Pritshmëritë për 14 milionë turistë në Shqipëri, masat që po merr qeveria
2024-05-08 09:47:02

Plazhi i Ksamilit (Foto Saranda web)

Plazhi i Ksamilit (Foto Saranda web)

 “Referuar shifrave të tre muajve të fundit, 1 në 5 njerëz në Shqipëri ka qenë shtetas i huaj e po ashtu kontratat e konfirmuara nga sektori privat që tregojnë për 30% më shumë se vitin që shkoi, flasin për pritshmëri të larta në flukse turistike.”- kështu u shpreh Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në  aktivitetin me fokus Sigurinë e Turizmit në Shqipëri.

“Për këta tre muaj një në 5 njerëz që shikojmë në territor i bie të jetë një vizitor i huaj. E gjitha kjo sigurisht na gëzon për sa i përket shifrave por nga ana tjetër na shton përgjegjësinë. Sidomos në atë që është elementi kryesor dhe për të cilën praktikisht viti 2023 e bëri Shqipërinë të jetë krenare në turizëm, elementi i sigurisë. Siguria e shëndetit, siguri e jetës, siguri në rrugë, siguri në parametra dhe standarde çka është shumë e domosdoshme. Megjithatë jo më larg se dje përpara se të vija për të qenë sa më e saktë në shifra komunikuam me kolegët tanë të sektorit privat për të  verifikuar edhe njëherë parashikimet që kanë në kontrata. Dhe konfirmimi që na erdhi nga unioni shqiptar i turoperatorëve flet për 30% më shumë sesa vitin e kaluar kontrata me garanci që janë tashmë të konfirmuara 100%” tha Kumbaro

Projeksionet vijnë nisur nga tendencat e prenotimeve në njësitë akomoduese.

“Kur ne flasim për 13 milionë apo 14 milionë turistë të huaj këtë vit, nuk janë parashikime me projeksione, por janë çka na konfirmon tregu nga sektori privat. Nga këta rreth 50% janë për ture kulturore, turizëm rural, turizmi aventurës, turizmi kulinar, të shpërndarë në gjithë territorin. E rëndësishme është gjithashtu se referuar të dhënave të fundit të INSTAT, për 3 muajt e parë, 46 mijë vizitorë kanë hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi ose 40% më shumë më shumë se tre muajt e parë të vitit të kaluar. “- u shpreh ajo

Ministrja e Turizmit vuri në dukje diversifikim të ofertës  turistike, që shkon nga turizmi natyror dhe kulturor tek ai i biznesit, duke e bërë Tiranën të kthehet në një qendër të padiskutueshme, por edhe tek turizmi shëndetësor.

Ministrja Mirela Kumbaro (Foto Anabel)

Ministrja Mirela Kumbaro (Foto Anabel)

“Kjo është arsyeja pse këtu në sallë, por dhe në publik nuk jemi vetëm ne përfaqësues të autoriteteve publike, por sidomos përfaqësues të sektorit privat ku secili nga ne dhe nga ju ka një rol të vogël dhe të madh në të njëjtën kohë sepse mund të bëjmë 99% punë shumë të mira në të dy sektorët. Prandaj mendoj se çelësi i suksesit sivjet do të jetë komunikimi 24 orë me njëri-tjetrin.”- u shpreh Kumbaro.

Piku i flukseve pritet të jetë në bregdet, dhe interesi i pushuesve ka nisur herët.

“Patjetër, bregdeti është ai që do të ketë pikun dhe grumbullimin më të madh të njerëzve për sezonin që ka filluar më herët se asnjëherë tjetër. Jemi në takime dhe komunikime të përhershme me tur operatorët, hotelierët, por edhe të 12 kryetarët e bashkive, përfshirë edhe Pogradecin. E kemi filluar punën që në shtator të vitit të kaluar, në nëntor janë mbyllur të gjitha aplikimet për stacionet e plazhit. Janë mbyllur miratimet gjithashtu për strukturat e përkohshme të shërbimit” vuri në dukje ministrja.

Kumbaro i bëri thirrje operatorëve të turizmit detar, duke theksuar se asnjë subjekt nuk mund të ofrojë shërbime pa u certifikuar.

“Të gjithë operatorët që ushtrojnë aktivitet ekonomik të turizmit detar, duhet të pajisen me certifikatën e posaçme nga ministria e turizmit dhe mjedisit. Vetëm në dy vitet e fundit, pasi kemi bërë një punë intensive komunikimi dhe ndëshkimi, janë të pajisur mbi 110 operator të turizmit detar. Pa këtë certifikatë asnjë operator ose individ nuk mund të ushtrojë aktivitetin e tij dhe policia kufitare dhe agjencia kombëtare e bregdetit janë në të drejtën e tyre legjitime të ndalojnë aktivitetin dhe të sekuestrojnë dhe mjetet. Është shumë e rëndësishme në raport me sigurinë e jetës që i ofrojmë turistëve, jo vetëm në bregdet por edhe në pika të tjera, si liqeni i Pogradecit, lumi i Shalës apo Liqeni i Komanit. Bukuria që ofrojmë duhet të jetë e garantuar me gjithë parametrat e sigurisë.”- tha  ministrja.

Me ndryshimet që i janë  bërë së fundmi ligjit të turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit vepron sivjet me kompetenca të shtuara, jo vetëm për ta anuluar apo mbyllur veprimtarinë por edhe për të anuluar kontratat e stacioneve të plazhit të cilat në mungesë të zbatimit të detyrimeve do të kthehen në stacione publike dhe do menaxhohen në vazhdim nga bashkitë.

Turistë të huaj në Tiranë (Foto Buletini Ekonomik)

Turistë të huaj në Tiranë (Foto Buletini Ekonomik)

 “Ndërkohë dua të theksoj që kemi një element shumë të rëndësishëm të sigurisë. Vitin që u mbyll 4.5 milionë vizitorë kanë vizituar vetëm zonat e mbrojtura male, kanione, lumenj, por edhe në pjesë të tjera natyrore.  Kemi pasur shumë incidente me shumë turistët e huaj që vizitojnë pjesët e bukura të Shqipërisë, të pakoordinuar me guaidat apo udhërrëfyesit lokal. Kemi sot 600 guida, udhërrëfyes turistikë të të gjitha kategorive, për hiking, për ngjitje në mal, ngjitje në kanione. Është shumë e rëndësishme nga tur operatorët, nga hotelierët të cilët i mirëpresin këta turistë, t’i vënë në kontakt, listat janë publike në faqen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit” bëri të ditur ministrja

Ndërkohë përfaqësues të rrjetit hotelier në vend thonë se e rëndësishme është të zgjidhet problem i ujërave të ndotur që hidhen në det. Për Tv Scan Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi thotë se për cfarë ka nevojë më shumë turizmi për të investuar.

“Është një nga problemet kryesore që kanë dalë gjatë 10 viteve të fundit. Problemi kryesor është derdhja e ujërave të ndotura në ujërat larës në dete apo lumenj dhe infrastruktura rrugore. Financimi është një moment të rëndësishëm ku Shqipëria ka nevojë për përmirësimin e ujërave që derdhen në det.Fokusi kryesor është përmirësimi i infrastrukturës në përgjithësi, jo vetëm infrastruktura rrugore, por ecja me ritme të shpejta të turizmit në botë dhe në Shqipëri e ka lënë mbrapa këtë sektor. Janë disa akse të rëndësishme që duhet përmirësuar”, tha ai.

Ministri i Financave dhe zv. Presidenti i Bankës Botërore nënshkruan ditë më parë një marrëveshje ku Banka Botërore do të financojë me 80 milion dollarë  projektin në mbështetje të turizmit të qëndrueshëm.