Ai mësoi të luante piano në moshën 3-vjeçare, dha recitalin e tij të parë në moshën 6-vjeçare. Ndërsa në moshën 9-vjeçare u bë pianisti më i ri që ka nënshkruar kontratë me kompaninë ndërkombëtare, EMI Classics. Që atëherë, ai ka publikuar nëntë albume. Zhang Shengliang,(Xhen Shën lian) i cili njihet më shumë me emrin e tij të skenës, Niu Niu, shpesh përshkruhet si një fëmijë mrekulli. Ai lindi në një familje muzikantësh në Xiamen(Shiamen), provincën Fujian(Fuxhian), 27 vjet më parë.
“Mund t’u them njerëzve që kam 20 vite përvojë si pianist”, thotë ai duke qeshur.
China Daily
Por ai është ende duke hapur shtigje të reja muzikore. Më 26 prill, pianisti publikoi albumin e tij të fundit, Tchaikovsky: Piano Concerto No 1 and Symphony No 6.
Ai u regjistrua në bashkëpunim me Orkestrën Filarmonike të Hong Kongut dhe drejtorin e saj artistik, dirigjentin Jaap van Zweden. Regjistrimi u prodhua dhe projektua nga Phil Rowlands dhe u prezantua nga Decca Records nën Universal Music Group.
Është regjistrimi i parë i drejtpërdrejtë i Niu Niu dhe përmban performancat e tij me orkestrën e Hong Kongut më 16 dhe 17 dhjetor 2022.
"Në përvojën time të mëparshme në krijimin e albumeve, zakonisht rrija vetëm në studio dhe i regjistroja pjesët me ndihmën e inxhinierëve të zërit dhe producentëve. Për këtë regjistrim të koncertit live, nuk dija çfarë të prisja. Isha nervoz dhe i emocionuar. “ thotë Niu Niu, i cili u trajnua në Konservatorin e Muzikës në Shangai dhe më pas me një bursë të plotë në Shkollën Juilliard në Nju Jork, nga e cila u diplomua në vitin 2018.
"Në sallën e koncerteve kishte rreth 2000 spektatorë. Sapo fillova të luaja pjesën muzikore, harrova regjistrimin dhe u zhyta plotësisht në botën time," thotë ai.
"Pas koncertit të parë, mezi prisja të dëgjoja regjistrimin. Ishte i mrekullueshëm për shkak të audiencës. Më dukej sikur po flisja me ta përmes interpretimit muzikor, në vend që të flisja me ajrin kur bëja regjistrimet vetëm në studio”.
Niu Niu luajti Koncertin nr 1 të Çajkovskit për Piano kur ishte fëmijë. Mbi 10 vjet më parë, ai luajti pjesën muzikore me Orkestrën Filarmonike të Shangait nën drejtimin e dirigjentit Tang Muhai. Në vitin 2015, ai luajti të njëjtën pjesë gjatë bashkëpunimit të tij të parë me Orkestrën Filarmonike të Hong Kongut. Këtë muaj, ai do të nisë një turne në Japoni për të promovuar këtë album të ri, duke performuar në Osaka dhe Tokio.
Atij i pëlqen puna dhe veçanërisht sekuenca e akordeve me të cilat pianisti nis lëvizjen e parë të pjesës. Atij i pëlqen gjithashtu solo simpatike e flautit që prezanton një melodi pianoje në pjesën e dytë, e cila i lejon pianistit të vendoset në shkëmbime më të thella me orkestrën.
"Pjesa muzikore është e matur mirë me gjithë atë melodi, emocion dhe dramë. Është një koncert piano i preferuar për shumë pianistë, përfshirë edhe mua," thotë Niu Niu. "Kur isha më i ri, u përqendrova në shfaqjen e aftësive, por tani dua të shkoj më thellë dhe të jap më shumë informacion rreth pjesës muzikore, si ngrohtësia dhe bujaria."
Maestro Van Zweden, i cili punoi për herë të parë me pianistin gjatë koncerteve në vitin 2022, thotë: "Më bëri përshtypje pasioni, krijimi i muzikës dhe përkushtimi i tij. Mënyra se si ai e interpretoi kryeveprën e Çajkovskit rrëmbeu vërtet shpirtin e muzikës. Ishte një mundësi e mrekullueshme për të përzier talentin e Niu Niu me tingujt e veçantë të orkestrës në këtë kryevepër, duke krijuar një performancë të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme.
China Daily
Albumi i fundit i Niu Niu përmban gjithashtu simfoninë e gjashtë të Çajkovskit, e regjistruar drejtpërdrejt nga Orkestra Filarmonike e Hong Kongut, e drejtuar nga Van Zweden. Pjesa, e cila njihet edhe si Simfonia Patetike, është e fundit nga gjashtë simfonitë me numra të Çajkovskit. Ajo karakterizohet nga emocione të ndryshme dhe energji.
Dirigjenti thotë gjithashtu se, krahasuar me regjistrimet në studio, regjistrimet live mund të ndihmojnë në përcjelljen e emocioneve të një koncerti live te dëgjuesit.
"Regjistrimet e drejtpërdrejta kapin akustikën e veçantë të sallës së koncerteve. Tingulli organik dhe i veçantë i një shfaqjeje live shton magjinë e përvojës," thotë dirigjenti.
Për dekadën e fundit, Niu Niu ka ruajtur zakonin e rishikimit të performancave të tij, duke dëgjuar regjistrime dhe duke parë video. Është një mënyrë, thotë ai, për të qenë objektiv për muzikën e tij dhe rrjedhimisht për të përparuar.
“Gjithashtu meditoj çdo natë, gjë që më ofron momente vetmie të mëdha dhe më ndihmon të ngadalësoj dhe të përqendrohem te vetja”, shton Niu Niu.
Edhe pse i trajnuar në mënyrë klasike, Niu Niu nuk është i kënaqur të mbetet vetëm një pianist koncerti. Gjatë pandemisë, ai duhej të kalonte më shumë kohë në shtëpi dhe të hynte më thellë në përmbajtje.
Në vitin 2021, ai publikoi albumin, Faith and Hope, duke përfshirë pjesën, Hope, që ai kishte kompozuar gjatë pandemisë.
Menjëherë pas publikimit të Faith and Hope, ai filloi punën në albumin Lifetime. Ai zgjodhi 17 pjesë të shkurtra nga 17 kompozitorë nga e gjithë bota për të shprehur 17 ndjenja, si gëzimi, zemërimi, urrejtja dhe pikëllimi. Ai përfshiu rregullimin e tij të himnit të mirënjohur të krishterë, Amazing Grace. Lifetime përmban gjithashtu pjesën kompozicionale të Niu Niu, Impromptu No 2 Miss, të cilën ai ia kushtoi një miku që vdiq gjatë pandemisë.
“Kompozimi i veprave të mia më mundëson të kuptoj më mirë kompozitorët dhe gjithashtu të shpreh më mirë kuptimin e pjesëve të kompozitorëve të tjerë”, thotë Niu Niu.
Vitin e kaluar, pianisti pati një ceremoni të vogël në qytetin e tij, Xiamen(Shiamen), për të shënuar 20 vjetorin e karrierës së tij muzikore. Në të vërtetë, ai nuk njeh thirrje tjetër përveçse të luajë piano.
Muzikanti thotë se ka përjetuar një periudhë kohore gjatë viteve të kolegjit kur ndihej shumë nervoz për performancën në skenë. Tani, thotë ai, ndihet shumë i vendosur dhe i sigurt kur performon.
"Unë po përdor pianon për të bërë muzikë. Përdor duart dhe 10 gishtat e mi për të punuar me 88 tastet në piano për të ndarë ndjenja të ndryshme me njerëzit që dëgjojnë muzikën time," thotë ai.
"Kjo është ajo që do të thotë të jesh muzikant për mua tani."