Linja hekurudhore me shpejtësi të lartë Budapest-Beograd rikthehet në binarë
2024-05-09 11:44:58

Puna e shtrimit të binarëve të linjës hekurudhore Budapest-Beograd ka rifilluar. Kjo është pjesë e projektit të ndërtimit të infrastrukturës në Europë, i cili po financohet nga nisma e Kinës “Një brez, një rrugë”.

Ndërtimi i linjës hekurudhore Budapest-Beograd arriti në një moment të ri historik, kur u përurua pjesa nga Novi Sadi deri në Suboticë të Serbisë. Tani qeveria hungareze po planifikon ti japë një shtysë ndërtimit, për ta përfunduar atë deri në vitin 2025.

Ky është një lajm i mirë, pasi ndërtimi u ndal në shtator të vitit 2023. Një nga kërkesat kryesore për projektin është që të sigurohet udhëtimi i sigurt i trenave me shpejtësi deri në 160 kilometra në orë. Për ta arritur këtë objektiv, linja duhet të përputhet me sistemin e sigurisë të standardizuar të BE, i njohur si Sistemi Europian i Kontrollit të Trenit.

Lajmi që ndërtimi ka rifilluar, mund të jetë një shenjë se këto probleme janë zgjidhur.

Në vitin 2014, qeveria hungareze vendosi për ndërtimin e linjës hekurudhore Budapest-Beograd. Marrëveshja e hollësishme u arrit me qeveritë kineze e serbe në vitin 2015. Kontrata e ndërtimit u nënshkrua zyrtarisht në vitin 2019.

Ky projekt ka për qëllim të përmirësojë rrugën 350 kilometra të gjatë mes dy kryeqyteteve, duke i lidhur ato me një tjetër projekt të “Një brez, një rrugë”, Portin e Pireut. Kjo linjë do të shkurtojë kohën e udhëtimit mes Beogradit e Budapestit në rreth 2 orë e 40 minuta.

Drejtori politik i kryeministrit hungarez Viktor Orban, Balazs Orban, tha për CGTN se kjo linjë hekurudhore është një rikthim i rrugës së lashtë tregtare.

"Ky është treni i parë me shpejtësi të lartë në rajon, i cili udhëton pikërisht në rrugën tradicionale tregtare mes Lindjes e Perëndimit. Mendoj se projekti do të ketë një ndikim shumë të rëndësishëm në rajon”, shtoi ai.

Linja hekurudhore pritet të bëhet një qendër logjistike e mallrave kineze. Hungaria u shpreh se projekti fillimisht ishte planifikuar të vihej në përdorim verën 2026, por tani do të përfundojë para afatit. Budapesti tashmë po shikon mundësitë e ardhshme bashkëpunuese me Kinën.

“Ne do ta përfundojmë ndërtimin në një vit. Po kërkojmë mundësi të reja për projekte të tjera të infrastrukturës, hekurudhave, autostradave, qendrave logjistike etj. Kina ka njohuri të larta në këto fusha,” tha Orban.

Investimet në këtë projekt ndërtimi janë rreth 2.8 miliardë dollarë, nga ku 85% prej tyre vijnë nga kredia kineze. Ndërkohë fondet e mbetura jepen nga qeveria hungareze. (Fani)