Mbahet panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor- foto QKLL
Ekspozitë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të nobelistit Gabriel García Márquez - foto Biblioteka Kombetare e Shqiperise
Dita Ndërkombëtare e Librit, data 23 prill, nderohet në të gjithë botën me respekt të veçantë për librin dhe krijuesin e tij. Në kohët e zhvillimeve të vrullshme teknologjike, sfida e leximit të librit mbetet një nga sfidat e autorëve, botuesve dhe institucioneve që merren me të. Një varg aktivitetesh interesante u zhvilluan gjatë kësaj jave në Tiranë.
U mbajt panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, në ambientet e jashtme të Akademisë së Shkencave u hap Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor, i cili vijoi deri më 25 prill.
Ky Panair më shumë se një ekspozim librash dhe aktivitetesh, shërbeu si një mesazh mbi nevojën për t’u mbështetur tek një shoqëri që mendon dhe lexon, tek një shoqëri ku intelektualët, shkencëtarët, studiuesit dhe gjuhëtarët nderohen dhe orientojnë zhvillimet e një vendi.
Ky panair shërbeu për ta nxjerrë më në pah botën akademike, shkencore shqiptare përmes botimeve, që në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë pasur vëmëndjen e duhur publike. Përmes aktiviteteve të ndryshme që u zhvilluan përgjatë këtij panairi u bë edhe promovimi i këtyre botimeve, duke shënjuar arritjet e shkencës shqiptare përmes një viti.
Biblioteka e albanologut francez Cabanes, tashmë pjesë e Bibliotekës Kombëtare - foto Biblioteka Kombetare e Shqiperise
Biblioteka e albanologut francez Cabanes, tashmë pjesë e Bibliotekës Kombëtare
Biblioteka vetjake e historianit Pierre Cabanes pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë të veçantë me të gjitha koleksionet e bibliotekës vetjake të historianit të antikitetit dhe epigrafistit Pierre Cabanes (1930-2023).
Që kur ishte gjallë Cabanes la si amanet që biblioteka e tij t’i dhurohej shqiptarëve, me qëllimin që ajo të jetë në dispozicion të studentëve e studiuesve që janë të interesuar për historinë dhe arkeologjinë e antikitetit, duke vijuar kështu traditën e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës.
I interesuar posaçërisht për Shqipërinë që nga viti 1971, Pierre Cabanes u bë nismëtar i ripërtëritjes së marrëdhënieve midis studiuesve shqiptarë dhe francezë në fushën e arkeologjisë dhe të historisë së lashtë të Shqipërisë.
Biblioteka vetjake e Pierre Cabanes-it përbëhet përafërsisht nga 1500 koleksioneve librash, revistash, albumesh, pa përllogaritur një mori letrash, fotokopjesh, letërkëmbimesh, ftesash; pra, një pjesë e jetës së tij profesionale, e cila do të jetë në dispozicion të lexuesit shqiptar në një sallë të veçantë, dedikuar profesorit të historisë së botës antike.
Si studiues i antikitetit, ai është i njohur veçanërisht për studimet e tij themelore për Epirin Antik dhe Ilirinë e Jugut.
“Personazhe në fokus” sjell në COD autorin Primo Shllaku - foto COD
“Personazhe në fokus” sjell në COD autorin Primo Shllaku
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi një takim letrar ku i ftuar ishte një ndër figurat më të spikatura të penës, mendimit dhe krijimit letrar, Primo Shllaku.
Primo Shllaku ndau në “Personazhe në Fokus” rrëfime nga jeta e tij personale dhe profesionale përpara të rinjve që duan të përqafojnë fort botën e madhe të librit.
Profesor Primo Shllaku solli për të pranishmit në COD, një rrëfim ekskluziv mbi marrëdhënien me librin, krijimtarinë dhe përkthimin në dy epoka, para viteve ’90 dhe pas, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë bashkëbisedimi, të gjitha nën petkun e një origjinaliteti unik.
Ekspozitë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të nobelistit Gabriel García Márquez
Në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gabriel García Márquez (1927-2014), më datë 26 prill 2024, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë, e cila risjell në vëmendje krijimtarinë e shkrimtarit të mirënjohur kolumbian, botuar në gjuhën shqipe.
I konsideruar si një nga autorët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të, veçanërisht në gjuhën spanjolle, ai u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi në vitin 1982. Pas vdekjes së G. G. Márquez-it në prill 2014, presidenti i Kolumbisë e quajti atë "kolumbiani më i madh që ka jetuar ndonjëherë".
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Hollin kryesor të BKSH-së.
Mbrëmje letrare në nder të poetit e fotografit arbëresh Mario Calivà- foto ATSH
Mbrëmje letrare në nder të poetit e fotografit arbëresh Mario Calivà
Në mjediset e Europe House, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, organizoi një mbrëmje letrare me të ftuar special poetin, dramaturgun dhe fotografin arbëresh, Mario Calivà.
Aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët Diana Kastrati, e cila theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si inciativë e rëndësishme e dy institucioneve.
Në këtë aktivitet poetit arbëresh Mario Calivà iu dha çmimi i tretë i fituar në konkursin “KrenArbëria” me motivacionin: Për tregimin “Mushku” në të cilin ka arritur të japë prova të prekshme të qëndrueshmërisë së kulturës arbëreshe përmes përdorimit të arbërishtes, duke shpërfaqur edhe lidhje jetike me traditën letrare italiane.
Ndryshe nga poezia e traditës që idealizon botën arbëreshe, poezia e Caliva-së e trajton universalitetin e aktualitetit arbëresh duke e pasuruar njëkohësisht edhe poezinë arbëreshe por edhe atë shqipe.
Përgatiti: N. Kraja