Pronat e paluajtshme, vend të parë në investimet e huaja në Shqipëri Bisedë me Reinaldo PIPIRIA, Kryetar, NAREA, Shoqata e Operatorëve të Pronave të Paluajtshme të Shqipërisë
2024-05-03 10:44:36

Investimet e huaja në prona (Foto Revista Monitor)

Investimet e huaja në prona (Foto Revista Monitor)

Edhe gjatë vitit 2023, investimet e huaja në blerjen e apartamenteve, dyqaneve, vilave etj., pra në pasuri të paluajtshme, kryesuan për të dytin vit radhazi investimet e huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri. Që nga viti 2022, sektori i pasurive të paluajtshme është kthyer në sektorin e preferuar të investuesve të huaj.

Vetëm në vitin e kaluar, kompanitë dhe individët e huaj kanë blerë në Shqipëri pasuri të paluajtshme me vlerë 325 milionë euro, në formën e pallateve, qendrave rekreative, vilave dhe apartamenteve. Kjo përfaqëson shifrën më të lartë të dekadës së fundit. Në raport me vitin 2022, investimet në pronat e patundshme nga të huajtë janë rritur me 34 milionë euro.

Pronat e blera nga të huajtë janë kryesisht në bregdet, por edhe në Tiranë, Durrës dhe në qytetet e tjera kryesore të vendit. Ato përdoren si për pushime, ashtu edhe për qëllime biznesi.

Ndikim në këtë shtim të vlerës së investimeve në këtë sektor po jep edhe rritja e çmimeve të pronave në vend, që ka marrë hov, pas vitit 2019. Ndërkohë, qe nga viti  2014, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme në Shqipëri kanë arritur shifrën e 1 miliardë e 260 milionë eurove.

Investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme (Foto Scan Tv)

Investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme (Foto Scan Tv)

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në vend arritën vlerën e 95 milionë eurove, ose 24 përqind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin 2023 arritën vlerën e 222 milionë eurove. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 20% të investimeve të huaja për këtë vit.

Blerjet e shtetasve të huaj në vitet e fundit kanë qenë një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave, sidomos në periudhën pas pandemisë nga Covid-19.  

Me rritjen e pritshme të numrit të turistëve të huaj në sezonin e verës për këtë vit, por edhe në stinët e tjera të vitit, banka jonë qendrore parashikon rritje të ndjeshme të investimeve të huaja në pronat e patundshme në Shqipëri.

Edhe investimet e huaja në tërësi, kanë vijuar të rriten ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, duke arritur pikun në 1.5 miliardë euro për vitin e kaluar, ose 120 milionë euro më shumë, në raport me vitin 2022.

CMG: Z. Pipiria, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2023, investimet e të huajve në pronat e paluajtshme në ekonominë tonë arritën në 22 përqind të totalit, duke zënë vendin e parë për vitin e dytë rradhazi. Si u arrit ky nivel i lartë, në gjykimin tuaj?


Eksperti Reinaldo Pipiria në intervistë për CMG

Eksperti Reinaldo Pipiria në intervistë për CMG

Reinaldo Pipiria: Në fakt, ka qënë rrjedhshmëri e disa viteve në Shqipëri. Duhet të kemi qënë në fund të vitit 2023, megjithëse statistikat nuk janë përpunuar ende. Duhet të kemi kapur nivelin e mbi 300 milionë eurove investime direkte në pasuri të paluajtshme.

Kjo nisi gjatë viteve 2019-2020, edhe për shkak të efekteve të pandemisë, në kohën kur Shqipëria kishte një hapje pak më të shpejtë se sa ajo e vendeve te tjera, edhe për shkak të marketingut që ka kryer qeveria shqiptare, si një vend i pazbuluar akoma.

Shqipëria, një nga vendet e fundit në Europë të pazbuluar për turizmin, ka tërhequr vemendjen jo vetem të tregjeve tradicionale që kanë qënë në të shkuarën, por edhe të tregjeve të Europes Perëndimore ndoshta edhe të Amerikës dhe Azise.

Nga disa statistika të Bankes se Shqiperise, rezulton se 66 perqind, pra 2/3 e investimeve të huaja direkte në pasuri të paluajtshme janë kryer nga shtetas të vendeve te Bashkimit Europian.

Tregjet tradicionale në të shkuarën kanë qënë tregje të Europës Lindore dhe pak nga Europa Qendrore, ndërkohë që në  vitet e fundit kemi parë shtetas nga vendet e Europës Perëndimore më tepër, të Europës Veriore, pjesa e Skandinavisë, por kemi edhe bleres që vijnë nga përtej oqeanit.

Ky është marketing i mirë i vendit , por edhe marketing i mirë i sektorit, me zgjidhjet që ky sektor ka ofruar për këdo blerës të huaj. Jo vetem me blerjen, por edhe me menaxhimin e pasurisë së paluajtshme. Të gjitha këto kanë sjellë këtë nivel të kënaqshëm sot.


CMG: A do të ruhet ky nivel dhe a do të rritet gjatë këtij viti?


Reinaldo Pipiria: Me të gjitha parashikimet, qoftë edhe për performimin akoma më të mirë të sektorit të turizmit, me një rritje 30-40 përqind, por në të njëjtën kohë, edhe me një zhvillim dhe strukturim të sektorit të pasurive të patundshme, ne në NAREA, në shoqatë, kemi disa komunikime brenda Europës dhe po presim disa delegacione biznesi, që do të vijnë nga periudha qershor deri në shtator 2024.

Do të kemi Panairin e Pasurive të Patundshme të Shqipërisë, që do zhvillohet në mes te qershorit 2024. Kështu që të gjithë aktorët, bashkë me ekzekutivin, me qeverinë, po punojnë për të rritur komunikimin për mundësitë r pronave të patundshme këtu, në të mirë të Shqipërisë, për të tërhequr akoma më shumë investime të huaja direkte në sektor.

Unë mendoj se  jo vetëm do të ruhet ky nivel, kjo statusquo, por do të këtë rritje. Kemi parë edhe tregje që nuk i kishim parë më herët, si austriakë dhe shtetas  anglezë, me banim në Angli, por edhe shtetas që vijnë nga Amerika.

Është interesant fakti se, brenda sektorit financiar në Shqipëri, ka të paktën një bankë, e cila është gati të financojë blerjet e të huajve në Shqipëri, aty ku risku është i zbutur.

Ka edhe elementë që i bëjnë më atraktive dhe i nxisin investimet në pasuri të patundshme në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë që mund të ketë investuesi.

Blerja e pronave nga të huajt (Foto Kapitali.al)

Blerja e pronave nga të huajt (Foto Kapitali.al)

CMG: Cilat do të jenë trendet kryesore të zhvillimit të tregut të pasurive të patundshme për këtë vit në qytetet kryesore të vendit dhe në mbarë Shqipërinë?


Reinaldo Pipiria: Dy janë efektet që kemi parë në vitet e shkuara. Një moment, kur u lançua projekti i Durrësit Turistik “Apartamente dhe Marinë”, ka patur hyrje të kompanive  nga Çekia dhe Polonia të cilët blinin apartamente seri afër Durrësit , për ta bërë atraktive për shtetasit e tyre që vinin me pushime.

Kjo ndodh, ngaqë e kuptojnë se, në momentin që ky projekt i madh përfundon, patjetër që tek e gjithë zona, ku është vendosur porti i sotëm dhe ku do të sistemohet projekti i ri, rreth e rrotull do të rivlerësohen pasuritë e patundshme dhe do të rriten edhe çmimet në Durrës.

Në fakt, kjo ka nisur. Çmimet në Durrës kanë përjetuar rritje të shpejtë. Një nga arsyet është se apartamentet afër zonës së portit tregtar, kaluan nga 1100-1200 euro/m2  në 1500 euro/m2.

Pra, zona mori një vëmendje dhe shohim të ketë gjallërim të qytetit te Durresit.

E dyta është dhe projekti turistik në Vlorë. Ka një marinë që po zhvillohet edhe atje. E njëjta gjë do të ndodhë më tej edhe me projektin e ishullit të Sazanit, edhe më në Jug të vendit.

Kudo ku ka projekte cilësore të mira, por edhe emra, brende ndërkombëtare, patjetër që ka tërheqje dhe rritje të imazhit të Shqipërisë.

Të njëjtën gjë kemi parë edhe me tregun e spanjollëve, kur rrjeti hotelier i tyre Melia  hyri në Shqipëri.

Vendi mori një vëmendje dhe kishte grupe më të mëdha  turistësh që vinin nga Spanja për në Shqipëri, sepse i besonin brendit që kishte investuar në Shqipëri.

E ngjashme mendoj se ishte edhe tërheqja e nordikëve drejt Shqipërisë. Ka qënë një nga efektet zinxhir, pasi ata ishin në Spanjë dhe ata panë që një brend i Spanjës  u zhvillua edhe në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri.

Duke  ditur që gjithë Europa këto dy vitet e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, ka kaluar në presione të larta inflacioniste, turistët në Europë po shohin tregje të arsyeshme,  në raportet çmim-cilësi. Kjo i bëri që të lëvizin nga Greqia dhe  Kroacia, ku që të dyja janë bërë të shtrenjta, dhe të fokusoheshin pak më tepër në Shqipëri.


CMG: Në këtë kohë që flasim, kemi me mijëra apartamente të listuara në platformën AirBnb, të ofruara për qira ditore nga familjet në Shqipëri. A e shton interesimin për Shqipërinë dhe pronat e paluajtshme të saj ky tregues?

Reinaldo Pipiria: Historikisht dy kanë qënë modelet.

E para, shumica e shtetasve të huaj që kanë blerë në Shqipëri, qoftë individ, qoftë kompani, kanë marrë shërbim të menaxhimit të pasurisë së paluajtshme gjatë gjithë vitit, pra 12 muaj , duke bërë kthimin në investimin që ata kishin në Shqipëri në nivele 6, 8 apo 10% në vit.

Një pjesë, për shkak të qirasë dhe një pjesë, për shkak të rritjes së vlerës së pronës. Kjo ka qënë shumë mirë dhe e dyta ka qënë performanca e sektorit të AirBnb, që i ka zgjuar interes blerësve të huaj.

Jo investitorëve të huaj apo investitorëve strategjikë, por blerës që kanë thënë: “Le të kemi një apo dy shtëpi në Shqipëri. Le t’i japim ato bashkëkombësave tanë me qira ditore, kur ata të jenë në Shqipëri”.

 Besoj ky ka qënë strategjikisht qasja për çekët, polakët, për italianët, etj.. Ndërkohë që kanë investuar në Shqipëri dhe e kanë dhënë me nënqira.


CMG: A është koha për të ndryshuar çmimet e referencës në Tiranë dhe në zonat bregdetare, apo duhet pritur edhe pak?

Reinaldo Pipiria: Gjithmonë është koha për të parë, kontrolluar tregun apo reflektuar çmimet reale të pasurive të paluajtshme gjatë gjithë kohës në treg. Vendet perëndimore e rishikojnë këtë gjë çdo vit.

Dhe nuk po flas vetëm për çmimet e referencës, por për të gjithë politikën që ka të bëjë me  pasuritë e paluajshtme, qoftë për arsye komerciale, qoftë për arsye strehimi.

Mendoj që Shqipëria duhet të merret seriozisht me politikat fiskale, të cilat kanë të bëjnë me pasuritë e paluajtshme, që më pas mos të pyesim veten: a duhen parë çmimet e referencës?, por në çdo moment të aksesojme historikun e pronës me vlerën reale që ka në treg, por edhe me gjithë barrën fiskale që të vjen, kur ti investon në një pasuri të paluajtshme.


CMG: A shikoni risk që sektori i ndërtimit të ketë ngopje dhe dukuri “flluskë” të tregut të ndërtimit, sidomos në sektorin e pasurive të paluajtshme?

Reinaldo Pipiria: Mendoj që atë që kemi bërë në të shkuarën, domethënë investimi në pasuri të paluajtshme është bërë mirë dhe ndërtimi i ka shërbyer kësaj dite.

Nëse vizioni ynë është që pjesa e turizmit të jetë një nga shtyllat e ekonomisë, besoj se do të duhet të rritet  në mënyrë të kujdeshme edhe sektori i pasurive të paluajtshme, duke siguruar një ofertë.

Ne sot kemi presione inflacioniste brenda sektorit, për shkak të sektorit të turizmit, të qirave ditore, por dhe për shkak të një kërkese, e cila ka qënë e akumuluar për një kohë të gjatë.

Duhet të kemi parasysh që dikur, andej nga vitet 2008-2016, nuk ka patur ndërtime në Tiranë. Pastaj u zhvillua sektori i turizmit, si dhe ndryshoi mentaliteti i të jetuarit, edhe për shkak të pandemisë nga Covid-19.

Sot ka një kërkesë e cila duhet të shërbehet. Nëse i referohemi flluskave në të shkuarën, duhet të shikojme komponentët që kanë shërbyer në ngritjen e kësaj fllukse.

Sot sektori bankar është shumë i kujdesshëm në financim, ndryshe nga ç’ka qenë në vitin 2008 në Amerikë. Edhe në Shqipëri, kemi mbulim të plotë të kolateralit bankar. Edhe në vlerësimin e riskut të huasë në bankën tregtare që jep kredinë,  nuk rimbursojnë më shumë se 120%  të mbulimit me kolateral.



CMG: Ju faleminderit!