Mbrëmjen e 6 majit, sipas orës lokale, Presidenti i Kinës Xi Jinping, i cili po bën një vizitë shtetërore në Francë, mori pjesë në një ceremoni madhështore mirëseardhjeje në Paris, organizuar nga Presidenti Emmanuel Macron.
Parisi ofron një peizazh të mrekullueshëm në maj. Flamujt e dy vendeve u valëvitën në erë pranë lumit Sena.
Presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan u pritën me ngrohtësi nga Presidenti Macron dhe bashkëshortja Brigitte Macron, teksa zbritën nga makina. Nën tingujt e muzikës marshuese, udhëheqësit e dy vendeve hynë në shesh. Orkestra ushtarake luajti himnet kombëtare të Kinës dhe Francës.
Më pas, udhëheqësit e dy vendeve inspektuan Gardën Republikane të Francës dhe njësitë ceremoniale të forcave tokësore, detare dhe ajrore. Pas inspektimit, Xi dhe Peng u përshëndetën me zyrtarët kryesorë francezë, ndërsa çifti Macron përshëndeti delegacionin kinez.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan shkuan në Pallatin Élysée, nën shoqërimin e një njësie të kalorësisë ceremoniale dhe motoçikletave të përbërë nga 146 kalorës të Gardës së Republikës së Francës.