Ramiz Alcani ka gati 17 vjet që jeton në Athinë. Ai është larguar nga Shqipëria kur ishte 12 vjeçdhe që atëhere është vendosur në shtetin fqinj. Kohët e fundit Ramizi është i apasionuar pas udhëtimeve dhe eksplorimit të natyrës. Ai ka vizituar mjaft vende të veçanta në Greqi, dhe shpeshherë ndan me ndjekësit e tij në rrjetet sociale foto dhe video të këtyre vendeve. Një pasion tjetër i tij ka qenë dhe futbolli, ku është aktivizuar deri në moshën 22 vjeçare me të rinjtë e Elbasanit dhe më vonë edhe me ekipe të kategorisë greke. Në një intervistë për Radio Ejani Ramiz Alcani tregon për udhëtimet që ka bërë dhe kënaqësinë që merr gjithmonë sa herë viziton vende të veçanta.
Ramiz Alcani ne Dragon Lake Tymfi (Foto personale)
CMG: Prej sa vitesh ke në Greqi?
Ramiz Alcani: Ka gati 17 vjet që jetoj në Greqi, ku kam ardhur 12 vjeç si emigrant nga malet. Ka qenë një rrugë shumë e vështirë, sepse nuk ishim me dokumente të rregullta dhe për të udhëtuar jashtë shtetit ka qenë vërtetë shumë e vështirë.
CMG: Si u integrove në Greqi, në një moshë fare të vogël kur ke ikur?
Ramiz Alcani: Në fillim ishte shumë e vështirë, sepse nuk e dija gjuhën dhe nuk kisha as shokë. Shokët i kisha në Shqipëri dhe më merrte malli për shoqërinë. Me kalimin e kohës u njoha me shokë të tjerë shqiptarë dhe grekë, që janë sjellë shumë mirë, dhe nuk e kam ndjerë ndonjëherë racizmin në Greqi.
CMG: Ka qenë i vështirë për ty punësimi në fillim në Greqi?
Ramiz Alcani: Ka qenë i vështirë, por në atë kohë gjëja e parë ishte të vazhdoja shkollën dhe të mësoja gjuhën. Kur mësova gjuhën greke, çdo gjë pastaj ishte shumë e lehtë.
CMG: Si lindi pasioni për të udhëtuar dhe eksploruar vende të veçanta?
Eskursion organizuar ne parkun pavlianis (Foto personale)
Ramiz Alcani: Pasioni për udhëtimet ka lindur kur mbusha 20 vjeç, ku mora një makinë dhe thashë se dua të udhëtoj. Punoja dhe mblidhja lekë për të udhëtuar. Fillimisht kam udhëtuar më shumë vetëm, sepse me shokët nuk na përshtateshin oraret e punës. Më kujtohet që në fillim kur isha 20 vjeç kam ardhur vetëm në Shqipëri me makinë. Gjithashtu kam shkuar vetëm për kamping dhe kjo gjë më ka pëlqyer shumë. Kështu vazhdoi pasioni për të udhëtuar, fillova të bëja dhe fotografi e video në vende të ndryshme.
Polilimnio messina, foto nga Ramiz Alcani
CMG: Si ka qenë si eksperiencë udhëtimi me makinë në vende malore dhe me rrugë të vështira?
Ramiz Alcani: Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, kur nuk e di se ku shkon, por vetëm kërkon nga google për të gjetur vende të bukura. Kjo është pak e vështirë, sepse futesh në rrugë të vështira, por kur arrin në destinacion është diçka e bukur.
CMG: Cilat nga vendet që ke vizituar mbeten më të veçanta në udhëtimet e tua?
Ramiz Alcani: Kam parë shumë vende të bukura. Do të veçoja disa vende në Greqi, si Liqenet e dragoit që janë shumë të bukura. Kam shkuar dhe në një vend tjetër të bukur, një vend i gjelbëruar ku kalon ujë në formë gjarpëri dhe është vërtetë pamje mahnitëse.
CMG: Pse të pëlqen të udhëtosh më tepër në vendet malore dhe të vështira për të ecur me makinë?
Ramiz Alcani: Unë vendet malore kam filluar t’i vizitoj para tre vjetësh, dhe shikoja njerëz të tjerë që ngjiteshin në Olimp, ku më lindi dhe mua dëshira për t’u ngjitur. Kështu që u bëmë bashkë katër shokë, por asnjërit nuk i pëlqeu sepse të gjithë u lodhën. U ngjitëm dhe shkuam deri te gjysma e malit, ku qëndruam në kamping. Unë doja të ngjitesha më lart, por shokët nuk dëshironin sepse ishin të lodhur. Kur u zgjova në mëngjes pashë disa të tjerë që vazhdonin rrugën për t’u ngjitur dhe ju thashë shokëtve të mi të rrinin, sepse unë do ngjitesha vetëm në mal. Kështu që u ngjita te lartësia më e madhe që ka mali i Olimpit. Doja të ngjitesha dhe te largësia e parë, por ishte pak e vështirë, ngaqë isha vetëm dhe nuk është mirë të rrezikosh kur je vetëm. Kështu që kjo gjë vazhdoi të më pëlqente akoma më tepër.
Ramiz Alcani ne Evia (Foto personale)
CMG: Si lindi ideja për të ndarë foto dhe video të udhëtimeve me ndjekësit në rrjetet sociale?
Ramiz Alcani: Doja t’i bëja publike, për t’u treguar njerëzve që natyra është shumë e bukur, sepse nuk është vetëm qyteti apo gjërat e përditëshme që ne bëjmë. Duhet ta jetosh jetën dhe të ndjesh kënaqësi nga jeta, që mos të bësh të njëjtën gjë gjithmonë.
CMG: Cilat kanë qenë komentet që ke marrë nga ndjekësit për fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale?
Ramiz Alcani: Njdekësit në rrejtet sociale më kanë përgëzuar shumë, u kanë pëlqyer shumë dhe videot e postuara. Gjithashtu dhe njerëzit e famshëm në Greqi i kanë pëlqyer videot e mia. Fillimisht nuk isha shumë i mirë, por me kalimin e kohës u bëra akoma më i mirë, duke shikuar video në YouTube sesi të bëhesha profesionist.
CMG: Të pëlqen të udhëtosh vetëm apo me shokë?
Ramiz Alcani: Më pëlqen shumë të udhëtoj edhe vetëm, sepse i bën planet vetë dhe ndalon ku të duash, shikon çfarë të duash. Dëshira ime është të shkoj nëpër vende për të realizuar videot dhe fotografitë më të bukura. Ka raste që në një vend unë qëndroj 2-3 orë, por ka njerëz që duan vetëm të shikojnë një vend dhe të ikin. Gjithashtu më pëlqen të udhëtoj edhe me shokë. Kur kam nisur të ngjis malet kam njohur shumë njerëz të tjerë, të cilët kanë të njëjtin pasion.
CMG: Para 17 vitesh ke kaluar malet për të shkuar në Greqi, ndërsa sot malet po i viziton për pasion.
Ramiz Alcani: Kur kam ikur nga Shqipëria për në Greqi më kujtohet se kemi bërë më shumë se një ditë rrugë nëpër male. Ishte një rrugë e frikshme, ku frika më e madhe nuk ishte as ujku apo ariu, por ishte që mos të na kapte policia. Ndërsa tani nuk e kam atë frikë në asnjë mal që shkoj.
Ramiz Alcani ne malet Zirias (Foto personale)
CMG: E viziton shpesh Shqipërinë dhe për çfarë të merr malli më tepër për vendlindjen?
Ramiz Alcani: Në Shqipëri vij një herë në vit. Kam parë dhe shumë vende të bukura në Shqipëri, të cilat do t’i vizitoj sërisht. Më merr malli shumë për shokët, por të gjithë kanë ikur në emigracion tani. Kemi mbajtur kontakte me shokët, dhe flasim çdo ditë në rrjetet sociale.
CMG: Përveç udhëtimeve a ke pasione të tjera në jetë?
Ramiz Alcani: Pasioni më i madh para udhëtimeve ka qenë futbolli. Kam luajtur futboll deri në moshën 22 vjeçare, ku erdha në një kohë dhe në Shqipëri për të luajtur. Kam luajtur futboll tek të rinjtë e Elbasanit, por ishte një periudhë që nuk isha mirë psikologjikisht dhe u shkëputa nga futbolli. Kur erdha prapë në Greqi fillova të luaja në kategoritë e Athinës derisa u dëmtova, sepse unë punoj dy punë dhe ishte shumë e lodhshme. Futbolli është gjë e bukur, por nëse dëshiron të arrish rezultate duhet të bësh vetëm futbollin dhe mos të merresh me punë të tjera.
Ramiz Alcani ne Meteorat e Kalabakes (Foto personale)
CMG: Cilat nga vendet e Shqipërisë ke planifikuar të vizitosh në udhëtimet e ardhshme?
Ramiz Alcani: Shpresoj të vij në Shqipëri për pashkët, meqë dhe koha sivjet është shumë e mirë. Dua të shkoj sërish te lumi i Shalës, ku kam vajtur edhe para dy vitesh, sepse është një vend shumë i bukur dhe fantastik. Dua të realizoj video shumë të bukura dhe ta reklamoj sa më shumë atë vend. Gjithashtu edhe Syri i kaltër është vend shumë i bukur, por ka dhe shumë vende të tjera që do t’i gjej dhe t’i vizitoj në të ardhmen.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Ramiz Alcani: Përshëndes të gjithë njerëzit që më dëgjojnë në këtë intervistë dhe ju them të marrin malet sepse jeta është e shpejtë, dhe duhet të kesh gjëra të veçanta për të kujtuar nga jeta.
Intervistoi: Gazmend Agaj