Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm për sa i përket agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian. Si një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të vendit arsimi është pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020 dhe disa politikave të tjera të rëndësishme kombëtare që lidhen me zhvillimet në fushën e arsimit, si dhe bazuar në nevojën për planifikim cilësor.
Ekspertja Ermioni Cekani në intervistë për CMG
Në këtë drejtim Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka marrë vendimin për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, e cila synon integrimin e nënsektorëve të arsimit parauniversitar dhe të arsimit të lartë. Në aspektin e integrimit në BE, Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021-2026 është në koherencë të plotë me objektivat strategjike të kornizës Edukimi &Trajnimi 2020 për bashkëpunim midis vendeve të Bashkimit Evropian në fushën e arsimit dhe të formimit, me Kuadrin e ri të BE-së për kompetencat kyçe për të nxënit gjatë gjithë jetës, si dhe me objektivin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Sfidat mes të cilave ka ecur gjatë 30 viteve të fundit arsimi shqiptar janë të shumta. Ekspertja e arsimit, drejtuese e Agjencisë Trajnuese për arsimin pranë Botimeve “Polis”, Ermioni Cekani në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës flet për këto sfida dhe zhvillimet e reja në sektorin e arsimit.
CMG: Arsimi në Shqipëri ka evoluar përmes reformave, kurrikulave të reja, stafet arsimore, drejtuesit e tyre. Në fushën e arsimit janë krijuar dhe struktura e terminologji të reja, një ndër të cilat është dhe Agjencia e Trajnimit pranë Botimeve “Polis” që ju drejtoni. Të njihemi me veprimtarinë dhe synimet e kësaj agjencie.
Ermioni Cekani:Për shumë vite Ministria e Arsimit trajnimet profesionale të stafeve pedagogjike i zhvillonte me punonjësit e institucioneve të veta, të drejtorive arsimore, Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit Parauniversitar etj. Pas identifikimit të nevojave për zhvillimin profesional të punonjësve ku u morën temat për të cilat mësuesit kishin nevojë, Ministria e gjykoi të arsyeshme se ishte më mirë që këto trajnime të ofroheshin edhe nga agjencitë trajnuese të licensuara dhe të akredituara për të kryer trajnime për mësuesit e arsimit parauniversitar. Kësisoj u krijuan disa agjenci trajnimi. Ne jemi akredituar për herë të dyte dhe akreditimet bëhen për një periudhë 4 vjeçare dhe pas 4 vjetësh bëhet një bilanc i të gjitha rezultateve dhe një monitorim nga Ministria e Arsimit dhe më pas riakreditohesh ose jo në bazë të vlerësimit.
CMG: Ju thatë se kryeni trajnime për mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar. Cila është specifika e trajnimeve që kryeni si agjenci me mësuesit?
Ermioni Cekani: Ministria e Arsimit ka përcaktuar disa fusha se ku duhet të zhvillohen këto trajnime. Në bazë të fushave ne krijojmë një ekip me trajnerë dhe përzgjedhim tema, që mendojmë se mësuesit kanë më shumë nevojë. Qëllimi i agjencisë sonë trajnuese ka qenë që të krijojë një staf me trajnerë profesionistë dhe për këtë arsye trajnerët që kemi janë pedagogë në fakultetet e mësuesisë apo në fakultetet e edukimit në vendin tonë. Kjo i bën që të jenë më pranë problemeve të arsimit, të njohin më mirë metodikat dhe dinamikat e arsimit
Ideja është që jo një mësues të trajnojë një mësues tjetër, sepse janë në të njejtin nivel profesional, por trajnuesi të jetë një ekspert në atë fushë. I kemi kushtuar rëndësi të madhe jo vetëm dhënies së njohurive teorike, por dhe përfshirjes së tyre në praktikë. Mësuesit nuk ka nevojë të lexojnë vetëm libra, sepse literaturë ka plot dhe me përdorimin e internetit mund të gjesh informacione pafund, por mësuesit kanë nevojë më shumë për gjëra që i zbatojnë në përditshmërinë e tyre me nxënësit.
Agjencitë trajnuese janë të akredituara për arsimin parauniversitar, i cili fillon me nivelin parashkollor e deri në arsimin e mesëm.
CMG: Mësuesit pas trajnimit certifikohen?
Ermioni Cekani (Foto Linkedin)
Ermioni Cekani: Ministria e Arsimit ka përcaktuar dhe kreditet që do të ketë secili prej moduleve. Ne kemi aplikuar dhe konkurruar me agjencitë e tjera me disa module dhe janë përzgjedhur ato agjenci që Ministria e ka parë të arsyeshme për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë. Në fund të trajnimit, sipas udhëzimit, mësuesit pajisen me kreditet përkatëse dhe sipas legjislacionit, secili prej mësuesve e ka detyrim ligjor që të zhvillojë të paktën 3 ditë trajnimi në vit dhe të pajiset me kredite në njerën nga agjencitë e certifikuara nga Ministria e Arsimit.
CMG: Viti 2024 dhe arsimi në Shqipëri. Qeveria e cilëson arsimin si përparësi të veprimtarisë së saj për këtë vit, të cilin e ka shpallur “Viti i Gjuhës Shqipe”. Në opinionin tuaj, bazuar në përvojën tuaj të gjatë në arsim, si drejtuese e sektorëve të tij, cilat janë sfidat me të cilat përballet sot arsimi në Shqipëri?
Ermioni Cekani: Në arsimin shqiptar pas viteve 90-të i është kushtuar një rëndësi e madhe reformave. Çdo punë ka nevojë për t’u përmirësuar sepse gjërat ndryshojnë dhe duhet t’i përshtatemi. Gjithashtu ndryshojnë brezat, mendësia e tyre dhe njohuritë që këta breza kanë nevojë të marrin.
Nëse brezi ynë kishte nevojë të merrte njohuri të tjera për t’u përshtatur me shoqërinë në të cilën jetonte, brezat që janë aktualisht në arsimin parauniversitar kanë nevojë për njohuri të tjera që të përshtaten me shoqërinë e dijes.
Arsimi shqiptar ka kaluar shumë sfida dhe janë shënuar përmirësime dhe arritje, por ka ende shumë për të bërë. Një nga sfidat ka qenë reforma kurrikulare, e cila është zhvilluar here pas here, duke u pilotuar kurrikula të ndryshme në nivele të ndryshme të arsimit parauniversitar dhe më pas duke u marrë elementet më të mire që dolën nga ky eksperimentim dhe duke u krijuar një kurrikulë që përshtatet me shoqërinë.
Aktualisht në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar zbatohet kurrikula sipas të cilës nxënësit jo vetëm duhet të mësojnë, por të dine sit ë zbatojnë këto njohuri në jetën e përditshme. Pas studimeve që u kryen me kurrikula të ndryshme, që zbatoheshin në vendin tone, u konstatua që nxënësit shqiptarë kur mbaronin arsimin e mesëm dilnin me aftësi shumë të mira akademike, zotëronin matematikën, gjeometrinë, etj. por formimi i tyre çalonte përsa i përket aftësive praktike.
Po marr si shembull një aftësi praktike që po e quaj të munguar dhe ka nevojë për ndryshim. Nxënësit tanë mund të dine të zgjidhin një problem apo të njohin shumë gjuhë të huaja.
CMG: Këtë e kemi dëgjuar shpesh dhe nuk është një mit që sapo mbarojnë studimin parauniversitar disa prej nxënësve shqiptarë ndjekin studimet në universitete të ndryshme në Europë dhe përtej saj. Studentët shqiptarë shkëlqejnë në këto universitete, por sipas jush kjo ndodh me teorinë?
Ermioni Cekani: Ne kemi një pedagogji shumë të mire dhe të forte në shkollat tona, por i kushtojmë pak rëndësi pjesës së aftësive praktike. Për shembull, nëse dy adoleshentë zihen me njeri-tjetrin, ata nuk dine si të reagojnë në një situate të tillë. Këto raste zgjidhen me dhunë dhe kjo transmetohet brez pas brezi. Po të shohim sot studiot televizive ku debatohet dhe askush nuk dëgjon njeri-tjetrin, nuk duhet të harrojmë se këta individë kanë qenë më pare në kopësht, në klasë të pare
CMG: Pa ju këtu gjeni fillesën e mungesës së të dëgjuarit të tjetrit, të komunikimit ndryshe ?
Ermioni Cekani: Nxënësit tanë mund të kenë njohuri shumë të mira akademike, por kanë ende nevojë për të fituar aftësi bazë si të dëgjuarit, të komunikimit, apo të lexuarit. Kjo e fundit nuk nënkupton që ata nuk njohin shkronjat
CMG: Ndoshta individi veçmas është shumë i aftë, por ka mungesa në punën dhe komunikimin në grup
Ermioni Cekani gjatë punës në Drejtorinë Arsimore Kamëz
Ermioni Cekani: Kjo është një karakteristikë që e kemi ne shqiptarët, por duhet ta ndryshojmë. Këtë ndryshim e bën vetëm arsimi, duke filluar që në fëmijërinë e hershme, në arsimin parashkollor, sepse më vonë është më e vështirë të ndryshosh një individ për ato aftësi që ai i ka fituar hershëm.
CMG: Po t’i referohemi përvojave pedagogjike edhe të para viteve 90-të, kur flitej për edukimin në tërësi të një fëmije, që në këtë rast mund të ishte një 8 vjeçar, pedagogët e njohur botërorë thonin se është tepër vonë për ta edukuar atë.
Ermioni Cekani: Tani kanë ndryshuar teoritë dhe thonë që edukimi fillon që në barkun e nënës, por të paktën të fillojmë në fëmijërinë e hershme, që përfshin moshën 2-8 vjeç, sepse aktualisht është 2-6 vjeç. 6 vitet e para për një fëmijë janë si themelet e godinës së një ndërtese dhe më pas mund të ndryshosh fasadën, ngjyrat, por karakteri dhe aftësitë merren që në atë grupmoshë. Kësaj gjëje i është kushtuar rëndësi e madhe nëpërmjet kurrikulës me kompetenca. Kurrikula është një nga sfidat e sistemit parauniversitar, por ka dhe sfida të tjera. Për shkak të ndryshimeve që janë bërë, baza ligjore, legjislacioni duhet t’i përshtatet ndryshimeve që bëhen here pas here në të gjitha nivelet e arsimit. Ka pasur ndryshime dhe përshtatje të ligjit, por ende ka pjesë të tjera për t’u ndryshuar.
Për shembull, arsimi parashkollor i ka kaluar bashkive, në kuadrin e decentralizimit, por ende baza ligjore nuk ka ndryshuar për këtë gjë dhe ka një varësi dyfishe.
CMG: Një lajm i shumëtrajtuar në media ishte se Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye në vitin 2022. Sipas ekspertëve, arsyet e këtij rezultati janë dështimi i kurrikulës, përdorimi i teknologjisë pa kriter, pagat e ulëta, rënia e autoritetit të mësuesit dhe modelet e suksesit të pabazuara. Vlerësimi juaj për këtë.
Ermioni Cekani: Në fakt, rezultatet e fundit ishin paksa shokuese për opinionin sepse pas kaq vitesh ne prisnim të kishim një rritje në këtë testim ndërkombëtar, por ndodhi e kundërta dhe patëm rënie. Ky testim zhvillohet në lëndët lexim, matematikë dhe shkencat e natyrës. Të kesh rezultate shumë të ulëta në lëndën e leximit, nuk do të thotë që nxënësit nuk dine të shkruajnë dhe të lexojnë. Kjo do të thotë që ata shkruajnë, por nuk dine të mendojnë dhe të kuptojnë atë që shkruajnë dhe kjo është më e rëndë se sa të mos i njohin shkronjat.
Kjo shkon deri në shkollën e lartë, Për shembull një pedagog nëse do t’i jepte një studenti të bënte një ese, studentët dine të flasin mire lirshëm, por kur bëhet fjalë për të hartuar një ese për një temë të caktuar, sidomos kur u përcakton dhe numrin e fjalëve, kjo është e vështirë për t’u bërë.
Për këtë dukuri kemi faj të gjithë, duke filluar nga arsimi parashkollor deri në arsimin e lartë.
CMG: Sepse funksionon si një zinxhir dhe një hallkë të shkëputet dështon procesi
Ermioni Cekani: Eksperienca në punë më ka bërë që të punoj në të gjitha nivelet e arsimit dhe i njoh shumë mire pikat e dobta dhe të forta të tij. Janë bërë ndryshime të mëdha, sepse më pare kishim mësimdhënien me në qendër mësuesin, ndërsa tani kemi në qendër nxënësin. Kjo gjë duhet pare praktikisht sepse nëse monitorohen orët e mësimit do të shohim një mësues që vazhdon të flasë dhe nxënës që e dëgjojnë.
CMG: Teknologjia është një sfidë tjetër. Ajo po ze gjithnjë e më shumë kohë në jetën tone të përditshme. Ndërsa në panele të ndryshme vërehen disa dukuri sfiduese në jetën shkollore, ku në qendër është nxënësi. Disa prej këtyre dukurive kanë ekzistuar më pare, njëra prej tyre dhe bullizmi. Por dhe nxënësit me aftësi ndryshe nëpër shkolla përbëjnë një realitet të ri. Çfarë vëreni lidhur me këto në trajnimet tuaja?
Ermioni gjatë trajnimeve të mësuseve (Foto Facebook)
Ermioni Cekani: Gjithëpërfshirja është një nga 9 parimet e kurrikulës që zbatohet në arsimin tone parauniversitar. Vitet e fundit kësaj i është dhënë një rëndësi e madhe dhe është bërë mire sepse sipas studimeve u vu re që nxënësit me aftësi të kufizuara trajtoheshin në shkolla speciale ku përfitonin shumë më pak se sa të vijojnë studimet në një shkollë normale. Gjithëpërfshirja shoqërohet me shumë dukuri të tjera. Nuk janë shumë probleme që lidhen me nxënësit në shkollat normale që i pranojnë lehtë nxënësit me aftësi të kufizuara, por problemi më i madh është me prindërit që nuk duan nxënës me aftësi të kufizuara në klasat ku mësojnë fëmijët e tyre.
Nxënësit në këtë grupmoshë e kanë shumë të zhvilluar aftësinë e imitimit dhe imitojnë bashkënxënësit që kanë probleme të ndryshme, por kjo nuk duhet të jetë pengesë që nxënësit me aftësi ndryshe të përfshihen në arsimin parauniversitar. Ata përfitojnë më shumë në këtë mënyrë dhe kostoja jo vetëm për familjet, por dhe për vendin do të jetë shumë më e lartë dhe pozitive, sepse ata do të bëhen të aftë. Përveç kësaj nxënësit që janë në klasa të përziera do të bëhen më empatikë, duke u kujdesur për një nxënës tjetër me aftësi ndryshe dhe duke e trajtuar atë si të barabartë.
Bullizmi ka ekzistuar dhe më pare, por ndoshta nuk kishte këtë emër. Megjithatë dukuria e bullizmit aktualisht është shumë e thelluar.
CMG: Ndoshta sepse tani është shtuar teknologjia, që e bën bullizmin më të dukshëm dhe më të dëmshëm
Ermioni Cekani: Nëse më pare kishim shumë lidhje sociale me njeri-tjetrin dhe ndonjë ngacmim në shkollë mund të zbehej gjatë ditës, tani lidhjet mes nxënësve janë komunikimi në internet dhe shumë pak lojra sociale së bashku. Kemi bullizëm fizik, social, racor, seksual për të gjitha aspektet si dhe kemi bullizëm të fshehtë, në kuptimin që një nxënës lihet mënjanë, i përjashtuar, pa i folur dhe kështu ndihet ndryshme nga të tjerët. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në të gjithë formimin e tij, së pari në vetëvlerësimin e tij dhe pastaj në të gjitha proceset e mëvonshme.
Do të kisha një sugjerim për Ministrinë e Arsimit apo organet e tjera që merren me arsimin: ka ardhur koha që në vendin tone të vendoset lënda e empatisë, dhembshuria për tjetrin. Nxënësi para se të ngacmojë dike tjetër të ketë marrë njohuri se duke u vënë në vendin e tjetrit, si do të ndihet. Lëndën e empatisë e zhvillojnë vende si Danimarka, që në arsimin parashkollor e deri në arsimin e mesëm.
Ne me këtë natyrë mesdhetare, impulsive që kemi si dhe duke qenë paragjykues apo gjykues, ndonëse kanë ndryshuar gjëra, por e kemi të domosdoshme futjen e lëndës së empatisë në shkolla. Mund të vendoset në fillim me zgjedhje, por për mua do të ishte më mire e detyrueshme.
Këto do të ndryshojnë karakterin e nxënësve, sepse një nxënës që sot është 15 vjeç, pas 10 vjetësh do të jetë 25 dhe do të krijojë familjen e tij, do të ketë fëmijët e tij dhe shkon procesi zinxhir. Ndryshimi fillon në arsim dhe vazhdon tek shoqëria.
Kemi shumë për të bërë në këtë drejtim. Flasim vazhdimisht për bullizmin ndaj nxënësve, apo kur mësuesit i bullizojnë nxënësit, por harrojmë të flasim për bullizmin që u bëhet mësuesve nga nxënësit apo nga prindërit e nxënësve.
Pjesë nga trajnimet me mësues (Foto Facebook)
CMG: I keni hasur gjatë trajnimeve tuaja këto probleme?
Ermioni Cekani: Në trajnimet tona kur kemi shkëmbime të mendimeve dhe përvojave të mësuesve këto shqetësime i ngrenë shpesh here. Një mësuese më tha në trajnim se pavarësisht se bëhet objekt bullizmi nga nxënësit, i le ata të flasin, sepse e kërcënojnë me filmime. Ndaj mësuesja për të ruajtur vendin e punës bën një kompromis.
CMG: Ky është një kompromis shumë i dëmshëm për të dy palët
Ermioni Cekani: Kur një mësues nuk ndjehet mire nga nxënësit, apo kolegët, nga mjedisi social në shkollë dhe nuk ka kushtet për të patur një kompjuter personal, por i duhet të punojë në shtëpi, si përfundim do të kemi mësues të lodhur, me lodhje emocionale, mësues të depersonalizuar, Të gjitha këto janë të lidhura me njera-tjetrën dhe pasqyrohen tek performance e ulët e mësuesit dhe e mësimdhënies.
Intervistoi Eda Merepeza