Nuk është koha që Kina dhe SHBA të grinden!
2024-05-02 09:50:02

Sekretari Amerikan i Shtetit , Antony Blinken, bëri javën e kaluar një vizitë në Republikën Popullore të Kinës. Fillimisht shkoi në Shangaj, ku kryejnë veprimtarinë e tyre prodhuese mbi 1000 sipërmarrës amerikanë dhe më pas takoi të premten e shkuar autoritetet kineze në kryeqytet, në Pekin. U duk se zoti Blinken shkoi në Kinë për të hulumtuar pikat e përbashkëta të bashkëpunimit dhe për të dhënë mesazhe për mirëkuptim në ruajtjen e ekuilibrave dhe harmonisë së paqes në botë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në fakt, pas kthimit të tij në SHBA akuzat kundër Kinës u rritën. Në vend të kujdesit për të krijuar klimën e mirëbesimit, sekretari Blinken hodhi akuza të ashpra kundër Pekinit në disa drejtime. Akuza kryesore ishte sa i përket bashkëpunimit ekonomik midis Kinës dhe Rusisë. Ndërkohë presidenti amerikan, Biden, nënshkroi një ligj, sipas të cilit, nëse kompania kineze nuk i shet një kompanie amerikane markën e komunikimit online Tik-Tok, atëherë pas 12 muajsh kjo platformë do të mbyllet në territorin e SHBA-ve. Pas kësaj dihet që amerikanët do të bëjnë presion te partnerët e tyre, me qëllim mbylljen e kësaj platforme gjithandej.

E njëjta taktikë konfliktuale zhvillohet edhe në raport me Tajvanin. Ndonëse Kina dhe SHBA-të kanë një marrëveshje për njohjen e një Kine, autoritetet amerikane vazhdimisht kanë vënë në dyshim ekzistencën e një Kine të vetme, në të cilën përfshihet Tajvani. E vetmja klauzolë, të cilën Kina e ka respektuar, është që ishulli 33 milionësh i Tajvanit të bashkohet paqësisht me Republikën 1.4 milardëshe të Kinës. Dhe në fakt qeveritë kineze e kanë repsektuar këtë klauzolë, si mjet për të respektuar paqen dhe sigurinë në rajon, në kontinentin aziatik, si dhe në planet.

Por çfarë po ndodh? SHBA-të kanë miratuar një buxhet prej tetë miliard dollarësh për të ndihëmuar në forcimin e aftësisë mbrojtëse të Tajvanit, edhe pse ai nuk njihet prej gati 50 vitesh si shtet sovran, pas pranimit të Republikës Popullore të Kinës në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit. Që prej asaj kohe është rënë dakord që të dy vendet, si dhe vende të treta anëtare të OKB-së të mos e njohin pavarësinë e shtetësinë e Tajvanit, ndërkohë që këto shtete kishin pranuar ekzistencën e një Kine të vetme. Parimi i njohjes së një Kine të vetme ka qenë në thelbin e politikave në marrëdhëniet ndërkombëtare të Pekinit. Asnjëherë nuk është pranuar lidhja e marrëdhënieve diplomatike me një vend, i cili i mban këto marrëdhënie me Taipein.

Foto:VCG

Anija ushtarake amerikane Ralph Johnson lundëron në ujërat e ngushticës së Tajvanit, 2023(Foto:VCG)

Por vitet e fundit SHBA-të po përpiqen ta ndryshojnë këtë realitet. Ikja prej përgjegjësisë së pranuar në marrëveshjen mes palëve është gjithmonë burim konfliktesh dhe tensionesh midis shteteve e sidomos midis Fuqive të Mëdha. Aktualisht në Uashington po ndiqet pikërisht linja e konfliktit me Republikën Popullore të Kinës. Dhe kjo ndodh në një kohë që Kina dhe qeveria e saj ruajnë një lloj balance në marrëdhëniet e saj me aleaten e vet, Moskën. Së paku, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare Pekini ka kërkuar respektimin e sovranitetit të Ukrainës si shtet dhe nuk e ka njohur kurrë aneksimin rus të Krimesë. Ky fakt do të duhej të shërbente për çdo vend e Fuqi Perëndimore që i përkushtohet paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, për të shtuar dozat e bashkëpunimit me Pekinin dhe në këtë mënyrë për të rritur mirëkuptimin sa i përket arritjes së paqes, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në konfliktin midis Izraelit dhe palestinezëve.

Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës i ka kundërshtuar pretendimet amerikane për atë që sipas Uashingtonit “Kina luan rol destruktiv në rajonin e Kinës Lindore dhe Juglindore”. Kundërshtimet kineze duken për veshin e një vëzhguesi të paanshëm më të argumentuara sesa akuzat dhe pretendimet amerikane. Sa kohë që Republika Popullore e Kinës i përmbahet p.sh mënyrës paqësore të realizimit të projektit të krijimit të një Kine, duke bashkuar me vendin e saj edhe ishullin e Tajvanit, aq kohë Pekini nuk mund të fajësohet për destabilitet. Ndërkohë që ndërhyrja e SHBA-ve në mbështetje të separatistëve në Tajvan vlerësohet si provokim për rajonin.

Foto:VCG

Anthony Blinkeni takohet me kryediplomatin kinez Wang Yi në Pekin, 26 prill 2024(Foto:VCG)

Është krejt e qartë se edhe amerikanët kanë interesat e tyre në rajonin në fjalë. Ndërkaq intervenimi me ndihma ushtarake për mbrojtjen e këtyre interesave si në Azi, si kudo gjetkë i cilës do Fuqie të Madhe, për mua është provokim. Interesat, edhe të Fuqive të Mëdha, ruhen e forcohen në rajone të ndryshme bazuar në vlera dhe integritetin moral. Çdo intervenim për të ndërtuar struktura ushtarake në ndihmë të një pale kundër një pale tjetër, nuk ka emër tjetër, përveçse provokim të situatës e madje edhe të konfliktit luftarak.

Ndërkohë grindjet artificiale me Tik-Tok, armatimin e Tajvanit, akuza për “ndihmë të Kinës ndaj Rusisë” etj., në situatën e sotme vetëm se i thellon krizat në konfliktet që zhvillohen sot në botë. Në vend të grindjeve midis SHBA-ve dhe Republikës Popullore të Kinës, botës së sotme i nevojitet harmonia dhe krijimi i një ekuilibri midis këtyre dy Fuqive më të Mëdha të globit!