Kjara Ibraj në Sanremo Junior para konkurrimit (Foto nga instagrami)
Kjara Ibraj është këngëtarja e parë shqiptare që arriti të çojë Shqipërinë në finale të “Sanremo Junior” dhe mbi të gjitha të vlerësohej me çmim. Ajo është 11 vjeç dhe banon në qytetin e Lezhës. Ajo ka nisur të këndojë që e vogël,duke u angazhuar në aktivitetet kulturore në qytetin e saj të lindjes. Një vit më parë ajo aplikoi për në “Sanremo Junior”, pas kërkesës për garues nga e gjithe bota. Fazën e parë të konkurimit e kaloi me sukses online, me video dhe më pas njoftua se kish kaluar në finale mes 25 finalistëve nga e gjithë bota. Me ndihmesën e ‘Ministrisë së Kulturës”, Kjara mori pjesë në garën muzikore në Itali. Kjara Ibraj interpretoi coverin e këngës “Never Enough” të Loren Allred dhe me zërin brilant arriti të fitonte çmimin e tretë në ‘Sanremo Junior’. Në intervistë për Radio Ejani, direkt nga Italia pas fitores së çmimit të tretë, ajo ka rrëfyer emocionet e pjesëmarrjes dhe triumit të saj aty.
Kjara Ibraj
CMG: Kjara na trego për emocionet e tua në momentin e përballjes me skenën e madhe të Teatrit ‘Ariston’ në Sanremo Junior
Kjara Ibraj: Emocionet ishin shumë të mëdha dhe vërtetë magjike.
CMG: E ke ndjekur më herët këtë festival?
Kjara Ibraj: Festivalin e Sanremos e kam ndjekur që e vogël nga televizori me prindërit e mi, por ta prekja vetë skenën e Teatrit ‘Arriston’ më dukej si një ëndërr, shumë emocione.
Kjara Ibraj në Sanremo Junior(Foto nga instagrami
CMG: Si erdhi kjo pjesëmarrje, duke qenë se je shqiptarja e parë që preke finalen dhe fitove një çmim në “Sanremo Junior”?
Kjara Ibraj: Gjithçka nisi nga një lajm që u publikua në Instagram, prindërit e mi e ndiqnin si faqe, gjetën kontaktet zyrtare të festivalit dhe komunikuan. Pasi i ndoqëm kriteret, vendosëm të aplikonim dhe ta provonim këtë mundësi. Pasi arrita deri në finale, u informova nga organizatorët se isha shqiptarja e parë që prekja finalen e “Sanremo Junior”.
Kjara Ibraj para konkurrimit në Sanremo Junior(Foto nga instagrami
CMG: More pjesë me këngën në anglisht “Never Enough”, na trego pak rreth kësaj
Kjara Ibraj: Kënga është një cover nga Loren Allred “Never Enough”, të cilën e zgjodha me ndihmën e mësueses time të muzikës, e cila mendoi se i përshtatej vokalit tim. Por edhe mua më pëlqen shumë si këngë sepse tregon për fuqinë që kanë gjërat e bëra me dashuri.
Kjara Ibraj dhe konkurrentët e Sanremo Junior(Foto nga instagrami)
CMG: Kjara, në Itali jo vetëm që ja dole të ishe në finale të “Sanremo Junior”, por edhe të fitoje çmimin e tretë. Si u ndjeve pas kësaj fitoreje?
Kjara Ibraj: U gëzova shumë që u vlerësova me çmimin e tretë, është një ndjesi që nuk arrij ta shpjegoj, u emocionova. Juria më tha se ishin gjithsej njëmijë konkurrentë dhe u lumturova shumë që u zgjova e treta mes tyre.
CMG: Kjara si shkoi gjithçka, konkurrimi dhe a krijuat miqësi me njëri- tjetrin?
Kjara Ibraj: Ishim 26 finalistë, përfshirë dhe mua. Të gjithë ishin shumë miqësorë. Një nga gjërat për të cilat jam më tepër mirënjohëse në këtë eksperiencë është mundësia për të njohur dhe bashkëmoshatarët e mi nga e gjithë bota.
Kjara Ibraj në skenë në Sanremo Junior (Foto nga instagrami)
CMG: Cili ka qenë komplimenti që ke marrë për vokalin tënd?
Kjara Ibraj: Më shumë se komplimenti, dua të them se u ndjeva vërtetë e vlerësuar, u përgëzova dhe për vokalin.
CMG: Si e shihje veten mes konkurrentëve të tjerë nga 25 shtete të botës?
Kjara Ibraj: Të gjithë ishim të emocionuar dhe me një pasion të madh për muzikën.
Kjara Ibraj në Sanremo Junior pas fitores se çmimit te 3-të(Foto nga instagrami)
CMG: Kur ke nisur të këndosh dhe kush e zbuloi talentin tënd?
Kjara Ibraj: Kam nisur të këndoj shumë e vogël. Familjarët e mi më tregojnë se që e vogël mbaja mend tekstet e këngëve dhe përpiqesha të imitoja këngëtaret. Më pas prindërit, duke vënë re dëshirën time të madhe për këngën, më angazhuan në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Lezhës.
CMG: Cilat janë pjesëmarrjet e tua të deritanishme?
Kjara Ibraj: Kam marrë pjesë në të gjitha aktivitetet që janë mbajtur në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Lezhë, kam konkurruar në aktivitetin “Lezha Talent show” ku fitova vendin e dytë, marr pjesë në korin e kishës, por edhe në aktivitetet e shkollës.
CMG: Me cilin mësues studion?
Kjara Ibraj: Jam nxënëse e klasës së gjashtë. Mësuesja që më ka ndjekur është Albana Përvathi, mësuese e Qendrës Kulturore të Fëmijëve.
Kjara Ibraj në tv Klan (Foto nga instagrami)
CMG: Kaq e vogël dhe me arritje të mëdha, si e sheh veten në të ardhmen dhe cilat janë planet e tua?
Kjara Ibraj: Për momentin jam duke ndjekur pasionin tim për këngën, megjithatë shkolla është në plan të parë.
Intervistoi: Sava Lena