Foto nga CFP
Në vitet 1950, Zhou Libo (1908-1979) shkroi “Shanxiang Jubian” (Ndryshime të mëdha në zonat malore), një roman që portretizon mënyrën se si rezoluta e vendit mbi kooperativat bujqësore nxiti prodhimin e ushqimit në një fshat të vogël të quajtur Qingxi.
Ky libër përmban skena të detajuara dhe të gjalla të jetës rurale, si dhe portrete të gjalla të personazheve. Ai përdor dialektin dhe gjuhën e folur për të treguar atmosferën plot ngjyra të kulturës së fshatit.
Libri bazohet në përvojat aktuale të Zhou-t duke bërë punë bujqësore gjatë qëndrimit të tij në fshatin Qingxi në qytetin Yiyang të provincës Hunan dhe është bërë një nga veprat e tij përfaqësuese. Ndërsa vepra e Zhou përcjell peizazhin shoqëror të fshatit Qingxi në vitet 1950, më shumë se 60 vjet më pas, Qingxi ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm si pjesë e nxitjes së gjallërimit rural të vendit.
Fshati ripërcaktoi me sukses trajektoren e tij të zhvillimit gjatë pesë viteve duke filluar nga viti 2018. Ish-rezidenca e Zhou u përdor për ta kthyer atë në një "fshat të letërsisë" me mbështetjen e qeverisë lokale dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Kinës. Skenat e përshkruara në shkrimet e Zhou, të tilla si pellgu i zambakut dhe pemishtet e dardhave, u kthyen në atraksione turistike.
Në fillim të vitit 2022, Qingxi mori autorizimin nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe nga shtëpitë botuese të lidhura me të dhe gradualisht ndërtoi një sërë librarish dhe mblodhi një sërë botimesh të shkrimtarëve bashkëkohorë kinezë.
Bu Xuebin është pronar i librarisë “Libo”. 50-vjeçari ka punuar më parë si fermer dhe më pas si minator, kur nxjerrja e mineraleve ishte një industri kryesore në zonë. Rreth vitit 2004, minierat u mbyllën. Bu dhe shumë fshatarë të tjerë duhej të kërkonin punë diku tjetër. Ai udhëtoi në qytete të ndryshme në kërkim të punëve në minierë. Dy vjet më parë, kur vendlindja e tij nisi rrugëtimin për t'u bërë një fshat i letërsisë, ai mori vendimin të kthehej dhe të niste biznesin e tij në sektorin e kulturës dhe turizmit.
Me mbështetjen e qeverisë lokale, ai e ktheu rezidencën e vjetër të familjes së tij në një librari me emrin “Zhou”. “Iniciativa e fuqizimit të vitalizimit rural përmes kulturës më ka nxjerrë nga thellësia 1600 metra e një miniere në dritën e diellit”,- thotë Bu.
Ndërkohë, me rijetësimin e mjedisit, peizazhi është bërë edhe më i bukur. Të ardhurat mesatare vjetore për frymë në Qingxi kanë arritur në 50.000 juanë (6900 dollarë). Zona ka parë një rritje të vitalitetit, shoqëruar nga një numër në rritje i të rinjve që kthehen në shtëpi.
Kohët e fundit, një dokumentar me gjashtë episode, “Fshati Qingxi - Ndryshime të mëdha në zonat malore në epokën e re, duke eksploruar se si letërsia e ka transformuar fshatin”, u publikua në platformën e ndarjes së videove “Mango TV” dhe në “Hunan Satellite TV”.
Episodet trajtojnë tema të tilla si fuqizimi letrar, përmirësimi i mjedisit, qeverisja në bazë dhe rigjallërimi industrial.
Zhong Shan, producenti ekzekutiv, kujton një vizitë në fshatin Qingxi.
“Atë ditë, shiu bëri që petalet e luleve të shpërndaheshin dhe nuk kishte shumë njerëz përreth fshatit. Pasdite u ula në rrugën jashtë ish-rezidencës së Zhou Libo, duke pirë çaj, i humbur në mendime. Para se ta kuptoja, kisha pirë tre filxhanë me çaj. Ishte si të rizbuloja qetësinë e humbur prej kohësh dhe një atmosferë poetike”,- thotë Zhong.
Liu Xinshao, zëvendësdrejtor i Shkollës së Shkencave Humane në Universitetin Qendror Jugor, thotë se dokumentari ofron një vështrim se si fshati ka praktikuar konceptet e zhvillimit të inovacionit, harmonizimit, gjelbërimit, hapjes dhe ndarjes.
“Zonat rurale janë tokë pjellore që ushqejnë zhvillimin e lulëzuar të kulturës. Duke rigjallëruar kulturën në zonat rurale, ne mund të shfrytëzojmë avantazhet e saj për të hartuar një rrugë zhvillimi”,- tha Liu.