Kinë-BE drejt forcimit të bashkëpunimit
2024-05-08 14:51:41

Presidenti Xi Jinping prej së dielën po zhvillon turin europian gjashtë-ditor. Duke vizituar tre vende europiane, Francën, Serbinë dhe Hungarinë, në takimet mes kreut të shtetit të Kinës dhe homologëve të tij, pritet që të arrihet një qasje e re në forcimin e  marrëdhënieve jo vetëm midis Kinës dhe këtyre vendeve, por  dhe Kinës dhe BE-së, si dhe të menaxhohen më mirë dallimet. Në intervistë për Radio Ejani Dr. Enriko Ceko komenton këto vizita dhe ndikimin e pritshëm të tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Europës

CMG: Presidenti kinez Xi po zhvillon një tur europian 6 ditor dhe stacioni i tij i parë i saj është Franca, për të vijuar më pas me vizitat në Serbi dhe Hungari. Ky tur është dhe i pari jashtë vendit i tij. Cili është komenti juaj për vizitën në Francë të kreut të shtetit të Kinës, duke patur parasysh që Franca është partneri i tretë tregtar më i madh i Kinës në BE dhe Kina partneri më i madh tregtar i Francës në Azi.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Dr. Enriko Ceko: Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme jo vetëm për marrëdhëniet Kinë-Francë, por edhe për marrëdhëniet midis Kinës dhe BE-së, gjithashtu duke patur parasysh dhe qasjen që ka Kina në marrëdhëniet ndërkombëtare, në kuadër të transnacionalizmit dhe të një politike të jashtme moderne të një vendi të madh, të një populli të madh, i cili gjithmonë e më shumë po vendos fjalët dhe veprimet e tij në agjendën  ndërkombëtare. Këto veprime, jo vetëm për momentin, por dhe në të ardhmen do të hedhin piketat e zhvillimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Vizita e presidentit të Kinës Xi Jinping në Francë vjen në një moment shumë të përshtatshëm për marrëdhëniet midis Kinës dhe BE-së në kuadër të shtyllave të Bashkimit Europian për 20 vitet që vijnë, që janë marrëveshja e gjelbër, digjitalizimi dhe gjithëpërfshirja, të cilat pothuajse ecin paralel me objektivat e qeverisë kineze për zhvillimin e vendit.

Edhe Kina ka një qasje të drejtë dhe pothuajse paralele me BE-në në kuadër të reduktimit të emetimit të dyoksidit të karbonit, me investimet kolosale që bëhen në fushën e digjitalizimit jo vetëm brenda këtij vendi, sepse Kina po ndihmon dhe vendet e tjera të vogla dhe të pazhvilluara që të futen në rrugën e digjitalizimit, që të mos krijohet hapësira digjitale që nuk i intereson askujt.

Franca është eksportuesi i dytë më i madh në botë i produkteve bujqësore dhe ushqimore, por njëkohësisht është dhe importues i madh i teknologjive. Në këtë kuadër duhen parë ngushtë marrëdhëniet Kinë-Francë. Nga ana tjetër Franca ka një model ekonomik, që afrohet shumë me modelin ekonomik të Kinës, kur bëhet fjalë për korporatat, sepse kompanitë më të mëdha në Francë janë me kapital shtetëtor. Pikërisht këtu ngjan me korporatat e mëdha kineze, të cilat kanë një pjesë të madhe të kapitalit shtetëror. Mendoj se në të ardhmen kompanitë e mëdha franceze dhe ato kineze do të gjejnë ura bashkëpunimi, jo vetëm për shkak të kapitalit të tyre, që e kanë një pjesë shtetëror, por dhe për shkak të objektivave që kanë vetë këto shtete. Franca dhe Kina kanë objektiva që mund t’i përqasin shumë mirë në biznes.

CMG: 7000 kompani franceze operojnë në Kinë. Gjithashtu, bashkëpunimi mes dy palëve në ekologji dhe teknologji digjitale është duke u thelluar, por ka dhe bashkëpunim në hapësirën ajrore dhe shkëmbime të rëndësishme tregtare. Sa pritet të ndikojë kjo vizitë e kreut të shtetit të Kinës në rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare?

Dr. Enriko Ceko: Fakti që 7 mijë kompani franceze operojnë në Kinë është një tregues shumë i rëndësishëm jo thjesht për Kinën që pret investimet e huaja, por është një aspekt pozitiv për ekonominë franceze, e cila deri në vitet 80-90-të të shekullit të kaluar ka patur probleme me diversifikimin e ekonomisë si dhe me gjetjen e lëndëve të para dhe kosto të larta të prodhimit.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Duket që Franca ka gjetur një derë të hapur te ekonomia kineze për të reduktuar kostot, për të prodhuar me cilësi sepse fuqia punëtore kineze është e mirëarsimuar, në mënyrë që edhe kompanitë franceze duhe prodhuar në Kinë të jenë konkurrente në tregun ndërkombëtar. Bizneset e të dy vendeve kanë çfarë të mësojnë nga njeri-tjetri. Përshembull kompanitë kineze kanë një qasje shumë interesante ndaj inovacionit dhe standardeve, ndërkohë që bizneset franceze kanë një qasje shumë të mirë ndaj aspektit financiar dhe menaxhimit financiar. Ndaj francezët mund të mësojnë nga kompanitë kineze lidhur me inovacionin, krijueshmërinë dhe aplikimin e standardeve, ndërsa kompanitë kineze mund të marrin përvojën e kompanive franceze në fushën e menaxhimit financiar.  

CMG: Në takimin trepalësh në Paris mes presidentit kinez Xi, homologut të tij francez Emanuel Makron dhe  Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kreu i shtetit i Kinës propozoi që të dyja palët të zhvillojnë një takim të ri të liderëve Kinë-BE, si dhe një dialog të nivelit të lartë mbi strategjinë, ekonominë, tregtinë, zhvillimin e gjelbër dhe digjital, duke ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm dhe të besueshëm në zinxhirin industrial dhe të furnizimit. Presidenti Macron nënvizoi se Franca dhe BE-ja duhet të forcojnë bashkëpunimin me Kinën, pasi kjo lidhet me të ardhmen e Evropës. Ndërsa Von der Leyen tha se BE-ja vlerëson përpjekjet dhe arritjet e Kinës në transformimin dhe zhvillimin e gjelbër, njeh të drejtat legjitime të Kinës për të mbrojtur zhvillimin e saj, si edhe shpreson të vazhdojë dialogun e sinqertë dhe të forcojë bashkëpunimin me Kinën. Komenti juaj për këto deklarata

Dr. Enriko Ceko: Fakti që presidenti i Kinës ka hedhur idenë për një riçimentim të marrëdhënieve aktuale midis Kinës dhe BE-së tregon që Kina po aplikon hapjen e saj ekonomike dhe sociale, ashtu sikundër dhe opinioni ndërkombëtar e shikon hapjen e Kinës si një aspekt pozitiv në zhvillimin ekonomik rajonal dhe botëror. Nëse do të shohim me kujdes dëshirën për bashkëpunim të mëtejshëm dhe një intensifikim të marrëdhënieve Kinë-BE, duhet të kemi parasysh që BE specifikisht te deklarata e presidentit francez Macron duket se po kërkon një riformatim të politikës së jashtme të BE-së si dhe Europës me vendet e tjera.

CMG: Në etapën e dytë të turin europian të presidentit Xi janë vizitat në Serbi dhe Hungari, dy partnerë të vjetër të Kinës në Europë, dy vende me shkëmbime të spikatura tregtare me Kinën. Sa mendoni se do të ndikojnë këto vizita në thellimin e këtij bashkëpunimi?

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Dr. Enriko Ceko: Serbia është një përfituese e madhe e projekteve në kuadër të nismës kineze “Një brez, një rrugë”, por po ashtu dhe Hungaria. Të mos harrojmë linjën Budapest- Beograd për transportin e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit dhe një tjetër projekt që lidh Beogradin me Podgoricën, gjithashtu financim i kësaj nisme.

Nga ana tjetër kemi dhe segmentin që pritet të lancohet së shpejti që nga porti i Selanikut, nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, Prishtinës për të vijuar në Hungari dhe Gjermani. Këto janë projekte të rëndësishme që me siguri do të diskutohen me palën serbe dhe hungareze. Prezenca e kompanive kineze në Europë nuk bën dallim midis vendeve, ndaj pritet të jetë e fuqishme dhe në vitet që vijnë. Ndërkohë ekonomia hungareze, të paktën 20 vitet e fundit ka bërë hapa të fuqishëm dhe duke qenë vendi pjesë e BE-së dhe kompanitë hungareze do të duan të instalohen në Kinë për të përfituar nga kostot e ulta, nga aftësitë, njohuritë dhe kompetencat e forcave të punës në Kinë. Ndërsa ekonomia serbe  ka përfituar nga mbështetja financiare kineze, jo vetëm në aspektin e projekteve, por dhe në bashkëpunimet në fusha të tjera.

Intervistoi Eda Merepeza