbështet fuqishëm Hungarinë në ndjekjen e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të saj kombëtare dhe është e gatshme të konsolidojë besimin e ndërsjellë politik me Hungarinë, të forcojë shkëmbimet midis dy qeverive, organeve ligjvënëse dhe partive politike, duke vijuar mbështetjen me vendosmëri ndaj interesave thelbësore dhe shqetësimeve kryesore të njëri-tjetrit. Modernizimi i stilit kinez do të sjellë patjetër më shumë mundësi për vendet e mbarë botës, përfshirë Hungarinë, dhe Hungaria është e mirëpritur të bëhet një bashkudhëtare në rrugën e Kinës gjatë modernizimit të stilit kinez.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Presidenti Xi u shpreh në vijim që Kina është e gatshme të punojë me Hungarinë për të forcuar integrimin e strategjive të zhvillimit, të përdorë si duhet mekanizmat si Komiteti Ndërqeveritar i Bashkëpunimit për "Një brez, një rrugë" Kinë-Hungari etj., për të çuar përpara bashkëpunimin në infrastrukturë, energjinë e gjelbër etj., duke përfunduar sipas planit ndërtimin e hekurudhës Hungari-Serbi, si dhe duke zgjeruar në mënyrë aktive bashkëpunimin në fushat e reja, si energjia e pastër dhe inteligjenca artificiale.

Xi Jinping-u tha se në fillim të vitit të kaluar, ai iu përgjigj nxënësve të një shkolle dygjuhëshe hungarisht-kinezisht në një letër, duke i inkurajuar të rinjtë e të dy vendeve që të trashëgojnë dhe zhvillojnë së bashku miqësinë kino-hungareze. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të mbështesin mësimin e gjuhëve të njëra-tjetrës dhe të forcojnë shkëmbimet njerëzore e kulturore. Kina është e gatshme të forcojë komunikimin dhe koordinimin shumëpalësh me Hungarinë, për të promovuar multipolarizimin e barabartë e të rregullt botëror dhe globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës, si edhe për të mbrojtur drejtësinë e barazinë ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin e qeverisjes globale në një mënyrë të drejtë e të arsyeshme dhe duke bërë përpjekje për ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta për njerëzimin.

Xi vuri në dukje gjithashtu se Evropa është një pol i rëndësishëm në botën multipolare dhe një partnere e rëndësishme në realizimin e modernizimit të stilit kinez. Ai shprehu shpresën se Hungaria, si presidente e radhës e BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, do të luajë një rol aktiv në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE. Bashkëpunimi  midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka  një forcë të madhe të brendshme rritjeje, u shpreh kreu i shtetit i Kinës, duke shpresuar se pala hungareze do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm për ta nxitur këtë bashkëpunim, në shërbim të shtimit të mirëqenies së të dy popujve.

Nga ana e tij, kryeministri hungarez Orban u shpreh se ai e mirëpret ngrohtësisht vizitën shtetërore të presidentit Xi Jinping në Hungari. “Unë e mbaj ende mend vizitën tuaj në Hungari 15 vjet më parë dhe jam shumë i lumtur që vendet tona dhe marrëdhëniet hungarezo-kineze kanë bërë përparim të madh në 15 vitet e fundit. Suksesi i marrëdhënieve Hungari-Kinë dëshmon se vendet e mëdha dhe të vogla mund ta respektojnë njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë për përfitim reciprok. Vizita juaj tregon edhe një herë miqësinë e thellë dhe potencialin e madh midis Hungarisë dhe Kinës, dhe ka një rëndësi të madhe historike për marrëdhëniet Hungari-Kinë. Ne shpallim së bashku se do t’i ngremë marrëdhëniet hungarezo-kineze në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat në epokën e re, duke përcaktuar kursin për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve Hungari-Kinë. Kam plotësisht besim në perspektivat e marrëdhënieve hungarezo-kineze,” vuri në dukje kryeministri i Hungarisë.

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Orban tha gjithashtu se Hungaria nuk do ta harrojë mbështetjen në kohë dhe të çmuar të Kinës kur ka qenë në vështirësi dhe do të vazhdojë të jetë "mik i hekurt" i Kinës, do ta mbështesë Kinën në mbrojtjen e interesave të saj thelbësore dhe të drejtave të ligjshme, dhe do t'i përmbahet, ashtu si edhe në të kaluarën, parimit të “Një Kine”. Nisma “Një brez, një rrugë”, ku Hungaria dhe Kina janë vende bashkëndërtuese, ka arritur sukses të madh, duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar jetesën e njerëzve në Hungari. Hungaria shpreson të vazhdojë të punojë me Kinën për të promovuar bashkëpunimin në projekte infrastrukturore në shkallë të gjerë, si hekurudha Hungari-Serbi, në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë", të forcojë bashkëpunimin në ekonomi, tregti, energjitë e reja dhe fusha të tjera, si edhe mirëpret më shumë kompani kineze për të investuar dhe bashkëpunuar në Hungari. Hungaria nuk pajtohet me të ashtuquajturit "mbikapacitet" ose "çrrezikim". Vendosmëria e Hungarisë për të thelluar bashkëpunimin me Kinën është e palëkundur dhe nuk pranon ndërhyrjen nga asnjë forcë. Hungaria mbështet serinë e nismave globale të propozuara nga presidenti Xi Jinping dhe vlerëson rolin e rëndësishëm të Kinës në promovimin e paqes botërore. Zhvillimi i Kinës është më shumë mundësi sesa rrezik për Evropën, vijoi më tej Orban, duke shtuar se Hungaria është e gatshme të forcojë komunikimin dhe koordinimin shumëpalësh me Kinën për të mbrojtur së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë botërore. Si vend që mban presidencën e radhës të BE-së në gjysmën e dytë të vitit, Hungaria është e gatshme të bëjë përpjekje aktive për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve BE-Kinë dhe bashkëpunimin midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Kinës.

Udhëheqësit e dy vendeve patën një shkëmbim të thelluar mendimesh edhe për krizën në Ukrainë. Xi Jinping theksoi se Kina ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të promovuar paqen e bisedimet dhe është e gatshme të vazhdojë të punojë me palët përkatëse për të bërë përpjekje aktive për të arritur paqen sa më parë.

Pas bisedimeve, liderët e të dy vendeve dëshmuan bashkërisht shkëmbimin e një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh në fushat e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë", ekonomisë dhe tregtisë, investimeve, shkencës dhe teknologjisë, kulturës, bujqësisë etj.

Udhëheqësit e të dy vendeve u takuan edhe me gazetarët.

Të dy palët publikuan "Deklaratën e përbashkët për krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat në epokën e re ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Hungarisë" dhe një listë të dokumenteve të rezultateve të vizitës.

Në aktivitetet e mësipërme morën pjesë edhe Cai Qi, Wang Yi dhe të tjerë.