Bankat rritën fitimin me mbi 50% gjatë vitit 2023, pritshmëritë për të ardhmen
2024-05-06 15:17:55

Rritja ekonomike (Foto Buletini ekonomik)

Rritja ekonomike (Foto Buletini ekonomik)

Bankat e nivelit të dytë shënuan një rekord fitimesh gjatë vitit që shkoi i cili nuk është arritur në asnjë prej  viteve të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky rezultat i detyrohet fitimeve të shtuara nga rritja e normave bazë të interesit.

“Është e vërtetë që sektori bankar ka patur një vit shumë të mirë për sa i takon fitimit gjatë vitit 2023. Mund të thuhet që fitimi ishte rreth 50% më i lartë se sa gjatë vitit 2022 dhe kjo ka sjellë përmirësim të disa treguesve të rentabilitetit të veprimtarisë bankare. Kontribuesi kryesor ka qenë ecuria e të ardhurave neto nga interesi, e cila përgjithësisht reflekton faktin që bankat kanë qenë më të shpejta në rritjen e normës së interesit të aktiveve se sa në rritjen e normës së interesit të detyrimeve. Megjithatë në tërësi normat e interesit gjatë kësaj periudhe kanë ardhur në rritje. Në lidhje me të ardhmen ne presim që gradualisht fitimi i sektorit bankar të kthehet pranë vlerave të mesatares afatgjatë.”- tha Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar.”

Sa i takon risqeve, ekspertët thonë se nuk përbën rrezik dhe në çdo rast janë nën kontroll.

“Gjatë periudhës ne vlerësojmë që rreziqet kanë qenë të kontrolluara dhe ekspozimi i sistemit bankar ndaj këtyre rreziqeve nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Nëse shikojmë rrezikun e kredisë, mund të themi që norma e kredive me probleme ka zbritur në nivelin 4.7%. ecuria e këtij treguesi ka ardhur kryesisht si rezultat i rënies së kredive me probleme ndërkohë edhe norma e mbulimit të kredisë me provigjone është rritur në nivelin 71%.”

I ulët është edhe rreziku për likuiditet.

Klodion Shehu (Foto Gazeta Dita )

Klodion Shehu (Foto Gazeta Dita )

“ Për sa i takon ecurisë së rrezikut të likuiditetit ne vlerësojmë që ky rrezik mbetet i ulët, sektori bankar ka aktive likuide përtej kërkesave minimale rregullatorë dhe njëkohësisht ato që quhen hendeqe në maturimin disaktive dhe pasivëve nuk ka ndryshuar gjatë periudhës. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të tregut kryesisht rrezikut të kursit të këmbimit dhe normës së interesit mbetet në nivele të kontrolluara. Në përgjithësi mund të themi që gjatë vitit 2023, sektori bankar ka zhvilluar një veprimtari ku kemi patur rritje të kredisë, rritje të depozitave, rritje të investimeve në tituj dhe rritjes në investimet në produktet ndër-bankare. Aktiviteti i sektorit bankar është zgjeruar me gati 5% në terma vjetorë dhe kjo pavarësisht efektit negativ që ka patur mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut.”- shprehet Shehu.

Lidhur me këtë pike, Banka e Shqipërisë ka kryer edhe një sërë testesh.

“Për të vlerësuar aftësinë e sektorit bankar për përballimin e rreziqeve ne kryejmë atë që quhet ushtrimet e provës së rezistencës. Ushtrimi i fundi që kemi kryer me rastin e raportit të stabilitetit financiar, tregon që aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet është përmirësuar gjatë periudhës. Kemi patur rritje të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit me gati 0.4 pikë % në nivelin 19.4 % dhe njëkohësisht dhe përmirësim të rezultatit financiar. Ushtrimet e provës së rezistencës tregojnë që në terma të numrit të bankave dhe në terma të vlerës së kapitalit që nevojitet për të përballuar skenarë makroekonomikë që ne kemi provuar në ushtrimet e provës së rezistencës, janë më të ulta si në numër ashtu edhe në vlerë. Megjithatë ne vlerësojmë që rreziqet janë gjithmonë të pranishme në veprimtarinë bankare dhe kemi ju kërkuar bankave që të shfrytëzojnë këtë periudhë të favorshme për sa i takon  performancës financiare që të forcojnë sistemet e tyre të kontrollit dhe treguesit e qëndrueshmërisë.”

Në raportin e fundit të publikuar lidhur me stabilitetin financiar, Banka e Shqipërisë bën një përmbledhje se cilatkanë qenë  zhvillimet e përgjithshme financiare në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2023.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Fillimet ekonomike të vitit 2023 kanë qenë pozitive, zhvillimet ndërkombëtare kanë njohur rritje, megjithatë në shkallë të ndryshme midis rajoneve, si  eurozona ka patur pothuajse ngadalësim të rritjes ekonomike ndërsa vendet e Ballkanit perëndimor kanë njohur rritje kryesisht të mbështetura nga konsumi dhe investimet private edhe Shqipëria ka patur një rritje të mirë ekonomike gjatë vitit 2023 e vlerësuar  në nivelin 3.8%. Kjo rritje është mbështetur kryesisht nga investimet private dhe konsumi, por gjithashtu edhe nga performanca e mirë e sektorit të turizmit. Si rezultat kemi pasur përmirësim në tregun e punës, në termat e nivelit të punësimit,  rënie të numrit të papunësisë dhe rritjes së pagave.”- shprehet Shehu.

Detyrimet e individëve familjeve janë kryesisht ndaj sektorit bankar.

“Norma e inflacionit ka ardhur në rënie megjithatë ka mbetur në fund të vitit 2023 mbi nivelin objektiv të bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë ka shtrënguar politikën monetare në nëntor të vitit të kaluar. Për sa i takon ekspozimit të sektorit bankar të sistemit financiar ndaj familjeve dhe bizneseve në tërësi vlerësohet që gjendja e këtyre dy sektorëve kanë mbetur pozitive dhe e pandryshuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Pozicioni i bizneseve në përgjithësi mbetet debitor, dhe kryesisht detyrimet e tyre janë ndaj jo rezidentëve, kryesisht në  formën e investimeve të huaja direkte. Ndërsa detyrimet e individëve familjeve janë kryesisht ndaj sektorit bankar. Gjithsesi pozicioni neto i familjeve mbetet kreditor dhe është përmirësuar gjatë periudhës.”

Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë flasin për zhvillime pozitive ekonomike.

“Tregjet kanë funksionuar në mënyrë normale në tregun parësor të titujve, emetimet e qeverisë kanë qenë disi më të ulëta në krahasim me periudhën e mëparshme, por të krahasueshme me 6 mujorin e fundit të një viti më parë. Normat e interesit kanë ardhur përgjithësisht në rënie të diktuara kryesisht nga ecuria e normave të interesit të titujve, afatshkurtër. Transaksionet në tregjet ndër bankare kanë qenë përgjithësisht në nivele të ulëta. Infrastruktura te sistemeve të pagesave kanë funksionuar në mënyrë normale. Në tërësi harta e stabilitetit financiar tregon për zhvillime përgjithësisht pozitive dhe rreziqe përgjithësisht të kontrolluara.”-shprehet Shehu.

Sipas Bankës Qendrore, zhvillimi i turizmit ka qenë dhe do të vijojë të jetë shtysë shumë e rëndësishme për ecurinë në trend pozitiv të ekonomisë shqiptare. Drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë  theksoi se, ekonomia shqiptare ka pasur një rritje pozitive gjatë vitit të kaluar dhe do të vijojë në këtë trend edhe gjatë këtij viti.