‘Komunikimi në letërsi’ , një dialog me të rinjtë
2024-05-01 11:08:42

Komunikimi ne Letersi pamje nga eventi ( foto personale)

Eventi ‘Komunikimi në letërsi’ në ambientet e librarisë 'Tirana Times' u karakterizua nga pjesëmarrja e gjerë e të rinjve, duke treguar një interes të lartë për letërsinë. Diskutimet u përqendruan rreth procesit krijues, sfidave të përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhë të huaj dhe eksperiencave personale të autorëve. Shkrimtarja Diana Çuli theksoi se një nga sfidat kryesore për shkrimtarët është të jenë të lexuar dhe të përkthehen në gjuhë të huaj. Megjithatë, ajo vuri në dukje interesin e Italisë për të përkthyer letërsinë shqipe dhe përvojën e saj të përkthimit.

Në këtë event, Carlo Pellicano, mësues i gjuhës italiane pranë 'Assist Digital', theksoi rëndësinë e komunikimit në letërsi dhe nxitjen e eventeve letrare si një mënyrë për të zgjeruar dijen dhe për të nxitur interesin për letërsinë.  Eventi shënoi një interes në rritje për të përkthyer letërsinë shqipe në gjuhë të huaj, ndërsa organizatorët u zotuan të vazhdojnë me evente të tilla për të zhvilluar komunitetin dhe për të nxitur letërsinë brenda “komunitetit”. Pellicano theksoi se letërsia ndihmon në ndërtimin e një komuniteti të fortë.

CMG: Çfarë ju bëri përshtypje në këtë event ?

Diana Çuli: Ajo që më bëri me tëpër përshtypje ishte pjesëmarrja. Ndiej kënaqësi kur ka kaq shumë të rinj, të cilët marrin pjesë në evente të këtij lloji me karakter letrar, pasi kjo tregon edhe interesin që ata kanë për letërsinë. Të rinjtë ishin edhe pjesë e kompanisë Assist Digital, por edhe nga komunitete të tjera. Kishte një interes të shfaqur dhe për ne kjo do të thotë shumë. Në kushtet kur shkrimtarët punojnë disi të tërhequr dhe më pas diskutime të tilla bëhen me një publik të gjerë, ne marrim një lloj emocioni sepse ndiejmë që kemi kryer misionin tonë.

CMG: Cilat ishin diskutimet në këtë takim?

Diana Çuli: Ishin të interesuar të njiheshin me procesin krijues, se si funksionon dhe secili nga ne ndau përvojat e veta. Përkthimi ishte nje tjetër pikë diskutimi, dhe të gjitha sfidat që ka përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhën e huaj. Ky ishte një dialog shumë interesant që patëm me këtë grup të rinjsh.

CMG: Cilat janë sfidat që ju si shkrimtarë keni?

Diana Çuli: Sfida kryesore e një shkrimtari është të lexohet dhe në rastin më të mirë edhe të përkthehet në gjuhë të huaj. Kjo e fundit patjetër që është më e vështirë sepse nuk është lehtë të përkthehesh në gjuhë të huaj, por unë edhe disa shkrimtarë të tjerë kemi arritur të shkojmë kryesisht në botime italiane dhe do doja ta veçoja atë shtet për trajtimin që i ka bërë disa prej teksteve shqip, dhe ka qenë shteti i parë që ka shfaqur një interes për të pasur librat tanë ne disa librari të vendit.

Sfida tjetër është gjejta e përkthyesve në gjuhën e huaj, që është tepër e vështirë. Përkthimi i letërsië së huaj në gjuhën shqipe është tërësisht i thjeshtë, madje mund të themi që ne kemi përkthime dinjitoze, të cilat kanë ardhur duke u përsosur me kohën. Ajo që mbetet sfidë, është e anasjellta, përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhën vendase të një shteti, sepse jo shumë të huaj janë të interesuar për të përkthyer librat ne gjuhë shqipe.

Shkrimtarja Diana Çuli ( foto Revista Bordo)

Diana Çuli, Virgjil Muçi dhe botuesja Irena Toçi ( foto nga eventi facebook)

CMG: Megjithatë janë përkthyer disa prej librave tuaj

Diana Çuli: Po, interes për letërsinë shqipe e ka mbështetur kryesisht Italia për ta përkthyer, nëpërmjet shtëpisë botuese ‘Besa’, e cila prej 30 vitesh përkthen letërsinë shqipe. Ka përdorur përkthyes shumë të mire, të cilët janë pedagogë të letërsisë. Shtëpia botuese nuk po ndalon së botuari tashmë prej 30-vitesh. Ka pasur edhe shtëpi te tjera botuese, më pak por ka autorë shqiptarë të cilët janë përkthyer ne Itali.

CMG: Ju personalisht keni një përvojë të veçantë edhe në përkthimin e letërsise kineze
Diana Çuli:  Po, unë kam një përvojë të bukur, e cila ka ndodhur gjatë periudhës së Covid-19, një libër i cili cilësohet shumë i lexuar dhe autori cilësohet si një nga më të mëdhenjtë të historisë së letersisë kineze që është, Cao Xueqin me librin “Ëndrra për Dhomën e Kuqe”, Është një vepër që kam qenë e privilegjuar që e kam përkthyer. Një vepër e jashtzakonshme. Po ashtu, kam pasur kënaqësi që edhe një nga librat e mi është përkthyer në Kinë dhe kam një përvojë të bukur në këtë shtet.

Pjesë e kësaj bisede ishte edhe Carlo Pellicano, i cili në komunitet njihet si një zë i fuqishëm në përcjelljen e kulturës arbëreshe dhe që  insiston në nxitjen e eventeve letrare si një formë për të zgjeruar më tepër dijet dhe  mundësitë për të rinjtë.

CMG: A mund të na tregoni disa detaje rreth eventit?

Carlo Pellicano: Ky është eventi i dytë që ne si grup i ‘Assist Digital’
organizojmë. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit patëm fatin të kishim autorë të njohur të letërsisë shqipe. Objekti ishte të flisnim mbi komunikimin në letërsi. Autorët që ishin të ftuar na dhanë shumë spunto për të biseduar edhe më gjatë. Përmes letërsise lexuesi po zbulon një Shqipëri tjetër. Ne kemi dëshirë të njohim Shqipërinë reale.

CMG: Ju diskutuat gjatë për procesin e përkthimit, a janë bërë përkthime dinjitoze për librat shqip?

Carlo Pellicano: Si lexues ka ndodhur që kam hasur përkthime shumë të mira. Kam lexuar libra të shkruar në shqip dhe të përkthyer në gjuhën italiane, të cilat janë punë të shkëlqyera dhe shëmbulli më konkret janë librat e shkrimtarit Ismail Kadare. Libri i parë që kam lexuar të përkthyer ka qenë libri ‘Kështjella’ i këtij autori dhe më ka dhënë një emocion të veçantë.

CMG: A ka ardhur në rritje interesi për t’u përkthyer letërsia shqipe në gjuhë të huaj?
Carlo Pellicano: Mendoj se po. Nga viti në vit kemi kuptuar që jemi duke u rritur dhe zgjeruar.

CMG: Cili është qëllimi i këtyre eventeve që po organizoni dhe a do të vijojnë?

Carlo Pellicano: Po patjetër që do të vijojnë sepse ne besojmë tek puna dhe pas pune kemi inspiruar nje model shumë të veçantë që është ‘komuniteti i kompanise’. Jo çdo gjë lidhet me punën ne mund të bëjmë gjëra të veçanta edhe brenda një kompanie. Përshembull mund të ketë një librari brenda një kompanie. Letërsia e zhvillon një komunitet.

Intervistoi:Megi Latifi