Impakti ekonomik i vizitës së presidentit kinez në Europë
2024-05-09 15:30:24

Më datën 6 maj, Presidenti i Kinës Xi Jinping, në udhëtimin e tij të kësaj jave në Evropë, takoi në Paris Presidenten e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Z. Eduard Gjokutaj në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës(Foto:CMG)

Ky ishte një takim i rëndësishëm për ecurinë e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Kinës dhe 28 Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian.

Në vitin 2023, Kina ishte eksportuesja më e madhe e mallrave në Bashkimin Evropian, me 20.5 përqind të totalit të importeve të BE-së. Për Bashkimin Evropian, Kina përbën tregun e tretë më të madh në botë për eksportet e tij, me 8.8 përqind të totalit në vitin 2023.

Vetëm për vitin 2022, eksportet kineze në BE arritën në 626 miliardë euro, ndërsa eksportet e Bashkimin Evropian në Kinë kapën shifrën e 230 miliardë eurove. Zëri i parë i eksporteve të Kinës në BE janë pajisjet e telekomunikacionit, të ndjekura nga makinat dhe aparatet elektrike, si dhe makinat e përpunimit automatik të të dhënave. Shitjet e automjeteve kineze në Evropë, sidomos atyre tërësisht elektrike, u rritën me 36.7 përqind më shumë në vitin 2023, në krahasim me vitin 2022.

Jo vetëm në nivel të shkëmbimeve tregtare, por edhe të investimeve në teknologji të avancuar, Kina përbën sot një treg kyç për shumë prej kompanive më të mëdha evropiane, veçanërisht në tregun e automobilave.

Kina është po ashtu edhe një treg kryesor i gjigantëve francezë të prodhimit të automjeteve, por edhe të produkteve kimike, atyre mjekësore, të kozmetikës, etj.

Në mbështetje të përfitimit të ndërsjellë, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-Francë vijoi të zgjerohej gjatë vitit 2023. Tregtia e dyanshme midis Kinës dhe Francës arriti vitin e kaluar në 78.9 miliardë dollarë.

Foto:Xinhua

Takim i liderëve Kinë-Francë-BE(Foto:Xinhua)

Gjatë tri ditëve të qëndrimit të Presidentit kinez Xi në Francë më 5-7 maj, Kina dhe Franca nënshkruan 18 marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet agjencive qeveritare. Këto marrëveshje mbulojnë fusha si aviacioni, bujqësia, shkëmbimet mes njerëzve, zhvillimi i gjelbër dhe bashkëpunimi i SME-ve.

Kina do të hapë më tej sektorin e shërbimeve, duke përfshirë shërbimet e telekomunikacionit dhe ato mjekësore, për të krijuar më shumë mundësi për kompanitë nga Franca, Evropa dhe më gjerë.

Si Presidenti kinez Xi, ashtu dhe Presidenti francez Macron, por edhe liderët e Hungarisë dhe Serbisë, theksuan në takimet e zhvilluara se Kina dhe Evropa janë dy forca kryesore në ndërtimin e një bote shumëpolare, dy tregje të mëdha që promovojnë globalizimin, si dhe dy qytetërime themelore të botës, që mbrojnë diversitetin kulturor.

Marrëdhëniet Kinë-Evropë janë vendimtare për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e globit. Presidenti kinez dhe drejtuesit evropianë u angazhuan të përcaktojnë gjithmonë marrëdhëniet Kinë-Evropë si një partneritet strategjik gjithëpërfshirës, me një interes dhe përfitim të jashtëzakonshëm ekonomik, por edhe politik dhe të garantimit të sigurisë në botë.

Vizita e Presidentit të Kinës Xi Jinping në Evropë këtë javë, dha një sinjal të qartë dhe të fuqishëm se tregu i Kinës është i hapur dhe gjithëpërfshirës. Kina kërkon arritje të ndërsjella dhe bashkëpunim të favorshëm ekonomik dhe jo vetëm, me Francën, BE-në dhe të gjithë Evropën. Eduard Gjokutaj, ekspert pranë AlTax komenton për Grupin Mediatik të Kinës turin europian të presidentit kinez Xi dhe rëndësinë e takimeve dy dhe trepalëshe në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kinë-Europë

CMG: Më datat 5-10 maj 2024, Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi një vizitë disaditore në Evropë. Më datën 6 maj 2024, ai takoi në Paris Presidenten e Komisionit të Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Francës Emmanuel Macron. Sa e rëndësishme ishte kjo vizitë, në perspektivën e intensifikimit dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Kinës, 28 Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian dhe Evropës në tërësi?

Foto:VCG

Foto:VCG

Eduard Gjokutaj: Kjo vizitë vjen në kuadrin e një marrëdhënieje, e cila, pas 5 vitesh rikthimi në Europë të Presidentit Xi Jinping, ka një thellim të  përçarjeve,  të mosmarrëveshjeve që kryesisht nuk kanë  të bëjnë vetëm me natyrën tregtare dhe ekonomike, por edhe me pjesën politike dhe gjeopolitike.

Pas konfliktit Rusi-Ukrainë, ku Kina, edhe pse ka mbajtur një qëndrim neutral, ku ka thënë që “as e kemi krijuar ne këtë luftë, as nuk jemi mbështetës të saj”, nga ana e tij, Bashkimi Evropian mban një qëndrim të distancuar në këtë drejtim. Kjo natyrisht që ndikon edhe në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike mes të dyja palëve.

Zonja Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, merr pjesë natyrshëm në takimet në Paris, pasi, përveç pjesës së ekzekutivit të Bashkimit Evropian që ajo drejton, znj. Von der Leyen ka një iniciativë të kryesuar prej saj, lidhur me atë që se si duhet të trajtohet mbiprodhimi kinez.

Prodhimet kineze po hyjnë gjithmonë e më shumë në tregjet europiane, për shkak të cilësisë së lartë dhe çmimeve të tyre të përballueshme, që vijnë nga një politikë mbështetëse e qeverisë kineze.

Thënë gjithë këtë, si dhe duke parë se si liderët europianë duan të sillen ndaj  Kinës, thënë me gjuhën e kancelarisë gjermane, pasi Kina nuk është pjesë e asaj që konsiderohet për siguri ekonomike, por është përfitim ekonomik.

Qëndrimi gjerman shpjegon se ne nuk mund dhe nuk kemi pse të ruhemi nga Kina, pasi kjo e fundit ka hyrë thellë në marrëdhënie ekonomike me Europën.

Foto:VCG

Pikënisje e një trenit të mallrave Kinë-Europë në qytetin Zhengzhou të Kinës Qendrore(Foto:VCG)

Shumë vende europiane kanë investuar në vite, në raportet me Kinën. Dhe e gjitha kjo nuk mund të jetë një politikë që mund të burojë vetëm nga ato që i dikton momenti.

CMG: Ndërkohë, me qëndrimin disaditor në Evropë, Presidenti Xi përcolli një mesazh të fuqishëm të dëshirës dhe gatishmërisë së Kinës për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Evropën. Sa e ndihmon kjo vizitë një qasje më të hapur në treg, në shkëmbimet ekonomike dhe tregtare Evropë-Kinë?  

 

Eduard Gjokutaj: Besoj që Kina ka një marrëdhënie të tillë me Europën, për shkak të investimeve që kanë ardhur, sidomos në shumicën e vendeve europiane, për teknologjinë e fotovoltaikëve dhe asaj eolike.

Kjo teknologji vjen nga energjia e pastër, njëlloj si nga turbinat e erës. Produktet kineze janë në industrinë mjekësore, si dhe në teknologjinë e komunikimit.

Dhe ajo çfarë u mirëprit tashmë nga Gjermania, përsa i përket teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, lidhet me operatorin më të madh që ka Kina, kompaninë Huawei, e cila do të investojë më shumë në Gjermani.

Dhe kjo është mirëpritur në këtë drejtim, në lokomotivën e industrisë evropiane, në Gjermani, përsa i përket telekomunikacionit.

Nga ana tjetër, lëvizjet që kanë të bëjnë me aspektin e nismave mjedisore, për  të cilat Kina angazhohet dhe është besnike e tregtisë ndërkombëtare të lirë, por edhe të asaj se si zinxhirët e  furnizimit, të cilët janë prishur deri diku nga konflikti Rusi- Ukraine, por edhe nga konfliktet e tjera, si ato në Lindjen e Mesme, të cilat, edhe ato, ndikojnë në zinxhirët e furnizimit, natyrshëm që Kina i gjen ato hapësira dhe kjo vizitë lidhet me këtë.

Foto:VCG

Një anije transporti kineze të COSCO-s në portin e Hamburgut, Gjermani(Foto:VCG)

CMG: Zëri i parë i eksporteve të Kinës në BE dhe Evropë janë pajisjet e telekomunikacionit, të ndjekura nga makinat dhe aparatet elektrike, si dhe makinat e përpunimit automatik të të dhënave. Sa ndikuese janë këto mallra dhe shërbime në rritjen ekonomike të Evropës? Po të rajonit tonë?

 

Eduard Gjokutaj: Besoj që eksporti i automjeteve elektrike kineze po arrin deri në një të katërtën e sasive të automjeteve të shitura, për ta tejkaluar këtë gjatë këtij viti 2024, por edhe për atë që konsiderohet si avancim i Kinës, për pajisjet mjekësore, të energjisë së gjelbër, etj.

Të gjitha këto investime së bashku të Kinës, të cilat janë pjesë e industrive dhe e tregtisë europiane, natyrshëm që ndikojnë. Edhe tregtia online që industria kineze arrin të përçojë tek konsumatorët europianë.

Natyrshëm që Kina është tregues për pjesë të industrisë, që tregojnë që, përmes kësaj vizite, të gjitha duhet të marrin tjetër frymë.

Kina, nëpërmjet ndikimeve, pikërisht ka zgjedhur Francën, që ka pozicion dominues dhe efektiv me vendet e BE-së.

Dhe Franca e luan këtë rol më së miri, ashtu sikurse tha në fjalën e tij të fundit, gjatë takimeve, Presidenti francez Makron, i cili ka bërë apel Europës.

E gjitha kjo vjen nga një lider që bën histori në Europë, dhe e ka konsideruar  konfliktin Rusi-Ukrainë, por edhe konfliktin në Lindjen e Mesme, si një temë të rëndësishme, që e ka diskutuar me Presidentin Xi.

Të gjitha këto duhen parë, edhe në respekt të asaj që duan të krijojnë këta drejtues, një  marrëdhënie më të ngrohtë, për sa i përket politikës.

CMG: Sikurse edhe ju e përmendët më lart, një stacion tjetër i vizitës së Xi në Evropë, ishin edhe takimet në dy vende partnere të Kinës, në Serbi dhe Hungari, ku kapitali kinez shtetëror dhe privat është mjaft i pranishëm me investimet cilësore të tij në infrastrukturë, etj. Si i komentoni këto takime?  

 

Foto:VCG

Foto:VCG

Eduard Gjokutaj: Hungaria dhe Serbia janë vende besnike të marrëdhënieve me Kinën, që i konsideron në atë pjesën kufitare europiane, por edhe me vendet  e Azisë.

Dhe natyrshëm, në Serbi llogaritet që janë investuar nga Kina 2 miliardë euro dhe vetë Serbia e mirëpret kapitalin kinez, në aspektin e thellimit të marrëdhënieve, duke garantuar që Serbia të kthehet në partnerin kryesor në Ballkanin Perëndimor.

Të stimulojë, jo vetëm atë investim të hekurudhave me trenin e shpejtë Beograd-Budapest, por dhe të kthehet në një pikë lidhëse, duke filluar nga porti i Pireut

Nga ana tjetër, edhe Hungaria mbetet një vend i cili është besnik dhe ka rritje të pranisë së kapitalit nga Kina, nëpërmjet investimeve të energjisë, teknologjisë, etj.

CMG: Kina, me importet e saj, është kthyer në partnerin  e dytë tregtar të Shqipërisë. A ndikon kjo vizitë në ecurinë më të mirë të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-Shqipëri?

Eduard Gjokutaj: Mendoj që marrëdhëniet tona ekonomike më shumë do të marrin nxitje nga ridimensionimi i marrëdhënieve të Kinës me Bashkimin Evropian.

Kjo, pasi pozicioni ynë pak ndikim, pak influencë ka, në krahasim me Serbinë apo edhe Hungarinë. Në momentin  që vetë Europa e Bashkuar po kërkon të thyejë akujt që janë krijuar deri më sot, është hapur një kuti me shumë elementë. Dhe në këtë kuti, edhe Shqipëria do të gjejë veten, për të ripërmasuar në zgjerim marrëdhëniet e saj ekonomike dhe tregtare me Kinën.

 

Intervistoi Fatos Çoçoli