Tonin Nikolli ka lindur në Gjadër të Lezhës. Ai ka kryer studimet ushtarake deri në vitin 1982 dhe prej 24 vitesh jeton në Verona të Italisë me familjen. Është autor i 12 vëllimeve poetike, dhe bashkautor në disa antologji, ku tre prej antologjive janë në gjuhën italiane. Tonini është iniciator i krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, e cila ka zhvilluar mjaft aktivitete artistike dhe letrare, që nga viti i krijimit të saj në 2015. Në intervistë për Radio Ejani poeti Tonin Nikolli tregon për fillimet e tij në krijimtarinë letrare, emigrimin dhe integrimin në një vend të huaj, aktivitetet e zhvilluara në Itali, si dhe botimet që ka sjellë për lexuesit.
Poeti Tonin Nikolli (Foto personale)
CMG: Cila është lidhja juaj me letërsinë dhe si lindi dëshira për të shkruar?
Tonin Nikolli: Fillimet e mia me krijimtarinë letrare janë të hershme, që në moshë të vogël, e cila është nxitur nga disa faktorë që për kohën për mua kanë luajtur një rol shumë të madh. Unë kam patur dy xhaxhallarë që studionin njëri për mësuesi, dhe tjetri në shkollën “Skënderbej”, dhe për fat nëpërmjet tyre kam rënë në kontakt qysh herët me librin. Kuptohet që kur bien në kontakt me librin në atë botën tjetër dhe dimensionin tjetër, i cili të bën për vetë dhe të përfshin. Ndoshta për të kopjuar ose për të bërë si të tjerët, edhe unë kam filluar të mërmëris shprehjet e para, pa qenë as poezi, as vjershë dhe as tregim. Pastaj faktori i dytë, që ka qenë gati përfundimtar dhe më ka futur qysh herët në këtë rrugë, ka qenë një plejadë e shkëlqyer e mësuesve të vjetër, që ishin transferuar nga Shkodra, Tirana dhe banonin me ne në fshat, ku jepnin mësim në shkollën tonë. Këtu dua të veçoj profesorin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të nderuarin Shuki Rroi, i cili ka qenë shkrimtar. Nëse nuk do të ishte ky njeri, unë sot ndoshta nuk do të shkruaja asnjë varg. Në fshatin tonë Gjadër të Lezhës nuk dinim ku ishin gazetat apo revistat, por në gazetën pioneri kishte një rubrikë “Cicërimat e para”, dhe profesori na kërkonte vargje dhe vjersha në orë të ndryshme letrare, duke i seleksionuar dhe redaktuar, dhe i kishte dërguar në këtë gazetë. Kur gazetat erdhën të botuara në fshatin tonë, për ne ishte një ngjarje e shënuar. Këto kanë qenë fillimet e mia të para për moshën në fushën e krijimtarisë.
CMG: Sa libra keni botuar dhe si janë pritur nga kritika letrare dhe lexuesit?
Librat e botuar të poetit Tonin Nikolli (Foto personale)
Tonin Nikolli: Unë kam botuar 12 libra me poezi, por libri më i rëndësishëm dhe më i pafat ishte libri i botuar në vitin 2020, kur unë kisha dhe përvjetorin e ditëlindjes sepse mbusha 60 vjeç. Kisha menduar prej kohësh një botim të veçantë, një vepër të përbërë nga katër libra. Titulli i përgjithshëm i librit është “gjashtëdhjetë këmbana”, pastaj katër libra brenda kishin nga një titull, gjashtëdhjetë këmbana të reja, gjashtëdhjetë këmbana të vjetra, gjashtëdhjetë këmbana të heshtura. Ishte një sintezë e një jete që shkruaja, por viti 2020 ishte vit i pandemisë. Libri u botua, por mjerisht nuk gjeti udhëtimin e duhur, që duhet të kishte një libër, dhe që e prisja me emocion sepse e kisha shkruar me shumë dashuri. Gjithashtu kam dhe mjaft grupe botimesh të përfshira në antologji të ndryshme.
CMG: Prej sa vitesh jeton në Itali, dhe si ka qenë integrimi juaj në një vend të huaj?
Tonin Nikolli: Unë jam larguar nga Shqipëria në verën e vitit 1998. Kam udhëtuar me gomone, pa ditur se ku shkoj dhe pa më pritur njeri, në kërkim të një fati. Fillimet kanë qenë të vështira si për të gjithë ata që kanë ikur, sepse askush nuk e ka gjetur të shtruar ose gati, por me durim, me guxim, si një pacient i mirë që ëndërron gjithmonë që të shërohet, kemi arritur vit pas viti që të krijojmë imazhin tonë pozitiv dhe të përshtatemi në ambjentet ku kemi punuar e jetuar. Fatmirësisht unë kam arritur që të njoh dhe bashkëpunoj me grupe, me personazhe dhe me njerëz të të gjitha niveleve në sferën e letërsisë dhe të artit.
CMG: Je iniciator i krijimit të Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Itali. Cilat kanë qenë aktivitetet e organizuara deri tani?
Libri me poezi i autorit Tonin Nikolli (Foto personale)
Tonin Nikolli: Mendoj se dhe shumë të tjerë si unë që kanë shkruar, kanë kënduar, kanë pikturuar apo kanë gdhendur, kanë marrë rrugën e emigracionit. Duke u futur në këtë logjikë, në një moment para vitit 2015 filluam që të bisedonim me të njohurit poetë, piktorë dhe muzikantë, ku arritëm në vitin 2015 të krijonim Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali. Kuptohet se një lidhje nuk e krijon një njeri, por u bashkuan disa nga jugu, veriu dhe Kosova, ku ramë dakort për të krijuar këtë lidhje në një lokal të braktisur në Breshia. Aty ideuam aktivitetet e para, të cilat na dhanë krahë dhe optimizëm, ku patëm fatin që u mirëpritëm dhe u ngulëm si gurët e parë të themelit. Ky aktivitet ishte arti në lëvizje, ku para një jave zhvilluam dhe edicionin e shtatë të këtij aktiviteti, sepse në kohën e pandemisë u pezullua. Në këtë aktivitet u mblodhën piktorë, poetë, tregimtarë dhe këngëtarë nga shumë treva të Italisë, ku kaluam shumë mirë së bashku. Pastaj vendosëm për të ardhmen, ku hartuam programet se çfarë do të bëjmë.
Një aktivitet shumë i rëndësishëm i përvitshëm, është konkursi “Fjalët e shpirtit”, dhe është i vetmi që bëhet në Itali, ku marrin pjesë të rinjtë nën moshën 25 vjeç, që vijnë nga shkollat shqipe që janë krijuar nga pasioni, vullneti dhe dëshira e ish mësuesve shqiptarë apo shoqatave shqiptare që veprojnë në Itali. Këta përgatisin kontingjente të rinjsh, për të marrë pjesë në konkurs. Ky është një konkurs i mirëfilltë, të cilin e sponsorizojnë miqtë ose dashamirësit e artit. Në këtë konkurs fëmijët interpretojnë një krijim shqiptar nga veprat kryesore shqiptare, dhe një krijim tjetër nga autorë të shquar italianë. Nga viti në vit marrin pjesë gjithnjë e më shumë, ku dhe dëgjuesit janë gjithnjë e më shumë jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë. Kurse një aktivitet tjetër shumë i larmishëm poetik e zhvillojmë në një park të hapur, ku mblidheshin krijues me gjithë familjet, dashamirës të artit dhe të letërsisë, të kulturës dhe të historisë. Ky aktivitet zhvillohet në pranverë në një park në Verona, sepse aty kam patur mundësi, ngaqë jam dhe vetë banor i Veronës.
CMG: Sa prej librave tuaj janë promovuar në Shqipëri?
Tonin Nikolli me regjisorin Ylli Pepo (Foto personale)
Tonin Nikolli: Unë kam promovuar në Shqipëri gati të gjithë librat, duke filluar nga Tirana deri në Lezhë. Dua të veçoj dy-tre promovime, ku promovimi i librit “Pylli im i bardhë”, është bërë te lokal Piaca në Tiranë dhe e ka organizuar këtë promovim shkrimtari Butka. Në atë aktivitet kanë marrë pjesë poetë dhe shkrimtarë të shquar, i ndjeri Bardhyl Londo, kritiku Mark Marku, Visar Zhiti e shumë krijues të tjerë nga Tirana, miqtë e mi nga Shkodra, Lezha dhe krahina të tjera të vendit. Ky promovim më ka lënë gjurmë të pashlyera dhe një emocion të pa provuar deri atëhere. Promovimi i dytë i rëndësishëm ka qenë në vitin 2018 në Gjadër të Lezhës, fshatin ku unë kam lindur, 150 metra larg shtëpisë time të vjetër ku po shembet çdo ditë, sepse nuk banon askush aty prej 30 vitesh. Aty është një ambient Oratorio, e vetmja ndërtesë e bukur dhe e rëndësishme, ku grumbullohen të rinjtë në aktivitete kulturore dhe artistike. Pjesëmarrës në këtë promovim ishin dhe aktorja nga Shkodra Merita Smaja dhe të tjerë që recituan. Unë në atë aktivitet kam derdhur lot.
Ndërsa promovimi i fundit ishte verën e kaluar te “Mrrizi i zanave” në Fishtë, i sponsorizuar nga pronari i lokalit. E rëndësishme është se ky libër u promovua në fshatin e Gjergj Fishtës, që është shumë pranë fshatit ku kam lindur unë, për të provuar se në Zadrimë kultivohet arti i fjalës dhe i shpirtit. Ajo është një zonë e rëndësishme e kulturës shqiptare, mjerisht nuk është e eksploruar mirë deri tani, por shpresojmë se do të bëhet.
CMG: Përveçse në gjuhën shqipe a ke botuar dhe në italisht?
Tonin Nikolli: Në gjuhën italiane kam marrë pjesë në tre antologji. Në të parën kam 4 poezi, në të dytën kam 14, dhe në të tretën kam rreth 24 poezi. Përveç kësaj kam dhe librin e përfshirë në kuartetin jubilar “Sesanta campane migrani”, ku ky libër është botuar dhe redaktuar nga një poet i njohur dhe i shquar nga Napoli, Xhuzepe Napoletano.
CMG: Sa të mungon vendlindja kur je larg saj, e viziton shpesh Shqipërinë?
Tonin Nikolli në një aktivitet (Foto personale)
Tonin Nikolli: Unë në Shqipëri vij minimum një herë në vit. Kur kisha nënën që jetonte akoma vija më shpesh. Pushimet kryesore i bëj në Shqipëri. Tani unë atje nuk kam as nënën dhe as babain, por dhe bashkëshortja ime nuk ka njerëzit e vet, por ne vijmë sepse kemi vendin tonë, kemi shtëpitë tonë, miqësinë tonë dhe rrënjët tona. Kemi mallin tonë, që gjithmonë kërkon për të ardhur atje. Në një libër kam një poezi me tre vargje, që në kohën që është publikuar, është pëlqyer. “Unë jam si lumi, grrye-grrye për t’u kthyer në shtratin e vjetër”, dhe një libër tjetër, që titullohet “Malli i ka rrënjët larg”. Pra, po të mos ishte largësia, po mos të ishte ikja, nuk do të ekzistonte as malli. Malli i mundon të gjithë ata që janë larguar dhe kanë lënë diçka. Ne atdheu na mungon shumë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja letrare në vazhdim?
Tonin Nikolli: Unë këtë vit jam duke grumbulluar ose seleksionuar dhe për vitin tjetër mendoj që në përvjetorin tim jubilar të vij me një vëllim të ri poetik. Ëndërroj që të realizoj diçka më shumë me prozat e shkurtra, që i kam të paseleksionuara akoma, sepse nuk e kam marrë atë guximin e duhur që të kaloj në prozë. Më duket sikur tradhtoj poezinë.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese në vazhdim.
Tonin Nikolli: Ju falënderoj me zemër. Përshëndes të gjithë dëgjuesit tuaj të nderuar dhe të dashur. Gjithashtu përshëndes të gjithë shqiptarët, kudo që punojnë dhe jetojnë, duke ju uruar shëndet, lumturi, suksese dhe mirësi pafund.
Tonin Nikolli gjatë një aktiviteti (Foto personale)
Intervistoi: Gazmend Agaj