Roni Mulleti duke luajtur ne tastiere
Roni Mulleti është një instrumentist që lëvron prej 18 vitesh muzikën popullore shqiptare. Ai që në moshë të vogël ka studiuar për piano dhe më vonë fizarmonikë në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Roni e ka trashëguar muzikën popullore nga familja, e cila ndër breza ka kultivuar traditën popullore. Aktivitetet muzikore që Roni bashkë me grupin e tij marrin pjesë janë gëzimet familjare, ku interpretojnë muzikën e mirëfilltë popullore. Në intevistë për Radio Ejani Roni tregon për fillimet e tij muzikore, aktivitetet dhe projektet në vazhdim.
Roni Mulleti ne interviste per CMG
CMG: Si ka nisur karriera juaj muzikore?
Roni Mulleti: Rrugëtimi im me muzikën ka nisur në moshën 6 vjeçare në pallatin e pionerëve në Tiranë, me profesorin Agim Çumani, të cilin e falenderoj shumë. Karriera ime nisi duke i rënë pianos, por që atëhere më pëlqente dhe bateria. Kam 18 vjet që e studioj pianon.
CMG: Përveç pasionit për këtë instrument, ishte dikush nga familja që të shtyu për të studiuar pianon?
Roni Mulleti: Ka qenë babai im ai që më ka shtyrë në këtë instrument, sepse edhe ai vetë i ka rënë klarinetës, por dhe gjyshi që është trashëgimtar i fisit. Babai është ai që më ka dhënë çdo gjë të mirë për këtë instrument dhe që më ka mësuar zanatin.
CMG: Je i lumtur që e trashëgon këtë traditë muzikore familjare?
Roni Mulleti: Jam shumë krenar dhe do ta vazhdoj këtë traditë në muzikën popullore. Brezi që do të vijë pas meje ndoshta mund të ketë dhe muzikën klasike, por muzika popullore është baza, Gjithashtu uroj që edhe fisi im ta trashëgojë në breza muzikën popullore.
Roni Mulleti
CMG: Luan në fizarmonikë, por dhe në tastierë. Ka qenë fizarmonika një instrument që ke dashur?
Roni Mulleti: Unë në fillim nuk e kam patur shumë qejf fizarmonikën, sepse ashtu më ndodhën gjërat, pasi babai im kishte shumë punë në atë kohë. Unë doja që të shkoja në lice që në klasën e parë, por nuk ndodhi kështu. Mbarova shkollën 9-vjeçare te shkolla “7 Marsi”, dhe pastaj konkurova për fizarmonikë në lice. Piano ka qenë një nga dëshirat e mia për të studiuar, por dhe fizarmonika më është bërë si shok më vonë. Katër vite i kalova shumë mirë me fizarmonikën, me profesorin Dritan Baftjari dhe me mësuesen time Valbonën, të cilën e falenderoj shumë.
CMG: Pse babai nuk të regjistroi për klarinetë, ngaqë dhe ai vetë ishte klarinetist?
Roni Mulleti: Babai nuk insistoi shumë, sepse unë nuk e kisha shumë mirë frymëmarrjen. Kështu që ai më sugjeroi pianon, sepse ky instrument shkon me të gjitha rrymat muzikore, si klasike, xhaz apo dhe muzikën e lehtë.
CMG: Ka qenë i vështirë rrugëtimi me muzikën popullore në këto 18 vite karrierë?
Roni Mulleti: Ka qenë pak i vështirë, sepse të gjithë shokët e brezit tim nuk studionin muzikën popullore, por muzikën klasike apo turbofolk, që në atë kohë doli shumë vrullshëm. Fillimi ka qenë shumë i vështirë, sepse kishin paragjykime. Unë hapat e para në muzikën popullore i kam patur me shokun tim, klarinetistin Erald Demiri. Ndërkohë që tani është bërë pak më e lehtë, sepse kanë filluar të gjithë të luajnë muzikën popullore. Aktualisht ndjehemi pak mirë dhe kemi bërë shumë mirë që nisëm të merremi me muzikën popullore shqiptare. Shpresoj që dhe brezat që do vijnë ta trashëgojnë muziknë popullore, sepse është krenari dhe pasuri kombëtare.
Roni Mulleti me kengetsren Valbona Halili
CMG: Flasim për produksionet muzikore që ke publikuar në kanalin YouTube?
Roni Mulleti: Unë bashkë me Eraldin kemi realizuar disa materiale muzikore, të cilat i kemi publikuar. Së fundi kemi realizuar një material muzikor, një këngë të vjetër popullore, që e kemi bërë orkestrale bashkë me Erladin dhe violinistin Xhersi Sula, një nga bëshkëpunëtorët tanë më të mirë. Ne jemi rritur bashkë dhe bashkëpunojmë gjithmonë. Kemi projekte të reja në muzikën popullore, që do t’i realizojmë së shpejti.
CMG: Pra jeni një treshë muzikantësh që keni krijuar një grup të vogël popullor?
Roni Mulleti: Ne të tre shkojmë shumë mirë, si në jetën e përditëshme, ashtu dhe në muzikë. Ndjehemi mirë dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë projekte të reja popullore.
CMG: Gjithashtu ke bashkëpunuar me këngëtarë të njohur të muzikës popullore nëpër aktivitete të ndryshme. Flasim për këtë eksperiencë t?
Roni Mulleti: Kam patur shumë bashkëpunime me këngëtarë të njohur, së fundi po bashkëpunoj më shunë me këngëtaren Valbona Halili, që e përshëndes shumë dhe faleminderit që ka besuar në talentin dhe punën time. Gjithashtu nëpër aktivitete kam patur bashkëpunime me këngëtarë të muzikës së lehtë dhe popullore, sepse unë i bëj të dyja ngapak. Kam bashkëpunuar me Eranda Libohovën, Renis Gjokën, Kejsi Tolën dhe Greta Koçin.
CMG: Aktivitetin muzikor e zhvillon më tepër brenda vendit apo dhe jashtë?
Roni Mulleti: Koncertet më të shumta i kemi patur në Shqipëri, sepse ndjehemi më mirë, por dhe në shtete të tjera kemi patur disa koncerte, si në Itali, Francë dhe Zvicër.
CMG: Mendon se brezi i ri është rikthyer sot tek muzika e vërtetë popullore?
Roni Mulleti: Mendoj se 50 për qind e duan dhe pjesa tjetër nuk e pëlqejnë muzikën popullore. Besoj se brezi i ri është bazuar më shumë te muzika turbofolk, por ka disa djem të rinj instrumentistë, që e studiojnë muzikën tonë populore. Kjo është për të ardhur keq, që mos të duash muzikën popullore. Brezi i ri duhet të rritet me muzikën popullore, që mos të humbasë tradita e vendit tonë.
Roni Mulleti me artiste te tjere
CMG: Daja juaj Ladi është një nga klarinetistët e njohur shqiptarë në muzikën popullore Si ndjehet ai për nipin që vazhdon në gjurmët e tij?
Roni Mulleti: Besoj se daja im ndjehet krenar për mua, sepse ai është një nga klarinetistët më të mirë dhe unë kam fatin qe e kam dajë Ladin.
CMG: Si reagon publiku kur të dëgjon duke luajtur pjesë orkestrale popullore shqiptare?
Roni Mulleti: Ne e kemi patur publikun deri tani gjithmonë mbështetës. Mua më do publiku dhe ka reagur mirë në çdo performancë tonën, sepse ne jemi muzikantë të mirë. Bashkëpunojmë gjithmonë me kolegë që e ruajnë traditën e muzikës popullore.
CMG: Cilën trevë ke dëshirë të lëvrosh më tepër në repertorin tënd?
Roni Mulleti: Unë i kam qejf të gjitha trevat, por më shumë pëlqej të lëvroj muzikën e Shqipërisë së mesme, sepse jam tirons dhe më pëlqen kjo trevë. Gjithashtu dhe muzikën e veriut e kam në zemër, sepse kam pak gjak dibrani nga mamaja. Nuk mund t’i ndaj në treva, sepse një instrumentist i mirë nuk i ndan dot trevat.
CMG: Sa kohë i kushton instrumentit në ditë?
Roni Mulleti: Në moshën 6 vjeçare studioja rreth 7-8 orë në ditë. Kur shokët e mi loznin te lagjia, unë vetëm studioja instrumentin. Ndërsa tani që jam pak më i madh studioj 3-4 orë në ditë, sepse kam dhe mjaft angazhime të tjera familjare.
CMG: Si e pret sezonin veror të dasmave dhe gëzimeve familjare?
Roni Mulleti: Presim të kemi një sezon të mirë aktivitetesh, dasmash dhe gëzimesh familjare. Ne do bëjmë punën tonë më të mirë, që t’i kënaqim të gjithë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Roni Mulleti: Falenderoj Radio Ejani për këtë intervistë dhe ju falenderoj shumë për punë që po bëni për muzikën popullore. Ju uroj shëndet dhe mirësi, për të gjithë dashamirësit e mi dhe gjithë popullit shqiptar.
Intervistoi: Gazmend Agaj