Objektivat e Strategjisë së Financave Publike të Shqipërisë 2025-2030
2024-05-07 09:34:48

Prezantimi i Strategjisë (Foto ATSH)

Prezantimi i Strategjisë (Foto ATSH)

Ministria e Financave prezantoi dy ditë më parë Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2025-2030. Ky dokument bazë është përgatitur, së bashku me ekspertët e Bashkimit Europian. Ai do të orientojë politikat qeveritare dhe reformat në drejtimin e financave publike, deri në vitin 2030.

Reforma e Menaxhimit të Financave Publike na siguron një sistem financiar që nxit transparencën, llogaridhënien dhe disiplinën fiskale ne harxhimin e lekëve të taksapaguesve. Strategjia do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, në mënyrën dhe përgjegjësinë se si qeveria i shpenzon paratë e taksapaguesve.

Forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, për vendet kandidate që po provojnë t’i bashkohen. Plani i Rritjes për të pesë vendet e Ballkanit Perendimor, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, ka vënë në dispozicion qindra milionë euro, për të ndihmuar edhe avancimin e financave publike të vendeve tona.

Në aktivitetin për prezantimin e Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2025-2030, Ministri i Financave Ervin Mete theksoi se:

“Në dekadën e fundit, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ka patur progres të konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra.

Lidhur me kuadrin fiskal, janë rritur kapacitetet për programimin makroekonomik, si edhe parashikimet makro-fiskale, në bashkëpunim edhe me FMN-në dhe Bashkimin Evropian. Progres ka patur edhe lidhur me Planifikimin Strategjik të Integruar dhe procesin e Planifikimit Buxhetor Afatmesëm. Është rishikuar kuadri ligjor për Menaxhimin e Investimeve Publike, duke përparësuar përmes një liste unike projektet me rëndësi kombëtare.

Janë bërë arritje të rëndësishme sa i përket forcimit e menaxhimit financiar në qeverisjen vendore, kryesisht përmes ndryshimeve në kuadrin ligjor e rregullator. Po ashtu, kuadri ligjor i menaxhimit të borxhit është ndryshuar, për të reflektuar përmirësime në përgatitjen e Strategjisë së Menaxhimit të Borxhit. 

Për sa i përket Kontrollit të Brendshëm, janë bërë përmirësime dhe ndryshime në Ligjin “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” dhe Ligjin “Për Auditimin e Brendshëm”, shoqëruar me aktet përkatëse nënligjore.

Ministri i Financave Ervin Mete (Foto RTSH)

Ministri i Financave Ervin Mete (Foto RTSH)

Strategjia e re që prezantojmë sot për Menaxhimin e Financave Publike synon ndër të tjera:

·       Përmirësimin e mëtejshëm të politikave fiskale dhe makroekonomike;

·       Avancimin në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritjen e monitorimit dhe raportimit;

·       Rritjen e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimin e mëtejshëm të sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor;

·       Forcimin e menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimin e mëtejshëm të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit; 

·       Avancimin e përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së; si dhe, një nga risitë e kësaj strategjie, që ka të bëjë me:

·       Integrimin e elementeve të ekonomisë së gjelbër, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra”.  

     

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shqipëria po kalon një moment pozitiv ekonomik. Ajo është vlerësuar në performanën e saj edhe nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të pagimit të borxhit publik, “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”. Financat tona publike janë në një hov të mirëfilltë.

Treguesit kryesorë makroekonomikë, si rritja ekonomike, ulja e inflacionit vjetor, ulja e borxhit publik, kanë shënuar përmirësime të ndjeshme. Borxhi publik në fund të vitit të kaluar zbriti për herë të parë që nga viti 2011, nën nivelin 60 përqind të prodhimit kombëtar. Ai pritet të ulet akoma dhe më shumë, në 58 përqind për këtë vit. Borxhi publik do të vijojë trajektoren e tij rënëse edhe gjatë viteve të tjera në vazhdim.

Për herë të dytë në vitin 2023, të ardhurat e buxhetit në bilancin primar(pa llogatitur rishpërndarjen) ia kaluan shpenzimeve, ndërsa detyrimet e prapambetura arritën në nivelin më të ulët, që nga viti 2016 i nisjes së vëzhgimit të tyre. Ato kapën vetëm 1 përqind të shpenzimeve buxhetore vjetore. Viti i kaluar shënoi po ashtu një  përmirësim të ndjeshëm edhe në bilancin e llogarisë korrente, pra në bilancin e sa para na hyjnë dhe sa na dalin nga vendi.

Në vitin 2023, tek ne hynë 4.2 miliardë euro nga turizmi, 1.5 miliardë euro nga investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe 1 miliardë euro nga dërgesat e emigrantëve.

Të ardhurat publike kanë ecur mirë edhe gjatë katër muajve janar-prill të këtij viti. Qeveria synon të mbledhë për këtë vit 28 përqind të prodhimit kombëtar si të ardhura, ose mbi 6.2 miliardë euro.

Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2025-2030, e publikuar për konsultim publik në fillim të prillit 2024, pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e zbatimit të suksesshëm të saj.

 

Fatos Çoçoli