Ministri Gonxhja: Vëmendje te rritja e pagave dhe reforma e pensioneve
2024-04-29 09:55:32

Qeveria thekson sërish se në fokus të punës është rritja e pagave në disa sektorë. I pranishëm në Panairin e punës dhe karrierës, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se edhe pensionet do të rriten.

“Do bëjmë ç’është e mundur të rrisim pagat, pagat janë histori fitore-fitore, ato sjellin një rritje të menjëhershme të konsumit, një injektim të menjëhershëm në konsum, në ekonomi. Ne do të bëjmë ç’është e mundur sivjet të hapim sytë dhe mendjen sa i takon një reforme të plotë për pensionet. Pensionet nuk mund të jenë në këtë gjendje që ne i kemi trashëguar. Ne do të duhet të ndërhyjmë fort sepse pensionet janë një motivator i rëndësishëm për të gjithë ata që bëjnë një plan angazhimi, që bëjnë një plan për t’u rekrutuar që marrin një vendim për të punuar në një realitet në një ministri këtu në Shqipëri, apo të zgjedhin alternativa të tjera. Ne nuk e shohim sot pensionin sepse na duket një gjë e largët, por pensioni për disa nga ne këtu do të jetë ndoshta as 1/6, në këto momente që flasim, e asaj që paguajmë për veten tonë. Nëse do t’i merrnin paratë që paguajmë sot do merrnim 1/6, për shkak të rënies së madhe të vlerës së fondit që në vite do të na kthehet ne pastaj në pjesën që do të marrin kur ne të vimë në momentin e pensionit. Pra ne duhet të punojmë fort edhe në këtë drejtim. Kemi për të bërë shumë për ekonominë kreative, industrinë kreative sepse janë shumë të rëndësishme për tregun e punës dhe për ekonominë në përgjithësi.”- u shpreh Gonxhja.

Ministri Blendi Gonxhja (Foto Gazeta Shqiptare)

Ministri Blendi Gonxhja (Foto Gazeta Shqiptare)

Gonxhja ndalet sërish tek rëndësia e zonave etnologjike dhe zonat e lira ekonomike të cilat  janë një tjetër gjenerator i rëndësishëm

“TEDA, DURANA, zonat ekonomike janë një tjetër gjenerator i rëndësishëm që ne po bëjmë.  11 vjet në një rast, 9 vjet në një rast tjetër që nuk mbaronin dhe nuk shkohej në licencim. Më në fund i mbyllëm dy zonat e para dhe gati 100 ha do të jenë në dispozicion të një tjetër zhvillimi, të një tjetër katalizatori ekonomik. Po punojmë shumë për thjeshtimin, për digjitalizimin, për programe të cilat do t’i quaja programe të mbështetjes të një qytetari apo familjari që zgjedh sot alternativën që të jetë e para që të rrijë në Shqipëri pasi kemi investuar tek ju, pasi ka investuar shteti, pasi ka investuar bashkia, pasi ka investuar biznesi, që jeni ju këtu. “

Paga (Foto Vizion plus)

Paga (Foto Vizion plus)

Sipas ministrit, po mendohet të nxitet në të gjitha format qëndrimi i të rinjve në Shqipëri dhe lehtësimi i barrës fiskale për to.

“Ne duam që ai kapital njerëzor të rrijë këtu, atëherë duhet ta shoqërojmë këtë gjë dhe me shtëpinë e tij edhe me fëmijën e tij të parë të dytë dhe të tretë, edhe me ndihmën proporcionale, dinamike, me algoritme të caktuara mbështetje gjatë jetës së tij, 5 vitet e para, 10 vitet e para. Adresa e tij, kosto e jetesës së tij, transporti, të gjitha benefitet që do ketë ky individ dhe familjar në mënyrë që ta shoqërojë vendimin për të pranuar kontratën e punës në Shqipëri dhe me benefite të tjera shoqëruese. Në të gjitha këto pikëpamje po punojmë që të jetë një qëndrim shumë proaktiv, një ndihmë shumë proaktive, nuk është vetëm çështje shifrash dhe statistikash dhe çështje llogarish, por është çështje në radhë të parë që individi të jetë i zgjidhur në kërkesat e veta, jo vetëm më bazike, por në ato që bëjnë atë që të dallojë pastaj mes vendit ku ai zgjedh të punojë dhe ofertave të tjera të vendeve që ai ka. Gjithë ne kemi një kushëri jashtë, gjithë ne kemi familjarë jashtë, gjithëve ne ka mundësi të na marrë dikush 1 vit, apo dy vite jashtë dhe do jetë shumë garë e vështirë që ne gjithë këto investime që bëjmë këtu t’i mbajmë në vendin tonë. Duhet të kuptojmë që investimi i vendit tonë është investimi ynë dhe të bëjmë ç’ është e mundur të mos na e marrin shtetet e huaja, që nuk kanë investuar në këtë kapital. Kështu që po punojmë në mënyrë shumë të thelluar në këtë drejtim edhe pse nuk dëgjohet ndoshta në gjithë mediat.”

Panairi i  punesimit (Foto Telegrafi)

Panairi i  punesimit (Foto Telegrafi)

Vemendje e shtuar duhet edhe tek prodhimi vendas.

“Sot ka garë, ka luftë, nuk është me armë por është me armë shumë të sofistikuara dhe hibride për të marrë gjithçka që ne mbjellim në tokën tonë dhe për ta bërë tokën tonë që të mos mbillet shpesh. Ne duhet të mbjellim më shpesh duhet të mbjellim më shumë dhe duhet të korrim më shumë dhe duhet që ta konsumojmë këtë të mirë në vendin tonë. Është një detyrë shumë e vështirë, por ju garantoj që nga pikëpamja e menaxhimit të krijimit të kushteve për ta përballur këtë sfidë po punojmë edhe natyrisht që këtu duhet ndihma e të gjithëve.”- tha Gonxhja.

Të rinjve u bëri thirrje që të aplikojnë për vende punë vakante në ministri, pasi kushtet janë përmirësuar ndër vite.

“Ne kemi në MEKI shumë vende pune. Unë ju ftoj të gjithëve të klikojnë në faqen e DAP-it, unë ju ftoj të gjithë të motivojnë dik. që ka pranë që të provojë dhe njëherë tjetër të punojnë në shtet. Unë e di që shumë janë të zhgënjyer. Kanë frikë për të firmosur, kanë frikë nga hetimet, nga situata konkrete që jetojmë përditë. Rrogat shumë të ulta, po mundohemi t’i ngremë, por në radhë të parë është motivimi dhe besimi tek ajo që ata njerëz mund të bëjnë dhe shumë shpejt të kalojmë në kushte të tjera. Ju garantoj që është aplikim transparent, janë  126 vende që ne presim që të vijnë. Procedurat e DAP-it marrin pak kohë, por do të keni një aleat të sigurt të rëndësishëm në qeveri për këtë gjë. Natyrisht kemi punuar me universitetet, punojmë shumë për paktin e universiteteve që të mos jetë një deklaratë apo një fasadë. Do të jetë një realitet pune konkrete dhe ju ftoj sinqerisht që të përpiqemi së bashku në këtë sfidë që nuk është e lehtë, është shumë e vështirë për gjithë ne.”- u shpreh Gonxhja.

Pjesë e panairit të punës të zhvilluar në Fakultetin e Ekonomisë ishin mbi 60 kompani pjesëmarrëse të sektorit bankar, konsulencës, telekomunikacionit, inovacionit, turizmit, start up-eve, shoqatat e biznesit etj.