Teksa presidenti kinez Xi Jinping arriti në Paris për herë të parë në pesë vjetët e fundit, një ish-diplomat i lartë francez i vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet midis dy vendeve, duke e përshkruar Kinën si "një treg i shkëlqyer dhe shumë i rëndësishëm" për Francën.
Bernard Kushneri, një politikan veteran francez dhe mjek me famë botërore, ka ndihmuar në themelimin e organizatave "Mjekët pa kufi" (MSF) dhe “Mjekët e botës”.
Ai ishte ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane i Francës nën udhëheqjen e presidentit Nikolas Sarkozi dhe u zgjodh gjithashtu dy herë si ministër i Shëndetësisë i vendit.
Pavarësisht largimit nga vija e parë e politikës, ai ka vazhduar të mbajë disa poste të larta në qendra studimore për marrëdhëniet e jashtme, duke u paraqitur si kandidat edhe për poste të larta në OKB e Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Foto nga CFP
Ndërsa Parisi dhe Pekini do të kërkojnë forcimin e lidhjeve ekonomike e diplomatike gjatë vizitës së Xi Jinping-ut në Francë, Bernard Kushneri theksoi rëndësinë e kësaj vizite.
“Vizita e presidentit kinez është shumë e rëndësishme për ne”, vuri në dukje ai. “Të gjitha vendet e fondacionet evropiane, si edhe vendet e tjera të botës, shpresojnë të mbajnë kontakte të ngushta dhe marrëdhënie të mira me Kinën, sepse Kina është një treg i shkëlqyer dhe shumë i rëndësishëm për ekonominë tonë.”
"Të gjitha vendet evropiane kërkojnë marrëdhënie të mira me Kinën. Sigurisht për arsye ekonomike. Pse jo?" u shpreh Kushneri, duke shtuar se megjithatë nuk është fjala vetëm për çështje parash.
"Evropianët kanë një vlerësim të veçantë për popullin kinez, për shoqërinë kineze, për traditat kineze, për pozicionin historik të Kinës. Kjo është shumë e rëndësishme për ne,” tha ai.
Gjatë vizitës në Pekin muajin e kaluar, ministri i Jashtëm francez Stephane Sejourne theksoi lidhjet kulturore me Kinën dhe përuroi ekspozitën “Versaja dhe Qyteti i Ndaluar” në kryeqytetin kinez.
Kjo ishte pjesë e një vargu aktivitetesh kulturore me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Francës dhe Kinës.
"Ka rëndësi të madhe për Francën të ketë marrëdhënie të mira me Kinën," shtoi Bernard Kushneri. (Fani)