Menaxhimi i integruar i burimeve ujore në Shqipëri
2024-04-30 15:55:46


Një nga burimet kryesore të Shqipërisë është uji. Vendi ka ndër burimet ujore më të pasura të Europës, por që ende nuk ka arritur ta përdorë me efektivitet këtë pasuri të madhe.

Për shkak të ndryshimeve klimaterike, burimet ujore duhet të menaxhohen me mençuri. Ndotja e ujit nga kimikatet dhe mbetjet e hedhura në përrenj, lumenj, liqene apo dete është fatkeqësisht një kërcënim real për rezervat ujore të Shqipërisë.

Më 26 prill, në Tiranë u zhvillua Forumi i Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Shqipëri, në kuadër të mbështetjes nga Programi IPA III i Bashkimit Europian, nëpërmjet projektit “EU4Rivers”. Ky projekt përfaqëson një instrument të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të menaxhimit të ujërave në Shqipëri.

Sfidat kryesore në këtë drejtim, me të cilat po përballet Shqipëria në vijimësi, janë zvogëlimi në sasi i rezervave ujore, ndërthurur me rritjen e kërkesave të shumëfishta për ujë nga çdo sektor, sidomos nga ndërtimi dhe turizmi.

Ndërkohë, vendi duhet të garantojë ruajtjen e burimeve ujore për brezat e ardhshëm. Në dhjetë vitet e ardhshme, përdorimi i burimeve ujore për prodhimin e energjisë, furnizimin e popullsisë me ujë, zgjerimin e vaditjes për bujqësinë, industrinë dhe ruajtjen e ekosistemeve ujore, do të kërkojë sasi më të mëdha uji dhe përmirësimin e cilësisë së tij.

Në Forumin e Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Shqipëri, zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastruktures dhe Energjisë Belinda Balluku, theksoi: “Kemi kuptuar, sidomos në 5 vitet e fundit, se bashkëpunimi i ngushtë me Bashkimin Europian dhe të gjitha vendet e tjera anëtare është kyç për të forcuar sektorët tanë, sidomos një sektor kaq vital dhe thelbësor siç është ai i ujit.

Flasim për çështje esenciale që kanë të bëjnë me detyrimin si qeveri shqiptare për të ofruar shërbime, që kur vjen puna tek uji, janë bazike dhe është e drejtë e çdo qytetari që të marrë sasinë e parashikuar pikërisht nga ligjet e BE-së të ujit të pijshëm.

Por, nga ana tjetër, pavarësisht kësaj nevoje dhe detyrimi të shtetit për ta ofruar, ne jemi dhe shumë të kujdesshëm se cilat janë këto burime që do të vihen në dispozicion për t’u përdorur edhe për këto synime kaq të vyera, siç është shërbimi ndaj qytetarëve. Ndaj, programi “EU4Rivers” vjen në momentin e duhur, kur shtetit shqiptar do t’i duhet të përafrojë një sërë ligjesh me ato të BE-së dhe kur duhet që të bëjmë një rishikim të të gjitha proceseve”.

Në fund të dhjetorit 2023, qeveria miratoi një Akt Normativ për mbrojtjen e ujërave larës të Shqipërisë. Ujërat larës janë të gjitha ujërat, deti, liqenet dhe lumenjtë, të cilat përdoren nga sektorë të ndryshëm, si ato të turizmit, të peshkimit apo të vaditjes. Ato deri tani janë të pastër në vetëm 67 për qind të tyre.

Nga 6 shkurti, qeveria shqiptare ka ngritur një grup të veçantë pune, me kontrollorë nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Mjedisit, si dhe përfaqësues nga agjenci të ndryshme të monitorimit të territorit. Deri në fund të këtij viti, qeveria synon që 95 për qind e ujërave larës të vendit të jenë të pastra dhe sidomos të përmirësohen para sezonit turistik veror.

Në fund të vitit 2023, qeveria shqiptare miratoi tre plane menaxhimi të baseneve lumore, që përfaqësojnë zonën më intensive ekonomike-sociale të vendit tonë.

Gjatë vitit 2024 janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt dy ligje të rëndësishme, Ligji për Burimet Ujore dhe Ligji për Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar, duke shprehur dhe një herë vullnetin e institucioneve shqiptare për të përmbushur detyrimet dhe angazhimet e marra gjatë procesit të integrimit europian.