Shqipëria tashmë konsiderohet si parajsa e pushimeve të ëndërruara. Nëse sezonin e shkuar, ajo ishte destinacioni surprizë, këtë vit është shndërruar në një destinacionin që e ka kaluar provën e së vërtetës. Gazetarë, blogerë, turistë, etj., me shkrimet apo eksperiencat e tyre kanë përcjellë në vendin e tyre Shqipërinë, si e kanë njohur ata, duke i bërë jehonë asaj dhe duke i ftuar italianët që edhe këtë vit të vijnë për të pushuar këtu.
“A keni ëndërruar ndonjëherë të shkoni me pushime në plazh, pa menduar se sa do t’ju kushtojë argëtimi? Epo, ekziston një mënyrë për të jetuar ëndrrën e verës pa e sforcuar buxhetin tuaj? Kështu e nis artikullin e tij blog-u italian “Porretta Soul”.
“Ja një perlë, që jo të gjithë e njohin!”, vijon artikulli. “Me ardhjen e pushimeve, mendimi i rërës së ngrohtë dhe detit blu përkëdhel imagjinatën tuaj. Problemi, si gjithmonë, është buxheti.
Por, ne kemi zbuluar se ka ende destinacione magjepsëse ku mund të kaloni pushimet tuaja me çmime të përballueshme. Alternativa e momentit? Shqipëria, me plazhet e saj magjepsëse dhe çmimet dukshëm më të lira se destinacionet e tjera.
Vitin e kaluar, Shqipëria ishte destinacioni i preferuar i shumë udhëtarëve, veçanërisht i atyre që donin të kursenin para. Pikërisht në Sarandë, një qytet bregdetar piktoresk i Shqipërisë, ju mund të akomodoheni në një hotel me tre yje për vetëm 20 euro nata”, shkruhet në blog.
Më tej artikulli vazhdon t’i bëjë jehonë Sarandës duke shtuar se ushimet e lira nuk janë një legjendë urbane, por një realitet për ata që dëshirojnë të pushojnë buzë detit pa shtrënguar buxhetin e tyre. Me plazhe që të rrëmbejnë zemrën dhe një det që të përkëdhel vështrimin, Saranda është zgjedhja e duhur për ata që duan të kursejnë para dhe të shijojnë cilësinë.
Të gjesh veten në Sarandë këtë verë nuk është thjesht një hipotezë e largët, por një mundësi konkrete. Saranda nuk duhet të mungojë në listën tuaj të vendeve më të mira për të kaluar pushimet këtë verë. Saranda mund të jetë ‘bileta juaj e artë!
Kush do ta mendonte se Shqipëria do të bëhej vendpushimi i ri veror “Eldorado” për kursimtarët? Të udhëtosh është si të ëndërrosh. Ndryshimi është se jo të gjithë, pasi zgjohen, kujtojnë diçka, ndërsa të gjithë kur kthehen nga një udhëtim, kanë një kujtim të pashlyeshëm në mendjen e tyre, sipas Edgar Allan Poe.
Shqipëria është një shembull i qartë i një vendi ku turizmi po ndryshon imazhin e tij, duke lëvizur drejt destinacioneve alternative të afta për të ofruar gjithçka dhe me çmime të përballueshme.
Saranda, me plazhet dhe mikpritjen e saj të ngrohtë, është destinacioni ideal për ata që kërkojnë pushime ekzotike vetëm ‘një hap larg shtëpisë’. Në një botë me ritme të shpejta, ndonjëherë është e nevojshme të ndaleni dhe të merrni në konsideratë destinacione më pak të njohura, por jo më pak magjepsëse. “Saranda dhe Shqipëria janë gati të na surprizojnë, duke na ofruar një verë të paharrueshme mes dallgëve të detit të kristaltë dhe komoditetin e një qëndrimi që ‘respekton portofolin tonë’”, konstatohet në artikull.
Të njëjtën gjë konstaton edhe revista italiane “Solo Finanza”. “Vera po afron dhe për udhëtarët që nuk kanë planifikuar ende asgjë, ne rekomandojmë të zgjedhin dhe eksplorojnë Shqipërinë. Pa shpenzuar shumë para ju mund të pushoni në breg të detit dhe të shijoni çdo lloj rehatie”, shkruhet aty.
Kjo është një mundësi ‘e bujshme’ e zbuluar nga portali i njohur (pirateinviaggio.it) i cili ditët e fundit ka ndarë me ndjekësit e tij destinacionet më të mira për vitin 2024, që nuk duhen humbur. Shqipëria, një nga destinacionet në trend – edhe verën e kaluar – ofron për udhëtarët diell, det të kristaltë, plazhe që të lënë pa frymë dhe shumë shërbime të tjera me kosto dukshëm më të ulëta se ato që ofrohen në Itali.
Në artikull, Saranda, në jug të Shqipërisë, rekomandohet si një qytet i bukur bregdetar që ofron hotele (me tre yje) ku turistët mund të akomodohen si “zotërinj të vërtetë”.
Tashmë turistët italianë dhe jo vetëm kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin ideal për t’u çlodhur buzë detit falë çmimeve të saj të përballueshme.
Gjithashtu, edhe revista “Tendenze di Viaggio” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura dhe të lira në Evropë për pushime në 2024. Artikulli e konsideron Shqipërinë si një perlë të fshehur të Evropës, me brigje mahnitëse, vende arkeologjike dhe qytete me interes historik, të gjitha me çmime shumë konkurruese. Turistët këshillohen të eksplorojnë rrënojat e Butrintit si vend i mbrojtur nga UNESCO dhe të shijojnë ujërat e kristalta të Ksamilit. Për më tepër, kryeqyteti, Tirana ofron muzeume dhe një jetë të gjallë të natës. Shqipëria është ideale për turistët që udhëtojnë me makinë, pasi rruga ofron peizazhe spektakolare dhe mundësi për të eksploruar fshatrat e vegjël.
“Shqipëria ofron kosto më të ulëta për akomodim dhe ushqim krahasuar me shumë vende të tjera evropiane. Akomodim cilësor ka një kosto duke filluar nga 15-20 euro në natë”, përfundon artikulli, ndërkohë që jehona e pushimeve shqiptare, në median italiane vazhdon.