Foto nga CFP
Gjatë bisedimeve të hënën mes presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit francez Emmanuel Macron në Paris, të dy palët publikuan një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit mbi biodiversitetin e oqeanet.
Në deklaratë thuhet se Kina dhe Franca ritheksojnë përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e ekosistemeve detare dhe bregdetare. Kina organizoi me sukses Konferencën e 15-të të Palëve Nënshkruese të Konventës për Biodiversitetin (COP15), ku u miratua Korniza Globale e Biodiversitetit Kunming-Montreal. Kjo kornizë përcaktoi objektivat për mbrojtjen efektive të të paktën 30 % të tokës, të zonave të brendshme ujore, të zonave detare e bregdetare deri në vitin 2030 dhe restaurimin e të paktën 30 % të ekosistemeve të degraduara tokësore, të ekosistemeve të brendshme ujore, të zonave detare e bregdetare.
Franca do të vazhdojë rrugën e përcaktuar në COP15 dhe do të organizojë së bashku me Kosta-Rikën Konferencën për Oqeanet të OKB-së në qershor të vitit 2025.
Kina e Franca planifikojnë të ndërmarrin veprime sipas konventave ndërkombëtare të miratuara, duke përfshirë “Konventën për ligjin detar të OKB-së”, “Konventën kornizë për ndryshimin e klimës të OKB-së”, “Marrëveshjen e Parisit”, “Konventën për biodiversitetin” etj.
Të dy vendet e njohin rëndësinë e “Marrëveshjes për mirëmbajtjen dhe përdorimin e vazhdueshëm të biodiversitetit detar jashtë zonave në juridiksionin e shteteve” (BBNJ) dhe e konsiderojnë atë si një nga shtyllat për sistemimin ndërkombëtar të oqeaneve.
1 Mirëmbajtja, mbrojtja dhe restaurimi i biodiversitetit detar e bregdetar për të promovuar multilateralizmin mjedisor
Kina dhe Franca ritheksojnë premtimet e bëra në Montreal në dhjetor të vitit 2022, domethënë mbrojtja efektive e të paktën 30 % të tokës, të zonave të brendshme ujore, të zonave detare e bregdetare deri në vitin 2030 dhe restaurimi i të paktën 30% të ekosistemeve të degraduara tokësore, të ekosistemeve të brendshme ujore, e të zonave detare e bregdetare.
Të dy vendet do të forcojnë bashkëpunimin mes agjencive kombëtare për mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e biodiversitetit detar e bregdetar.
2 Lufta kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar
Të dy vendet premtojnë të luftojnë kundër peshkimit të paligjshëm, të paraportuar e të parregulluar, duke e promovuar këtë qëndrim në organizatat ndërkombëtare përkatëse.
Kina dhe Franca i përkrahin përpjekjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe FAO-s për këtë çështje.
3 Parandalimi dhe sistemimi i ndotjes
Të dy vendet premtojnë të parandalojnë e pakësojnë ndotjen, qoftë ndotjen kimike, plastike apo të llojeve të tjera. Të dy vendet do t’i kushtojnë rëndësi veçanërisht pakësimit të ndikimit negativ të ndotjes mbi biodiversitetin oqeanik e bregdetar.
Kina dhe Franca do të punojnë për zhdukjen e ndotjes plastike dhe premtojnë se do të promovojnë aktivisht pakësimin dhe ndalimin e prodhimit e të konsumit të plastikës.
4 Financimi për Objektivin 14 të Zhvillimit të Vazhdueshëm
Të dy vendet e pranojnë mungesën e fondeve për arritjen e Objektivit 14 të Zhvillimit të Vazhdueshëm dhe për mbrojtjen e biodiversitetit dhe ritheksojnë që do të forcojnë vullnetin e përbashkët për arritjen e gjithanshme të këtij objektivi para fundit të vitit 2025.
Sipas “Konventës për biodiversitetin”, të dy vendet do të promovojnë shtimin e fondeve për mbrojtjen e biodiversitetit.
5 Zhvillimi i njohurive shkencore oqeanike
Kina dhe Franca e përkrahin “Nismën e OKB-së për promovimin e dekadës së zhvillimit të vazhdueshëm të shkencës oqeanike” dhe besojnë se shkenca e teknologjia oqeanike kanë rëndësi të madhe për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit oqeanik e bregdetar. Të dy vendet do të forcojnë shkëmbimet njerëzore në bashkëpunimin shkencor.
6 Gjelbërimi i transportit detar
Transporti detar zë mbi 80 % të vëllimit të përgjithshëm të transportit global të mallrave, duke lëshuar 2.89 % të gazit serrë global. Prandaj të dy vendet shpresojnë të zhvillojnë bashkëpunim për ngritjen e efikasitetit energjetik të anijeve e porteve dhe për tranzicionin e energjisë.
7 Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë blu
Të dy vendet e pranojnë që detet e bregdetet janë baza kryesore e ekonomisë globale. Parashikohet se deri në vitin 2030, vlera e ekonomisë blu do të arrijë në 3 trilionë dollarë. Të dy vendet theksojnë që do të zhvillojnë aktivitete ekonomike lidhur me zonat detare e bregdetare dhe respektimin e mjedisit. Në këtë fushë, të dy vendet planifikojnë të zhvillojnë bashkëpunim për turizmin bregdetar. (Fani)