Liliana Cingu “Nderi i Kombit”, valltarja me portretin fisnik, e cila ndër vite nuk ka reshtur së mahnituri publikun shqiptar me elegancën e saj skenike. Ajo është cilësuar si “Mbretëresha e valles folklorike shqiptare” dhe shquhet si një ndër individualitetet më të spikatura që i ka dhënë hov ndër vite Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore edhe përtej kufijve. Karriera e saj numëron dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, “Çmimi i Republikës", Urdhri "Naim Frashëri”, "Disku i Artë", "Artiste e Merituar", “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, Medalje në Dizhon të Francës, Medalje në Itali, Turqi, e shumë vende të tjera të borë., vlerësime këto të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore.. Vallja për Lili Cingun ishte gjithçka, dhe këtë dashuri të madhe ia lexoje qartë ne sytë e saj.
Miqtë e saj në jetë dhe skenë sjellin kujtimet e tyre për ikonën e valles shqiptare Lili Cingu.
Lili Cingu (Facebook)
Këngëtarja e mirënjohur Merita Halili kujton momentet më të bukura gjatë koncerteve të ndryshme me Lili Cingun.
Merita Halili: Ndjej shumë emocion për të folur për Lilin, sepse ajo ka qenë shoqja ime më e mirë, mentorja ime më e mirë. Me Lilin kam shumë kujtime. Qëkur shkova 16 vjeçe në ansambël, Lili pa talentin tim dhe më mbështeste e këshillonte gjithmonë, sidomos kur shkonim me ansamblin jashtë shtetit. Ajo gjithmonë qëndronte pranë meje, që unë të interpretoja dhe performoja sa më bukur. Më krihte dhe më rregullonte, sepse donte patjetër që unë të isha shumë e suksesshme në skenë. Unë mësova shumë nga delikatesa e saj, finesa dhe bukuria e saj. Ajo vajzë kishte lindur për të qenë e bukur dhe interpretuese mes gjithë atyre kolosëve, e cila e ndëroi dhe e krijoi vallen kaq bukur, dhe e përcolli tek brezat e rinj. Kam shumë mall dhe akoma ndjej mungesën e saj.
Koreografi Genc Kastrati ka një njohje të hershme me Lilin, ku veçon momentet më të bukura me valltaren e njohur.
Lili Cingu me Besim Zekthin (Facebook)
Lili Cingu me Merita Halili dhe Mefarete Laze (Facebook)
Genc Kastrati: Njohja ime me Lilin është e kaherëshme, sepse jam njohur me Lilin përpara se të filloj karrierën time si valltar. Babai im ishte valltar, koleg dhe shok me Lili Cingun, dhe shpeshherë kur e takoja Lilin, ajo ishte si një motër, nënë dhe shoqe për mua, ishte e jashtëzakonshme. Me Lilin më lidh pothuajse e gjithë karriera ime artistike. Kemi qenë bashkë me Lilin në turneun e fundit në Kosovë në vitin 1996, koncerti i fundit i pregatitur nga Panajot Kanaçi. Maestro Kanaçi në një nga solot më vendos mua së bashku me Lilin. Nuk do ta harroj vërtetë atë ditë, sepse në Kosovë ndjeja një përgjegjësi akoma më të madhe sesa në koncertet e tjera, pasi origjina ime ishte nga Kosova, por dhe origjina e Lilit ishte nga Kosova. Unë nuk e ndjeja që kisha një partnere, por ndjeja se isha një trup me Lilin. Ajo studionte çdo lëvizje timen, dhe bëhej si një trup. Lili Cingu më bëri të ndjehesha kaq i lirë në atë koncert sa mu duk vetja sikur kisha krah. Para dy vitesh me Lili Cingun kemi drejtuar bashkë grupin e valleve, e cila ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse tashmë ajo vinte jo si valltare, por si një pedagoge. Lili më ka dhënë aq shumë, për të kuptuar sesi funksionojnë gjërat, saqë dhe shkolla që kisha bërë ishin shumë pak nga ato të cilat Lili Cingu na i përmblodhi në një periudhë jo më shumë se gjashtë mujore. Lili Cingu ishte gjithçka për ne, ajo ishte vetë arti për ne.
Koreografja Mimoza Bekteshi shrehet se ka mësuar nga Lili kulturën e prezantimit që ajo bënte në skenë.
Lili Cingu me Ramazan Kellezi (Facebook)
Lili Cingu me Rexhep Celikun (Facebook)
Mimoza Bekteshi: Unë kam hyrë në fillim për balet klasik, por në momentin që kam parë figurën e artistes së madhe Lili Cingu, unë ndryshova zhanër dhe hyra në ansambël. Ne mësuam nga Lili kulturën e prezantimit që ajo bënte në skenë, dhe ky ishte një fat i madh dhe mësim i madh për neve. Edhe në momentet e vështira që ishte Lili nuk u dorëzua, por me buzëqeshje thoshte se do të vinte në koncertin tim, që janë minuta të dhimshme për këtë artiste të madhe. Ne kemi qenë në krah të Lili Cingut dhe kemi kërcyer për vite me radhë, si brenda dhe jashtë shtetit. E paharruar të jetë Lili, dhe shpresoj që të vazhdojmë në hapat e krijimtarisë së bukur, të valleve si e organizonte dhe mbështetej Lili në pamjen e jashtme aq të bukur, që e bënte shumë madhështore.
Ndërsa për koreografin Andrea Kokeri, figura e Lili Cingut ka lënë një bagazh të madh, ku brezi i ri do të frymëzohet për ta çuar më përpara punën e saj
Lili Cingu me valltaret e reja ne Kanada (Facebook)
Lili Cingu ne interviste per Radio Ejani viti 2021
Andrea Kokeri: Liliana Cingu ishte një vajzë shumë e thjeshtë, megjithëse ishte një artiste shumë e madhe e një rangu, i cili tani mund të dalë edhe në konkluzionin që vështirë të zëvendësohet, sepse figura e saj ka lënë aq bagazh dhe aq bukuri, saqë besoj se brezi i ri duke parë vallet e kërcimieve të saj do të frymëzohen për ta çuar më përpara punë e saj. Është i padiskutueshëm kontributi i saj në drejtim të valles popullore dhe kultivimin e saj. Ajo që më ka bërë përshtypje është thjeshtësia e saj, por që në atë kohë u bë dhe burim frymëzimi për dashurinë që kishte për lirinë, mënyra e veshjes së saj, mënyra sesi ajo prezantohej në çdo drejtim me atë elegancën e saj të padiskutueshme, nga e cila pastaj pasqyrohej shumë edhe në skenë.
Që prej themelimit të grupittë valleve “Shqiponjat e vogla” me koreograf Ramazan Këllezin në vitin 2011, Lili Cingu ka qenë prezente gjatë gjithë kohës që ishte në Kanada në provat e grupit, duke i dhënë demostruar lëvizjet e duke i dhënë nuancat e duhura motiveve të valleve që mësonin shqiponjat.
Lili Cingu ne skene (Facebook)
Lili Cingu ne skene me Rexhep Celiku (Facebook)
Ramazan Këllezi: Figura e Liliana Cingut është një ndërhthurje perfekte e një artisteje të madhe dhe një njeriu të përsosur. Me interpretimin dhe elegancën e saj krijoi figura të tilla artistike, të cilat kanë hyrë në thesarin e vallëzimit tonë popullor, dhe do të ngelen atje përjetësisht, pasi figurat e saj ishin aq të arritura, saqë me të drejtë maestro Kanaçi thonte që Liliana Cingut i kërcen dhe fija e flokut, dhe ky ishte një vlerësim i madh për të. Liliana Cingu ishte e mbushur me një zemër të gjerë, me një dëshirë të madhe për të respektuar njerëzit. Mirënjohja e saj i kalonte kufijtë, dhe ajo që e bënte më të veçantë ishte thjeshtësia e saj deri në përulje. Gjatë gjithë kohës, që në vitin 2011 që unë krijova shoqatën kulturore “Shqiponjat e vogla”, ajo ishte prezente në çdo sallë, dhe mundoheshe të jepte më të mirën e mundshme tek të gjithë valltarët e rinj. Kujtimin që unë kam si relikë të shenjtë të Lilianës, është fustani me shqiponjën të cilën ajo e qëndisi vetë, dhe krenaria me të cilën ajo shpalosi vallen popullore shqiptare ishte një mrekulli e vërtetë. Unë këtë fustan do ta ruaj gjithë jetën sepse më duket sikur e kam Lilianën me vete. Për mua Liliana Cingu do mbetet për gjithë jetën mikja dhe kolegia ime më e shtrenjtë.
Lili Cingu do të vazhdojë të jetojë në zemrat e gjithë shqiptarëve përmes artit të papërsëritshëm dhe kontributit të saj të madh të valles popullore shqiptare.
Gazmend Agaj