Menaxhimi i ujërave, rruga që duhet ndjekur për t’u bërë pjesë e familjes europiane
2024-05-09 09:55:40

Menaxhimi i ujit (Foto Monitor)

Menaxhimi i ujit (Foto Monitor)

Menaxhimi i ujërave në vend është një prej kushteve të Bashkimit Evropian, sa i takon rrugës që duhet të ndjekë Shqipëria për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Në takimin e organizuar me fokus Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore Zv.Kryeministrja Belinda Balluku tha se ky projekt do të ndiqet me rigorozitet nga Shqipëria, ndaj nevojitet edhe asistenca nga vendet e Bashkimit Evropian. Shqipëria sfidën e madhe nuk e ka te hartimi i ligjeve dhe projekteve, por te zbatimi i tyre në terren, ndaj duhet asistenca e huaj.  Ndotja e ujit nga kimikatet dhe mbetjet e hedhura në përrenj, lumenj, liqene apo dete është fatkeqësisht një kërcënim real për rezervat ujore të Shqipërisë. 

“Realisht unë shikoj se tashmë maturia e kërkesave të vendit tonë dhe maturia e stafeve që janë duke punuar me këto kërkesa ka arritur një nivel të konsiderueshëm që vlerësohet edhe nga Bashkimi Europian, ashtu siç ndodhi dhe më të gjitha stafet e qeverisë shqiptare që përfaqësuan vendin tonë gjatë procesit të screening, duke marrë një raport të shkëlqyer për performancën e tyre, për përgatitjen dhe për angazhimin. Unë dua që t’i siguroj të gjithë partnerët që janë sot këtu, të cilët na kanë mbështetur si në mënyrë financiare, ashtu dhe nga ana teknike që do të kemi të njëjtin angazhim dhe të gjitha stafet të cilat do të punojnë për realizimin e këtij programi, pasi është më shumë se një projekt, do të kenë të njëjtin angazhim siç ne kemi pasur gjatë periudhës së screening për të treguar profesionalizëm dhe për të treguar padyshim që ekipet shqiptare janë gati për të përthithur këtë eksperiencë dhe ekspertizë të vyer.”- tha Balluku.

Strategjia kërkon përfshirje nga mbrojtja e lumenjve e derit tek menaxhimi i duhur i përdorimit të ujit.

“Bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Europian dhe të gjitha vendet e tjera anëtare është një kyç suksesi për të forcuar sektorët tonë, sidomos një sektor kaq vital, por nga ana tjetër edhe thelbësor siç është sektori i ujit. Duke përfshirë këtu nga mbrojtja e lumenjve tek mbrojtja e burimeve natyrore, tek mënyra e përdorimit të tyre me efiçencë, pasi sot jemi edhe para debateve që ndërkohë që jemi duke ndërtuar një ujësjellës në zonën e Himarës kemi një debat të hapur përsa i përket burimit nga ky ujësjellës do të furnizohet. Pra, sot flasim për çështje esenciale që kanë të bëjnë me detyrimin tonë si qeveri për të ofruar shërbime që kur vjen puna tek uji janë shërbime bazike dhe është e drejtë e çdo qytetari që të marrë sasinë e parashikuar pikërisht nga ligjet e Bashkimit Europian të ujit të pijshëm.”- u shpreh Balluku.

Kjo nismë e çon në nivel tjetër përpjekjen e qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

“Por nga ana tjetër, pavarësisht kësaj nevoje dhe detyrimit të shtetit për ta ofruar ne jemi dhe shumë të kujdesshëm se cilat janë këto burime që do të disponohen për t’u përdorur edhe për këto synime kaq të vyera, siç është shërbimi ndaj qytetarëve. Kështu që kjo tregon një shkallë të lartë të sensitivitetit të Qeverisë Shqiptare dhe të institucioneve dhe padyshim programi EU4Rivers vjen në momentin e duhur. Vjen në momentin e duhur atëherë kur shteti tonë do t’i duhet që të përafrojë një sërë ligjesh për t’i sjellë në të njëjtin nivel me ato të Bashkimit Europian, kur ne na duhet që të bëjmë një ri inxhinerim të të gjitha proceseve, qofshin këto proceset e analizës, proceset e ‘safety assessment’ që ne bëjmë për çdo lloj burimi dhe deri tek ato procese të cilat do të vendosin të gjithë këtë pasqyrë të madhe të trajtimit dhe të mbrojtjes së ujërave në një nivel tjetër teknik dhe ligjor.”- tha Balluku.

Zbatimi i ligjit kërkon përfshirjen e një sërë aktorëve që të realizohet siç duhet.

“Deri tani fokusi ynë padyshim ka qenë në përafrimin e legjislacionit, por tashmë një sfidë e madhe do të jetë zbatimi i tij, pasi kryeministri e përsërit shpesh, që ne kemi ligje të mira, por çalojmë në zbatimin e tyre, në përkthimin e tyre në terren, sesi ato do të gjejnë mundësi për tu zbatuar nga të gjitha njësitë, jo vetëm nga Ministritë, por deri në nivelin e pushtetit vendor. E gjitha kjo është një sfidë e madhe dhe padyshim që perspektiva europiane e menaxhimit të burimeve ujore është ngushtësisht e varur nga suksesi i këtij projekti”

Zv,kryeministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Infrastruktures dhe Energjise)

Zv,kryeministrja Belinda Balluku (Foto Ministria e Infrastruktures dhe Energjise)

Projekti përcakton qartë detyrat mes donatorëve.

“Qeveria Shqiptare sot shpreh angazhimin e saj maksimal për një bashkëpunim sa më të mirë dhe për të marrë nga ky projekt aq sa do të munden stafet tona, por që ne i vlerësojmë të përgatitura në një shkallë shumë të mirë profesionale. Nga ana tjetër, duhet thënë që ky është një projekt i mirëdizenjuar me disa shkallë ndërhyrje, me detyra të qarta të ndara midis donatorëve që do të ofrojnë eksperiencën e tyre dhe mbështetjen financiare dhe midis përfituesit që në këtë rast është Qeveria Shqiptare përmes gjithë institucioneve të saj. Ndaj planifikimi strategjik dhe financiar i këtij projekti, i cili pritet të realizohet nëpërmjet një mbështetje të fuqishme që sot merr jetë, përfshin dhe një sërë instrumentesh që do të na ndihmojnë në pikën e dobët që sipas meje është gjithmonë zbatimi.”

Qeveria po miraton edhe dy ligje që i vijnë në ndihmë nismës për strategjinë e menaxhimit të ujërave.

“Ne jemi të mirë për të shkruar. Jemi të mirë për t’i aprovuar ato ligje, por zbatimi është një sfidë e jashtëzakonshme para nesh dhe unë këto do gjeja rastin që t’ju kërkoja të gjithë partnerëve tanë që të na ndihmojnë edhe në këtë fazë të rëndësishme. Gjatë vitit 2024 janë miratuar në parlament dhe pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt dy ligje të rëndësishme që është Ligji për burimet ujore dhe Ligji për strategjinë e mbrojtjes së mjedisit detar duke shprehur dhe një herë vullnetin e qeverisë dhe të parlamentit shqiptar për të përmbushur detyrimet dhe angazhimet e marra gjatë procesit të integrimit europian dhe duke theksuar se cilësia e ujit është një nga nënkapitujt më të rëndësishëm të Kapitullit 27.”- tha Balluku.

Ndërkohë Qeveria Shqiptare në fund të vitit 2023 ka miratuar tre plane menaxhimi të baseneve lumore, që përfaqësojnë zonën më intensive ekonomike-sociale të vendit.

“ Është një sfidë shumë e madhe për një qeveri dhe unë shpresoj që partnerët të na kuptojnë, pasi progresi i tyre ka qenë një progres i qetë dhe linear. Ndërkohë që progresi i Shqipërisë është një progres me rritje ekspansionale. Nëse në vitin 2019, si viti i fundit normal para pandemisë, ne flisnim për një numër vizitorësh pak më shumë se 2 milionë, vetëm në 5 vite dhe duke pasur ato dy vitet e tmerrshme të mbylljes totale dhe globale, kini parasysh që ne presim gjatë këtij viti 14 milionë turistë, të cilët janë tashmë të konfirmuar, pra ka mundësi që ky projeksion i yni të ndryshojë në rritje. Mund të imagjinoni se çfarë ndodh kur ju vetë jeni në shtëpi dhe keni ftuar për darkë 4 veta dhe ju shfaqen në derë 10. As karriget për t’u ulur nuk janë të disponueshme apo jo? Në ndërkohë që nga 2 milionë e gjysmë në dyert tona do të shfaqen 14 milionë vizitorë, të cilët janë plotësisht të mirëpritur.  Pasi nëse dimë një gjë të bëjmë mirë ne shqiptarët është të mikpresim. Zoti na ka dhënë një art të jashtëzakonshëm bujarie që shqiptarët edhe kur nuk janë të përgatitur dhe nuk i kanë të gjitha ato zahire që duhet arrijnë që ta mbushin tryezën plotë sepse e mbushin me shpirt dhe me bujari.”- tha Balluku.

Balluku thotë se qeveria ka kërkuar ndihmën e privatit në betejën me menaxhimin e ujërave.

Ujesjelles( Foto Revista Monitor)

Ujesjelles( Foto Revista Monitor)

“Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim përmes një akti normativ në fillim të këtij viti që të kërkojë ndihmën e të gjithë subjekteve tregtare që operojnë sot në fushën e turizmit për të mbrojtur ujërat larës të Republikës së Shqipërisë, pasi është produkti i cili ne ofrojmë për turizmin. Një nga produktet, përveç maleve të larta, të gjithë atyre rrugëtimeve interesante në malet tona, përveç fushave dhe korieve, ujërat tonë larës janë ato që e bëjnë Shqipërinë tonë të veçantë. Liqenet, lumenjtë, Vjosa, i fundit lumë i egër në Europë dhe padyshim bregdeti shqiptar në të cilin në atë gjatësi, jo fort të madhe për vendet e mëdha europiane, shtrihen dy dete, ai Adriatik me rërën e butë dhe ai i Jonit me thellësinë e kaltër epike, që kur ti del në Llogara dhe kur të dilni sivjet në 30 qershor nga tuneli i Llogarasë, do të jetë akoma dhe më mbresëlënëse.”

Ballkani Perëndimor po përballet me sfida të shumta në këtë sektor, pasi rajoni duhet të zgjerojë shtrirjen e shërbimeve të ujit dhe kanalizimeve, duke përshtatur infrastrukturën e tij ujore me standardet e BE-së. Këto procese duhet të shoqërohen dhe me përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike, pasi ndryshimet ekstreme të motit po ndikojnë në burimet ujore, duke rezultuar madje edhe në mungesë uji në disa zona. Në një artikull për Revistën Monitor Lilyana Pavlova, Zëvendëspresidentja e Bankës Europiane të Investimeve, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor ka thënë se mungesa e ujit prek pothuajse gjysmën e popullsisë së botës për të paktën një muaj çdo vit. Një në tre persona në mbarë botën nuk disponojnë ende shërbime minimale sanitare.Deri në vitin 2025, dy të tretat e popullsisë së botës mund të përballen me mungesë të ujit, ndërsa kërkesa globale për ujë do të tejkalojë furnizimin e qëndrueshëm me 40% deri në vitin 2030. Situata është përkeqësuar dhe më tej nga ndryshimet klimatike dhe projeksionet e popullsisë në të ardhmen, duke e bërë ujin një nga burimet më të vlefshme të ditëve të sotme, me ndikim në cilësinë e jetës sonë, shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe punësimin.