Dy shfaqje nga Teatri “Mund të bëhet”
2024-04-30 10:08:09

Kopertina e shfaqjes

Klodi Kadillari (Foto nga facebook)

Teatri “Mund të bëhet” shfaqi në prill “Monologu i jetës time”, histori reale nga Përfituesit e Qendrës Ditore ‘Frederik Prenga’ dhe komedia “Votë për martesë”,  interpretuar nga të rinjtë e kursit të Teatrit “Mund të bëhet”.  Publiku arriti që të emocionohej me këto histori, por mundi edhe të qeshë në fund me komedinë groteske nga Klodi Kadillari, autore dhe regjisore e shfaqjes.

Në “Monologu i jetës time” u shpalosën histori personale, nëpërmjet dritës së brendshme, ku në mënyrë metaforike,  ndezën llampadarët, si një dritë që ndriçon errësirën e brendshme të njeriut, vetizolimin, duke ndriçuar me klithma vuajtje dhe reflektimi opinionin shqiptar. Mes ngashërimit dhe frymëmarrjes së ngërcit fiziologjik, u rrëfyen këto histori nga Teatri “Mund të bëhet”. Gjatë monologot, ku secili tregonte historinë personale, u ngjit në skenë regjisorja Kadillari, duke ju bashkangjitur dhimbjeve reale të monologjeve, ku përloti të gjithë publikun me  interpretimin e poezisë së saj kushtuar humbjes së babait “Bija e atit”  (me të cilin Klodi Kadillari ka marrë çmimin e publikut).

Pas monologut, erdhi komedia e cila percolli jetën aktuale, ku grotesku prek shoqërinë tonë dhe godet anën e fasadës, injorancën dhe shitjen e lajmit aty ku informacioni nuk përbën asnjë interes për aktualitetin dhe përditshmërinë, por rëndësi ka tërheqja e vëmendjes, e asaj që nuk përcjell mesazh. Në intervistë për Radio Ejani Klodi Kadillari tregon rreth punës gati pesëmujore për realizimin e shfaqjeve me interpretues të rinj.  

CMG: Klodi, së fundi solle dy shfaqje në një, me teatrin “Mund të bëhet”. Na trego më tepër rreth kësaj nisme tënden?

Klodi Kadillari: Është i dyti vit radhazi ku teatri “Mund të bëhet” vjen ndryshe nga herët e tjera, një shfaqje që në brendësi përmban dy, është monologu pra pjesa e dramës me përfituesit e Qendrës ‘Frederik Prenga’ të cilët vijnë me “Monologu i jetës time”, dhe më pas vjen komedia “Votë për martesë” . Këtë herë kam patur vërtetë shumë lodhje, por kam marrë njëkohësisht emocione brenda shpirtit të një regjisoreje, kam marrë kënaqësinë më të madhe sidomos nga monologjet, të cilët tregojnë historitë, jetën, problemet. Me këtë mund të them se shoqëria mbarë njerëzore, do të dijë e do të përjetojë se çfarë fshihet në pjesën tonë të brendshme, dhe pjesa njerëzore është pjesa më e bukur.

CMG: Çelësi i suksesit të kësaj shfaqjeje  besoj se kanë qenë pikërisht këto histori njerëzore,  që e kanë përfshirë në emocione edhe vetë publikun. Cilat janë disa nga këto histori për të cilën rrëfyen personazhet në shfaqje?

Klodi Kadillari: Ka disa ditë që është mbajtur premiera, por më riktheve sërish në emocione. Kur filloi shfaqja me monologun e parë, vajza që po interpretonte në moment bllokohet. Ajo fillon të tregojë historinë e jetës së saj, poblemet e sëmundjes, marrëdhënien me familjarët e vet, pendimi që kishte, duke i kërkuar ndjesë të atit që nuk jeton më, këtu personazhi u bllokua sepse ishte duke treguar historinë reale të jetës së saj. Unë këtë gjë e kisha diskutuar me interpretuesit, që  nëse u  ndodhte që të bllokoheshin në shfaqje, të mos shqetësohen për këtë gjë, sepse kjo është e bukura, kjo është pjesa njerëzore, pasi ai bllokim ka brenda një të vërtetë. Vajza me një duartrokitje të fortë nga publiku, me një mbështetje nga ana ime, u mirëprit dhe publiku ka qarë, jo vetëm me rrëfimet e saj vajze, por me të gjitha rrëfimet e tjera. Mendoj se çelësi i suksesit është të tregosh historinë tënde njerëzore, me të mirat dhe vështirësitë, dhe pikërisht të këtyre personave që kanë probleme të shëndetit mendor, apo probleme psiko-sociale. Vura re se publiku i do dhe i përqafon këto histori njerëzore.

Regjisorja Klodi Kadillari  me teatrin Mund të bëhet (Foto për CMG)

CMG: Gjithashtu në këtë shfaqje u alternuan shumë bukur pas monologjeve me historitë njerëzore, nuk mungoi në fund komedia, duke dhuruar mjaft të qeshura. Si e priti publiku këtë komedi?

Klodi Kadillari: Unë si regjisore apo edhe edhe si aktore më kanë thënë kolegët e mi që;  ‘Ti i bie detit me këmbë’. Risia që solla këtë herë, përveçse publiku qau me emocione kaq të mëdha, në fund të monologëve ishte menduar nga shoqata që të shpërndaheshin një tufë me tulipanë të gjithë publikut që ishte i pranishëm. Këtë gjë e bëri njëra nga personazhet, sepse në rrëfimin e saj ajo thotë; “Dua t’i bashkohem tulipanëve të mi sepse shpirti  im  kërkon tulipanët e bardhë”. Në këtë moment për ta lidhur me komedinë,në momentin që vajzës i dhurohet një tufë me tulipanë, një surprizë për të, që ja shpërndan publikut, unë si regjore theksoj se’ “tulipanët janë një lule, por tulipanët e mi shpirtërorë janë këta përfitues që treguan historitë e veta njerëzore, duke përcjellë një emocion krejt të veçantë”. Pas shumë historive personale, menjëherë shpërtheu  komedia “Një votë për martesë”, një komedi shumë aktuale, politike, e jetës së përditshme, e tik-tokut , etj.

Mesazhi ishte, rëndësia që po i japim më shumë aparencës, veshjes, ku kërkohet të fitohet pushteti me manipulime, ku në qendër është një çift për martesë, të cilët kanë si detyrë, që nëse nuk mblidhen 99 vota, atëherë dasma nuk do bëhej. Këtu kam vendosur në lojë, pak groteske, rolin e gazetarëve, rolin e çiftit, apo kandidatët për politikë, si dhe sekretaret, që kanë një rol që të joshin kandidatët e tyre dhe të marrin votat  e elektoratit. Ka qenë një komedi me mjaft të qeshura dhe interpretuesit patjetër që ju përmbajtën mjeshtërisë së aktrimit. Një moment i bukur në fund ishte ku gazetarja i shkon pas çiftit që mundohet të kërkoj në çdo moment një “super lajm”. Kënaqësia ime si regjisore ishte që solla tek publiku shumë të qeshura, ku brenda një shfaqjeje kemi qarë e kemi qeshur.

CMG: Në fund a mbetët të dyja palët të kënaqura me rezultatin final?

Klodi Kadillari: Jo të kënaqur, por super të kënaqur si unë, por edhe stafi i Qendrës “Frederik Prenga”, nga të cilët kam patur një mbështetje shumë të madhe,  madje mezi presim që të kemi shfaqjen e radhës. Tani me teatrin “Mund të bëhet”, shpresojmë të japim shfaqje edhe nëpër vende të ndryshme.

U deshën rreth pesë muaj punë intensive me grupin e të rinjve, gjithashtu edhe me përfituesit, deri në momentin e finalizimit për të sjellë në skenë për publikun dy shfaqje në një, “Monologu i jetës time” ku secili përcolli përjetimet personale, duke e mbyllur me mjaft të qeshura dhe humor me komedinë “Vota për martesë”. Në këto shfaqje interpretuan Xhensila Përpalaj, Mirgen Kotoni, Benuarda Gogo, Dallandyshe Hyraj, Armesid Xhiveshi, Leba Osmënaj, Ermir Kallaverja dhe Xhuliana Toska, nën kujdesin e autores dhe regjisores Klodi Kadillari. Pas kësaj shfaqjeje në Tiranë, teatri “Mund të bëhet” pritet të shëtisë dhe të emocionojë publikun edhe në qytete të tjera të vendit.

Intervistoi: Sava Lena