Në selinë e OKB-së në Vjenë u zhvillua aktiviteti për Ditën e Gjuhës Kineze
2024-05-08 18:11:11

Ditën e Gjuhës Kineze në selinë e OKB-së në Vjenë (Foto Xinhua)

Në selinë e OKB-së në Vjenë, Austri, u zhvilluan një sërë aktivitetesh festive, për të kremtuar Ditën e Gjuhës Kineze të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Më shumë se 700 njerëz, duke përfshirë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare me bazë në Vjenë, diplomatë dhe punonjës të OKB-së, morën pjesë në ceremoninë e madhe të hapjes në Qendrën Ndërkombëtare të Vjenës, shkruan “Xinhua”.

Dita e Gjuhës Kineze të këtij viti, me temë “Kultura të ndryshme dhe pamje romantike”, u përqendrua tek ekspozitat mbi Rajonin Autonom Guangxi Zhuang të Kinës jugore, një rajon kufitar i quajtur shpesh si porta e Kinës për në vendet e ASEAN-it (Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore).

Ekspozitat përfshijnë produktet tradicionale kulturore të rajonit, kostumet etnike dhe fotot që tregojnë monumentet e tij të njohura dhe arritjet e tij në bashkëpunim me ASEAN.

Li Song, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Vjenë, deklaroi se gjuha kineze është një lidhje kulturore e gjatë dhe do të ndihmojë në çuarjen përpara të qytetërimit kinez dhe qytetërimit botëror drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Li tha se eventet e Ditës së Gjuhës Kineze të këtij viti do të përdorin Guangxi si një shembull për të treguar historinë e qytetërimit dhe zhvillimit kinez, për të shfaqur kulturën shumëngjyrëshe dhe të gjallë kineze dhe arritjen e bashkëpunimit të të mësuarit të ndërsjellë dhe zhvillimit midis Kinës dhe vendeve të ASEAN.

Miao Qingwang, nënkryetar i qeverisë rajonale të Guangxi, tha se gjuha kineze mbart rëndësinë e pasur historike dhe kulturore të kombit kinez dhe se ai shpreson se festimi i Ditës së Gjuhës Kineze të këtij viti do të promovojë shkëmbimet kulturore të Guangxi dhe bashkëpunimin zhvillimor me botën. Përfaqësuesit e organizatave të OKB-së në Vjenë thanë në ceremoninë e hapjes se gjuha kineze, si një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së, luan një rol të rëndësishëm në promovimin e kauzës së OKB-së dhe shkëmbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

OKB-ja kremton Ditën e Gjuhës Kineze më 20 prill për të promovuar shumëgjuhësinë, diversitetin kulturor dhe përdorimin e kinezishtes si një nga gjashtë gjuhët zyrtare të organizatës. (Elona)