Nxënësit në orën e mësimit
2024-05-10 09:29:56

Foto nga Edblog

Foto nga Edblog

Arsimi në ditët e sotme është një sfidë, që kërkon qasje e riqasje për të gjetur rrugët më adekuate për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj që do ta kenë në dorë fatin e vendit të tyre, por dhe më gjerë.  Mësimdhënia niset përherë në drejtim të progresit,  me zhvillim profesional të mësimdhënësve, duke rritur cilësinë në fushën e arsimit.

Mësuesit çdo ditë e më tepër  po përballen me vështirësi nga më të ndryshmet si mos përkushtimi i nxënësve, duke qenë ëë pavëmendshëm në klasë, si dhe probleme nga më të ndryshmet. Në lidhje me këtë temë, një mësuese me eksperiencë rreth 20 vjeçare në arsim dhe punonjësja sociale Loreta Kruja ndajnë  opinionet e tyre  për Radio Ejani.

CMG: Sa të përkushtuar janë nxënësit sot gjatë orëve të mësimit?

Mësuese: Përkushtimi i nxënësve gjatë orëve të mësimit përgjatë gjithë vitit shkollor është shumë i rëndësishëm, pasi përkthehet në rezultate shumë të mira për ata. Këto rezultate do i ndihmojnë që të hyjnë në degën që ata kërkojnë në universitet dhe në bazë të kësaj dege ata do të ndërtojnë të ardhmen e tyre, pra përkushtimi është baraz me të ardhmen e nxënësve. Por ky përkushtim shpeshherë nuk është në nivelin e duhur, pasi siç dihet ne jetojmë në epokën e teknologjisë. Teknologjia është bërë një shpëtues vëmendjeje shumë i madh ndaj orëve të mësimit, por ndaj të gjitha aktiviteteve në të cilat angazhoheshin më përpara nxënësit.

CMG: Në rastin tuaj apo kolegëve, a kërkojnë mësuesit ndihmën e psikologëve apo punonjësve socialë?

Mësuese: Marrëdhënia e tyre me librat nuk është aq e rëndësishme sa është marrëdhënia me telefonat. Bota e teknologjisë, bota e internetit, i ka bërë nxënësit që të jetojnë në një botë jo reale, duke u shkaktuar edhe probleme në marrëdhënie me shokët dhe shoqet e klasës. Problemet e brendshme të tyre, shkaktojnë mospërqëndrimin dhe mospërkushtimin e tyre maksimal gjatë orëve të mësimit. Për këto mosmarrveshje shpeshherë në klasën time kam kërkuar ndërhyrjen e psikologëve apo punonjësve socialë.

Loreta Kruja -Punonjëse sociale (Foto personale)

Loreta Kruja -Punonjëse sociale (Foto personale)

-Nxënësit në shkollë përjetojnë qasje nga më të ndryshmet nga mësues të ndryshëm. Gjatë orëve mësimore me disa mësues krijohet atmosferë bashkëpunuese, por në disa orë mësimi ka mungësë bashkëpunimi mësues-nxënës. A kërkojnë mësuesit ndihmën e psikologëve apo punonjësve socialë në klasat e tyre? Për të na treguar më tepër për situata të tilla, ka dhënë opinion e saj për Radio Ejani, punonjësja sociale Loreta Kruja.

CMG: Loreta, ju si punonjëse-sociale si mendoni, sa të përkushtuar janë nxënësit sot gjatë orëve të mësimit?

Loreta Kruja: Më vjen mirë që vjen në fokus është rëndësia e nxënësve dhe fëmijëve tanë njëkohësisht. Është mirë të diskutohen këto tema se nxënësit tanë dhe dëshirën e tyre për mësimnxënie. Është e vërtetë që nxënësit sepse kanë një lloj përqëndrimi më të ulët gjatë orës së mësimit dhe vëmendja e tyre është në nivele më të ulta, pasi kemi shtime të rasteve të fëmijëve hiperaktivë dhe jo vetëm, marrë parasysh edhe studimet që kemi bërë si shërbim psiko-social në mjediset e shkollës. Kemi raste të fëmijëve me probleme të spektrit të autizmit, të hiperaktivitetit dhe ne shikojmë që fëmijët kanë një lloj përqëndrimi dhe vëmendje më të ulët gjatë orës së mësimit, jo vetëm për shkak të këtyre problematikave, por për shkak se edhe në mjedisin e shkollës sot, nuk ka masa të disiplinimit të nxënësve. Që do të thotë se nxënësit i njohin shumë mirë të drejtat e tyre, por kanë harruar të respektojnë detyrat brenda mjedisit të shkollës. Një mësues me një numër të konsiderueshëm nxënësish dhe me një ngarkesë të madhe mësimore, duhet të mbajë të gjithë fokusin dhe përqëndrimin e nxënësve në orën e mësimit, çka e bën të vështirë. Shtoj këtu faktin e shtimit të nxënësve me problematika.

Foto nga Banter Speech & Language

Foto nga Banter Speech & Language

CMG: Ju si punonjëse sociale, çfarë mendoni se i bën të pavëmendshëm nxënësit sot?

Loreta Kruja: Është e vërtetë që sot vëmendja është më  e ulët, shto edhe faktin e numrit të lartë të nxënësve, kjo e bën më të vështirë orën e mësimit. Do të ishte mirë që mësuesit të kërkonin bashkëpunimin e shërbimit psiko-social apo mbështejen e psikologut të shkollës përkatëse.

CMG: A e kërkojnë mësuesit ndihmën e psikologëve apo punonjësve socialë kur ka raste me problematika?

Loreta Kruja: Për të qenë e sinqertë, me aq sa jam unë në dijeni, mësuesit nuk e  bëjnë këtë gjë, nuk e di arsyen, por mendoj se duan që problematikat të mbeten brenda klasës e nuk duan që t’i kalojnë këto problematika në shërbimin psiko-social të shkollës, e më tej të shkojnë tek drejtuesi i shkollës. Mendojnë se në këtë mënyrë mund të kenë më pak telashe, më pak problematika,  duke mbetur brenda mjedisit të klasës mes mësuesve dhe nxënësve. Në të vërtetë mësuesi e ka detyrim ligjor që ta referoj problematikën tek punonjësi psiko-social, apo psikologu i shkollës. Kjo në fakt është  e vështirë, por gjithsesi ne shpresojmë se do ndryshojë sepse po bëhet një lobim shumë i mirë, i këtyre shërbimeve psiko-sociale nëpër shkolla.

Foto nga Alami

Foto nga Alami

CMG: A janë të shpeshta rastet ? Cila është zgjidhja?

Loreta Kruja: Në fakt është ky binomi, mësues, mësues -ndihmës, , drejtuesi i shkollës, referimi i problematikave te drejtuesi i shërbimit psiko-social të shkollës dhe jo vetëm por edhe në ZVAP (Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar), nëse problematika është më  e madhe, gjithashtu që do të ishte një bashkëpunim shumë i mirë edhe me prindërit. Nëse mësuesi i klasës bën identifikimin e problematikave, që fëmija nuk është i vëmendshëm, që nuk respekton mësuesit, që nuk e dëgjon, e nuk ka përkushtim gjatë mësimnxënies  e orarit mësimor, mësuesja duhet të njoftojë padiskutim prindin. Prindi është një element dhe një trinom shumë i rëndësishëm, mësues-prind-shërbimi psiko social i shkollës. E nëse këto hallka funksionojnë shumë mirë, sigurisht që procesi mësimnxënës dhe mësimdhënës gjithashtu, do të kishin një marrëdhënie shumë të mirë. Por duke qenë se në shumicën e rasteve nuk i përcjellin problematikat tek prindi, më pas mësuesi e ka më të vështirë për të menaxhuar orën e mësimit. Prandaj unë theksoj se do të ishte një zgjidhje shumë e mirë, që edhe brenda sistemit arsimor të vendoseshin disa masa disiplinuese për nxënësit e pasjellshëm, të pavëmendshëm, të padisiplinuar, në bashkëpunim me mësuesen e klasës, me mësuesen lëndore, mësuesen kujdestare, shërbimin psiko-social, drejtuesin e shkollës dhe sigurisht në bashkëpunim me prindin. Në këtë mënyrë ne do të kemi harmoni, mësimdhënie më të mirë dhe mësimnxënës shumë herë më të mirë dhe një shërbim psiko-social më të fuqizuar, e që do të kishte vendin e merituar në sistemin arsimor. Në këtë rast roli kyç është edhe roli i prindit që do e bënte të rëndësishëm këtë bashkëpunim, që të dëgjohej edhe roli i prindit dhe këshillat e tij. Kështu do të kemi nxënës më të edukuar, nxënës më të sjellshëm dhe nxënës që e duan më shumë arsimin.

Foto nga Linkedin

Foto nga Linkedin

-Mësuesi, zë një rol shumë të rëndësishëm në formimin e nxënësve, për zhvillimin e tyre dhe për t’u bërë qytetarë të denjë në të ardhmen.

Profesioni i mësuesisë sa fisnik, aq edhe i vështirë, sidomos në kohët që po jetojmë. Mësuesit me aftësinë e tyre menaxhojnë suksesshëm emocionet e fëmijëve në mënyrë mbështetëse, duke  ndihmuar nxënësit e duke i nxitur dhe motivuar për të ecur përpara.  Por fëmijët sot kanë lirinë e të shprehurit, ndryshe nga e kaluara. Sot figura e mësuesi nuk është thjeshtë një figurë autoritare, por një figurë drejtuese dhe mbështetëse për zhvillimin e tyre. Është mënyra e bashkëpunimit mësues -nxënës,  bashkëangazhimi gjatë procesit mësimor, një filozofi për krijimin e marrëdhënieve në grup, që të arrihet përvoja e suksesshme në klasë, një proces edukues, që bashkon interesat e të gjitha palëve. Puna në grup sjell ndryshime pozitive, për të mbajtur gjallë interesimin e nxënësve gjatë orës së mësimit. Një mënyrë e mirë që nxënësit të arrijnë një nivel të lartë të vetëbesimit në biseda me shoqërinë brenda dhe jashtë klasës, në familje, etj. Tashmë që jemi në fund të vitit shkollor 2023- 2024, ne urojmë që të mbyllet me sukses edhe ky vit shkollor dhe t’u jepet zgjidhje problematikave të tilla.

Intervistoi: Sava Lena