Kapitull i ri në bashkëpunimin Kinë-Europë
2024-05-09 22:00:05

Gjatë vizitës së tij në Francë, Serbi dhe Hungari presidenti kinez Xi Jinping përcolli mesazhin e hapjes dhe gjithëpërfshirjes së tregut kinez për Europën. Në bisedimet mes kreut të shtetit të Kinës dhe liderëve europianë si  dhe në takimin trepalësh me presidentin Macron dhe presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, u shpreh angazhimi për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës me interes dhe përfitim të ndërsjellë ekonomik, duke ndikuar në stabilitetin politik dhe sigurinë globale. Analisti Bardhi Sejdarasi komenton turin europian të presidentit kinez në Francë, Serbi dhe Hungari.

Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës(Foto:CMG)

CMG: Kreu i shtetit i Kinës si ndalesë të parë të turit të tij europian pati Francën. Në 60 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve, vizita e presidentit Xi pritet të hapë mundësi të reja bashkëpunimi me Francën. Deklarata të përbashkëta të promovimit të zhvillimit dhe sigurisë së inteligjencës artificiale, për shtimin e bashkëpunimit  në bujqësi e ushqim, përballimi i ndryshimeve klimatike dhe biodiversiteti ishin në qendër të bisedimeve dypalëshe. Komenti juaj për ndikimin e kësaj vizite të presidentit kinez në forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve me Francën

Bardhi Sejdarasi:Sigurisht vizita e liderit të shtetit të dytë në botë përsa i përket peshës që ka është me interes të ndiqet. Pas 5 vjetësh presidenti kinez vjen në Francë, në Europë në një situate të re, e cila sikundër e komentojnë dhe shumica e agjencive të lajmeve, por dhe institucione që veçanërisht merren dhe vëzhgojnë marrëdhëniet ekonomike midis shteteve, është një vizitë e rëndësishme jo vetëm për mesazhet që dha, por për zgjedhjen diplomatike që shteti kinez bëri për të qenë në Francë kjo vizitë dhe më pas në Serbi dhe Hungari, duke pasur parasysh dhe marrëdhëniet që këto vende kanë me njeri-tjetrin

Franca kërkoi një bashkëpunim të mire dhe presidenti Xi iu përgjigj pozitivisht. Nëse shikoni se cilat ishin rezultatet konkrete të vizitës, ka një sërë marrëveshjesh shumë interesante, të cilat kanë befasuar dhe një pjesë të mire të njerëzve. Për shembull kompania franceze e energjisë Sorano, një ndër kompanitë më të njohura ka bërë një marrëveshje shumë interesante që lidhet me bateritë. Kur flasim për makinat elektrike dhe për tregun dypalësh, bateritë janë pjesa kryesore. Të njejtën gjë ka bërë dhe Gjermania që tentoi të mbronte kompanitë e veta që sot prodhojnë me miliona makina.

Po ashtu një kompani e madhe shtetërore kineze për katodat dhe bateritë, e cila realizoi dhe nënshkroi një marrëveshje. Grupi francez   Fires ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi shumë interesant për të sjellë produkte që i kërkon tregu. Ka gjithashtu debate lidhur me kompaninë franceze të menaxhimit të ujit Suez, që merret me riciklimin e baterive. Të dy shtetet e kanë nevojën e bashkëpunimit, jo vetëm biznesi shtetëror kinez, por dhe ai francez. Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar midis presidentëve kinez dhe francez i zgjidhi këto probleme.

CMG: Sa i përket kompanive shtetërore të mëdha Kina dhe Franca kanë ngjashmëri, ndaj dhe shkëmbimet mes tyre janë gjithmonë e më të mundshme.

Foto:Xinhua

Xi Jinping takohet me homologun francez Emanuel Macron, 6 maj 2024, Paris, Francë(Foto:Xinhua)

Bardhi Sejdarasi: Në fillim kishte tensione mes palëve sa i përket barrierave të vendosura për mjetet elektrike, apo dhe të konjakut francez dhe Kina reagoi ndaj tarifave shtesë. Ndërkohë do të përmendja grupin francez të ndërtimit Talstrom, që punon kudo në  botë ka nënshkruar kontratë për furnizimin e sistemit të tërheqjes elektrike në metrotë e Pekinit dhe në dy qytete të tjera kineze. Interesi ekonomik, i cili në fund të fundit shprehet dhe në deklaratat politike të liderëve, siç ishte ky takim i nivelit të lartë  sigurisht që ndikon. Këtu mund të përmend forumet ekonomike që u zhvilluar në Francë dhe Hungari, ku bizneset paten mundësinë e takimeve “B to B”. Politika është ajo që shtrin shinat për të realizuar bashkëpunimet.

CMG: Sigurisht, edhe ky tur kishte aspektin e vet politik dhe diplomatik sepse jetojmë në një realitet të trazuar siç janë dy vatrat e konfliktit në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Këto çeshtje ishin në vemendjen e takimeve të presidentit kinez me homologët e tij europianë.  Vizita në Francë e presidentit Xi ishte dhe një pikëtakimi e rëndësishme për marrëdhëniet midis Kinës dhe BE-së. Takimi trepalësh Xi, Macron dhe von der Leyen në Paris duket se ka  sjellë një frymë të re bashkëpunimi, pavarësisht dallimeve. Presidenti Xi propozoi që të dyja palët të zhvillojnë një takim të ri të liderëve Kinë-BE, si dhe një dialog të nivelit të lartë mbi strategjinë, ekonominë, tregtinë, zhvillimin e gjelbër dhe digjital, duke ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm dhe të besueshëm në zinxhirin industrial dhe të furnizimit. Mendoni se po shkohet në një nivel të ri të bashkëpunimit Kinë-BE ?

Bardhi Sejdarasi: Deklarimet në takimin trepalësh, ku presidenti Macron tha se BE ka tregun më të hapur dhe ne duhet ta mbrojmë atë dhe nga ana tjetër përgjigja e presidentit Xi, i cili tha se jemi plotësisht  dakord të realizojmë marrëdhëniet dhe të fillojmë të punojmë për këto marrëdhënie.

Ndërkohë më 3 maj është publikuar një raport shumë interesant i një grupi ekspertësh të njohur që bëjnë analizën e problemeve komplekse veçanërisht në fushën ekonomike dhe mjedisore. Raporti titullohet “Bashkëpunimi Kinë-BE për mjedisin dhe klimën dhe perspektiva”. Këto janë tema shumë të mprehta tani.

CMG: Po prevalon shumë biodiversiteti dhe ndryshimet klimatike.

Foto:VCG

Temperatura e lartë godet Italinë, Turino, Gusht 2023(Foto:VCG)

Bardhi Sejdarasi: Sepse po e prekin botën jashtë mase dhe janë me ndikim dhe në ekonominë e këtyre vendeve. Kjo është dhe arsyeja që ky grup ekspertësh që kanë hartuar këtë raport specifik që lidhet me Republikën Popullore të Kinës dhe Bashkimin Europian. Në raport janë përmendur 5 parime dhe të gjitha problemet janë sot në procesin e zgjidhjes, duke qenë pjesë e debatit politik, siç ishte dhe tavolina trepalëshe.

Duke i analizuar në hollësi këto çështje shtetet vendosin të ndjekin rrugën e tyre dhe për këtë përmenda pjesën e tregut të hapur dhe konkurrencës. Kur ka barriera në mes shtetet dhe ekonomitë pengohen, ndërsa kur tregtia, importet dhe eksportet janë të sinqerta sigurisht që zgjidhja e problemeve vjen në mënyrë të menjëhershme.

Gjykoj se në takimin trepalësh midis dy presidentëve dhe presidentes së Komisionit Europian janë trajtuar probleme që lidheshin me tensionet e viteve të fundit dhe me mënyrën se si shtetet kërkojnë që t’i zgjidhin ato.

CMG: Vizita e presidentit kinez në Serbi dhe Hungari shënon gjithashtu një kapitull të ri në  bashkëpunimin e tyre. Serbia është partnerja e parë e tregtisë së lirë e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Hungaria, një vend i BE-së  është një destinacion kryesor i investimeve kineze dhe partner i rëndësishëm tregtar i Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore. Edhe me Hungarinë Kina ka një bashkëpunim intensive, bazuar në nismën kineze “Një brez, një rrugë”, të shprehur me projektet infrastrukturore dhe shkëmbime në fusha të tjera. Kjo vizitë a do të ndikojë sipas jush në avancimin e marrëdhënieve mes tyre?

Bardhi Sejdarasi: Ishte një togfjalësh që më bëri përshtypje për ata që e ndoqën nga afër takimin, fjala e presidentit Xi ndaj homologut serb, kur tha se “miqësia midis dy vendeve është e çeliktë”. Bëhet fjalë për një bashkëpunim të hershëm dhe të thellë dypalësh. Investimet kineze në Serbi e bëjnë këtë vend lider dhe vetëm këtë muaj përfunduan punimet prej 1.6 miliardë dollarësh për një gjatësi prej 108 km të hekurudhës që lidh Serbinë me Hungarinë.

Foto:VCG

Një fabrikë e prodhimit të baterive të kompanisë kineze CATL në Hungari, Maj 2024(Foto:VCG)

Gjithashtu ka patur një investim shumë interesant të qeverisë kineze në portin e Pireut nëpërmjet kompanisë Cosco, ku magjistralet kryesore që do të furnizojnë me eksportet kineze shtetet europiane, por dhe të Ballkanit Perëndimor. Duke u nisur nga porti i Pireut ato shkojnë nëpërmjet këtyre hekurudhave, ku njëra prej tyre është kjo që lidh Serbinë me Hungarinë. Gjithashtu ka dhe investime të tjera të rëndësishme. Aktualisht kompanitë kineze në Serbi kanë potencial të plotë sidomos në minerale, ndër to është një minierë e rëndësishme e çelikut ku vazhdon të punohet.

E njëjta gjë ndodh dhe me Hungarinë ku sot flitet se shkon kompania lider në tregun kinez e makinave elektrike BYD.

CMG: Vërehet dhe një interesim i kompanive hungareze për të hyrë në tregun kinez

Bardhi Sejdarasi:  Investime të kësaj natyre si dhe ngritja së shpejti e një fabrike që lidhet me prodhimin e makinave elektrike në Europë dhe duke i hapur në 27 vendet e BE-së e bën më atraktive atë industri në të cilën sot Kina është lider, vendi i pare në botë i kësaj teknologjie. Kjo është arsyeja që një pjesë e mire e sipërmarrësve kërkojnë të kapin pjesëza të caktuara të këtij tregu, siç përmenda katodat, bateritë etj., të cilat mbyllin zinxhirin e investimeve që sjellin një produkt të gatshëm.

Prandaj vizita të tilla priten me interes. Tendencat e ekonomive të shteteve në përgjithësi janë shumëdimensionale dhe zhvillohen në të gjithë sektorët, të cilët nëse konvergojnë me njeri-tjetrin janë vlerë e shtuar. Sot edhe kompani shqiptare të interesuara për makinat elektrike kanë hyrë në treg dhe kërkojnë elementë të caktuar të tyre, siç është karikimi apo elemente të tjerë.

Të tilla takime dhe nisma që sjellin në tavolinë liderë botërorë me potencialin e shteteve të tyre ndihmojnë ekonomitë e këtyre vendeve dhe të rajonit.

Intervistoi Eda Merepeza

 

-