Fermerët protestojnë ndërsa BE-ja paralajmëron mbi ligjet për mjedisin
2024-05-03 14:57:39


Foto nga VCG

Europa është përfshirë nga të tjera protesta nga fermerë të zemëruar për reformën e propozuar të politikës bujqësore, pasi çështja po bëhet gjithnjë e më e diskutueshme në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian në muajin qershor.

Protesta u zhvilluan gjatë fundjavës së kaluar në qytetin spanjoll të Valencias, organizuar nga një lëvizje koordinuese e quajtur 6F, që ka dalë po nga protestat.

Protesta pati edhe në Lodz të Polonisë, ku pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta me sloganin “Polexit”, një referencë për tërheqjen e Mbretërisë së Bashkuar nga blloku dhe që u bë e njohur si “Brexit”.

Demonstratat u zhvilluan disa ditë pasi u publikua një letër e hapur, e nënshkruar nga shkencëtarët hulumtues në disa prej universiteteve më të mira të Europës, që paralajmëronte se ligji i planifikuar i BE-së për mirëmbajtjen e natyrës duhet të miratohet në partneritet me fermerët, ose do të dështojë.

Në negociatat për biodiversitetin COP15 në dhjetor 2022, Bashkimi Europian mbrojti lëvizjet që përfshinin reformën e subvencioneve bujqësore dhe kufizimet në përdorimin e pesticideve, por ato nuk janë pritur mirë.

Letra, e nënshkruar nga studiues nga Universiteti i Oksfordit, “ETH Cyrih” në Zvicër dhe Universiteti Wageningen në Holandë, përshkruan një realitet të ashpër.

“Në asnjë moment të historisë nuk ka pasur më shumë presion mbi fermerët. Ata janë përgjegjës për të ushqyer një popullsi gjithnjë në rritje. Dhe tani ne duam që ata të na shpëtojnë të gjithëve nga krizat globale të klimës dhe biodiversitetit, në të njëjtën kohë kur forcat e tregut vazhdojnë ta bëjnë situatën financiare më të vështirë. Ne kemi nevojë të dëshpëruar për tokën për të mbështetur një sektor bujqësor elastik. Ne kemi nevojë për politika për të fuqizuar fermerët që të jenë heronjtë që ne duam të jenë. Por për ta bërë këtë, do të na duhet gjithashtu të kursejmë hapësirë për natyrën”,- thuhet në letër.

Foto nga VCG

Çështje të tilla, si kriza e kostos së jetesës dhe importet më të lira të ushqimit nga Ukraina, kanë nxitur protestat e fermerëve në muajt e fundit, me shqetësimin në rritje se partitë e ekstremit të djathtë, që parashikohet të rrisin pjesën e tyre të votave gjatë zgjedhjeve, po e përdorin politikisht çështjen.

Disa vende anëtare të BE-së kanë tërhequr tashmë mbështetjen e tyre për legjislacionin, i cili ka hasur në dy vite të vështira për përgatitjen e tij.

“Politikat si ligji për natyrën i BE-së mund të jenë jetike ndërsa ne përpiqemi të shpëtojmë natyrën dhe të sigurojmë produktivitetin bujqësor në të gjithë Europën. Por këto politika do të funksionojnë vetëm nëse ndërtohen së bashku me fermerët. Nëse qeveritë mund të ofrojnë stimujt e duhur, ato mund të fuqizojnë fermerët për të krijuar një botë ku njerëzit dhe natyra mund të lulëzojnë së bashku”,- thuhet në leër.

Fermerët përbëjnë 4.2 për qind të fuqisë punëtore të Bashkimit Europian  dhe 1.4 për qind të produktit të brendshëm bruto të bllokut, por përplasja kulturore e praktikave dhe komuniteteve të punës, shpesh të vendosura prej kohësh, dhe atyre që perceptohen si burokratë të largët, ka përforcuar zërin e tyre në një peizazh politik që ka ndryshuar dukshëm që nga zgjedhjet e vitit 2019.

“Zgjedhjet e 2024-s do të jenë zgjedhje në vitin e fermerëve të zemëruar”,- tha Franc Bogoviç, deputet slloven i Parlamentit Europian, i cili është gjithashtu një fermer.

Ministri i Mjedisit i Sllovakisë, Tomas Taraba, nga Partia Kombëtare Sllovake e ekstremit të djathtë, ka mbështetur kundërshtimin e Hungarisë ndaj ligjeve, duke thënë se ato i japin BE-së shumë pushtet.

“Ne nuk duhet të përqafojmë idenë se mjedisi mund të mbrohet vetëm kur Brukseli vendos për të. Kjo duhet të pasqyrojë disponueshmërinë dhe përfshirjen e vendasve”,- tha ai.