Akuzat ndaj Kinës për "mbikapacitetin" e makinave elektrike si justifikim për proteksionizmin tregtar.
2024-05-03 15:20:33

Me rritje të shpejtë dhe përmirësim të vazhdueshëm në strukturën e saj industriale, Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në industritë e reja të energjisë në vitet e fundit, si automjetet elektrike, produktet diellore, bateritë e litiumit, etj. Prodhimi i tyre jo vetëm që ka përmbushur nevojat e brendshme për energji të pastër, zhvillim cilësor, por gjithashtu po plotëson nevojat për tregun global, duke luajtur një rol të rëndësishëm në adresimin e sfidave në ndryshimet klimatike dhe tranzicionin e gjelbër global. Megjithatë, ky zhvillim ka ngjallur reagime në vendet e zhvilluara për sa i përket kapacitetit të prodhimit industrial të Kinës. Në konceptin e "mbikapacitetit" të prodhimit, është pretenduar se Kina po hedh në tregjet e huaja mallra të lira, veçanërisht ato në industritë e reja të energjisë, duke i shtyrë nivelet e prodhimit përtej kërkesës së brendshme.

Foto:VCG

Pavijoni i "BYD"-së, prodhues kinez i makinave të energjisë së re, IAA MOBILITY, 6 shtator 2023, Mynih,  Gjermani(Foto:VCG)

Koncepti i mbikapacitetit si koncept ekonomik ndodh kur aftësitë prodhuese të një industrie ose biznesi, tejkalojnë kërkesën aktuale të tregut për mallrat dhe shërbimet e saj. Mbikapaciteti mund të rezultojë nga faktorë të tillë si përparimi i shpejtë teknologjik, globalizimi, stimujt apo incentivat e qeverisë që inkurajojnë prodhimin industrial.  Në një treg të hapur të integruar në nivel global, bizneset kineze marrin në konsideratë kërkesën si nga tregu vendor, ashtu edhe atë të tregut ndërkombëtar, një praktikë standarde për bizneset në mbarë botën.

Nicholas Lardy, nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, nënvizoi në një intervistë me agjencinë e lajmeve Xinhua se "ideja e pretenduar e mbikapacitetit industriail është se nuk duhet të prodhosh më shumë se sa mund të shesësh brenda vendit”. Nëse kjo do të ndodhte do të arrihej në një ekstrem, që vendet të prodhonin vetëm për t’ju përgjigjur kërkesës së brendshme nuk do të kishte tregti globale. Në epokën e globalizimit ekonomik, Jin Xiandong, një zyrtar i Komisionit Shtetëror të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës tha se si oferta ashtu edhe kërkesa i kapërcejnë kufijtë kombëtarë. Vendet priren të kenë kapacitet më të lartë prodhimi në industritë e tyre konkurruese, por kapacitet më të ulët industrial në sektorë të tjerë jo aq konkurrues. Kjo përcaktohet nga avantazhet e tyre krahasuese.

Foto:VCG

Foto:VCG

Nga një këndvështrim global, kapaciteti prodhues në sektorin e energjisë së re është larg të qenit i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën globale. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që deri në vitin 2030, kërkesa globale për automjete të reja me energji do të arrijë në 45 milionë  njësi më shumë se trefishi i vëllimit të shitjeve globale në 2023, dhe 4.5 herë më shumë se në 2022. Kërkesa globale për instalime të reja fotovoltaike do të arrijë në 820 gigavat, rreth katër herë më shumë se kërkesa e vitit 2022. Për të luftuar fenomenin e ngrohjes globale, nevojiten shtatë teravat shtesë të kapacitetit të energjisë së rinovueshme. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme në vitin 2023 vlerësoi se kapaciteti global i energjisë së rinovueshme duhet të rritet me rreth 1000 gigavat në vit, deri në vitin 2030, për të arritur objektivat e marrëveshjes se Parisit[1].

Kapaciteti aktual i prodhimit është larg plotësimit të kërkesës së tregut, veçanërisht kërkesës së madhe potenciale për produkte të reja energjetike në shumë vende në zhvillim. Rritja e prodhimit dhe çmimet konkurruese nuk janë një politikë e lidhur me dumping, por kjo i atribuohet efikasitetit të lartë, konkurrencës së fortë të automjeteve elektrike kineze, avantazheve të inovacionit në teknologji, zinxhirëve të furnizimit dhe infrastrukturës .  Sektori i ri energjetik i Kinës po zhvillohet në kushtet e avantazhit të një tregu në shkallë jashtëzakonisht të madhe, një zinxhir industrial gjithëpërfshirës që përmbledh kërkimin dhe zhvillimin e materialeve, dizajnin inxhinierik, prodhimin dhe montimin përfundimtar, si dhe burimet e pasura njerëzore. Ndërmarrjet ulin kostot e prodhimit përmes inovacionit teknologjik.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke përfituar nga tranzicioni global i gjelbër, zhvillimi i qëndrueshëm i Kinës në sektorin e ri të energjisë dhe ofrimi i kapaciteteve të prodhimit me cilësi të lartë, jo vetëm që u shërbejnë nevojave të veta për zhvillim me cilësi të lartë, por gjithashtu japin një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet globale për të adresuar dhe promovuar mjedisin e gjelbër dhe transformimin me karbon të ulët.   Në raportin e IEA në 2023 nënvizohet se investimi i Kinës në zinxhirët e furnizimit me energji të pastër ka qenë i dobishëm në uljen e kostove për teknologjitë kryesore në mbarë botën, me përfitime të shumta për tranzicionin e energjisë së pastër. Analizat nga ekspertët kanë hedhur poshtë argumentin e “mbikapacitetit’’ ngritur nga vendet e zhvilluara duke dëshmuar se ai është një justifikim për proteksionizmin, dhe bie ndesh me parimet ekonomike, si dhe do të pengojë përpjekjet globale të dekarbonizimit.

Burimi : Global Times

Eksporti nuk do të thotë mbikapacitet i prodhimit industrial.  Në një ekonomi globale me një shkallë të lartë të ndarjes së punës dhe specializimit, prodhimi dhe kërkesa nuk mund të kufizohen në një vend apo rajon të vetëm, dhe është normale që një vend të ketë kapacitet më të madh prodhues mbi kërkesën e tij të brendshme. Për shembull, më shumë se 80 për qind e shitjeve të kompanive gjysmëpërçuese amerikane janë për klientët jashtë shtetit dhe rreth 80 për qind e makinave të prodhuara në Gjermani eksportohen. Gjigantët e avionëve komercialë Airbus dhe Boeing eksportuan shumicën e avionëve të tyre në vende të tjera. Airbus dorëzoi 735 avionë komercialë për 87 klientë në mbarë botën në vitin 2023, dhe Boeing dorëzoi 528 avionë komercialë në 2023. Ndërkohë, produktet e teknologjisë së pastër të Kinës, si makinat elektrike, panelet diellore dhe bateritë litium-jon, përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të eksporteve të industrisë përpunuese të Kinës, afërsisht 4.5 për qind vitin e kaluar, shumë më e ulët se ajo e Gjermanisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Gjithashtu sipas të dhënave të Global Times tregojnë se në vitin 2023, eksportet e makinave të Kinës përbënin vetëm 15.9 për qind të prodhimit vendas. Raporti i eksporteve ndaj prodhimit është shumë më i ulët se në vendet e tjera prodhuese të makinave si Gjermania, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Foto:VCG

Foto:VCG

Prof. Dr. Petraq Milo


[1] Marrëveshja e Parisit për Klimën është një marrëveshje ndërkombëtare, e cila adreson ndryshimin klimatik. Ajo u miratua nga 196 palë në Konferencën e Palëve 2021 që u mbajt në Paris më 12 dhjetor 2015. Marrëveshja hyri në fuqi më 4 nëntor 2016 dhe i detyron ligjërisht palët për zbatimin e saj. Qëllimi është të kufizohet ngrohja botërore nën 2 gradë celsius, pra në nivelin ku ka qenë para revolucionit industrial. Për arritjen e këtij qëllimi afatgjatë, shtetet synojnë të ulin emisionet e tyre të gazërave të serrës për të patur një botë karbon-neutrale deri nga mesi i shekullit 21.