Etmond Guri është një emër i lakuar në media për angazhimin e tij pozitiv për të përcjellë shqetësimet e diasporës shqiptare në Greqi si edhe për të reflektuar vlerat e tyre përmes aktiviteve social-kulturore. Sfidat janë pjesë e rrugëtimit të tij, por ai ka qëndruar i vendosur në përpjekjet për të ndihmuar bashkëatdhetarët e tij dhe për të përfaqësuar vlerat e shqiptarëve në diasporë. Për Etmondin, familja është gjithmonë në qendër të jetës së tij dhe ai ka përkushtim për të ruajtur identitetin dhe vlerat e saj.
Nëpërmjet angazhimeve, ai synon të promovojë bashkëpunimin dhe integrimin e shqiptarëve në shoqërinë greke. Në mesazhin e tij për të rinjtë, Etmond inkurajon punën e palodhshme dhe përpjekjet për të arritur qëllimet dhe ëndrrat e tyre. Duke shpalosur një model të përkushtimit dhe vendosmërisë, ai frymëzon të tjerët të ndjekin pasionin e tyre dhe të kontribuojnë në ngritjen e komunitetit.
CMG: Ju jeni i njohur në media për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë në Greqi, si ka qënë përvoja juaj disa vjeçare mes këtyre çështjeve?
Etmond Guri: Kanë qënë vitë sfiduese për mua dhe familjen time. Që në momentin kur vendosa të zhvendosem në Greqi ishte sfiduese për mua. Në fillim të viteve 2001 u ligjërova me qëndrimin tim në këtë shtet dhe jam ndjerë kështu edhe unë më i mbrojtur. Në dekadën e dytë unë nisa angazhimet e përditshme civile dhe aktiviste për çdo të drejtë apo detyrim të bashkëkombasve të mi. Në vitin 2011 u zgjodha sekretar i përgjithshëm i organizatave shqiptare në Greqi, që është një organ i lartë i cili mund të ligjërohej dhe ka një profil shumë të lartë. Kam vijuar të jem drejtues i organizatës ‘Jeta’, e cila punon çdo ditë mbi të drejtat e emigrantëve dhe ndihem i lumtur për këtë gjë sepse kam mundësi për të nxjerrë në pah aftësitë e mia dhe dëshirën e brëndshme për të ndihmuar. Unë kam kryer një sërë specializimiesh në fushën e zhvillimit tim personal apo biznesit dhe këto më kanë rritur nga njëri vit në tjetrin. Çështjet e drejtësisë dhe lirisë së fjalës kanë qenë dhe do vijojnë të jenë në fokusin tim. Aktualisht kam një biznes personal, i cili ndahet në shit-blerje pronash dhe konsulencë ligjore dhe ofrojmë një sërë shërbimesh. Unë gjithmonë kam qënë në kontakt me komunitetin shqiptar përmes të gjitha formave, duke dalë edhe publikisht me një kauzë të përbashkët që është unifikimi i shqiptarëve.
CMG: Si ka qënë fëmijëria juaj?
Etmond Guri: Kam përjetuar një fëmijëri të bukur dhe mbaj kujtime shumë të bukura nga Shqipëria. Jam rritur në fshat dhe mendoj se ajo ka qënë dhe do të mbetet periudha më e bukur e jetës sime.
CMG: A keni pasur sfida në rrugëtimin tuaj si emigrant apo edhe si profesionist?
Etmond Guri: Patjetër që po! Sfida të tmerrshme, të lodhshme dhe sakrifikuese por asnjëherë nuk jam doreëzuar pavarësisht gjithçkaje.
Etmond Guri Foto Familjare ( foto facebook)
Etmond Guri ne proces pune ( foto personale)
CMG: Çfarë ju ka shtyrë të ndiqni të drejtat e emigrantëve?
Etmond Guri: Së pari, unë e kam këtë nga babai im sepse ai ka gëzuar respektin e të gjithëve dhe mendoj se e kam të trashëguar këtë integritet dhe respekt. Kam marrë prej tij konceptin për jetën. Nëse unë ndihmoj bashkëatdhetarët e mi, kam ndihmuar familjen time dhe nëse kam ndihmuar familjen, kam ndihmuar shoqërinë. Shqiptarët janë njerëzit më të bukur dhe më të aftë në çdo vend ku ata shkelin dhe kam dëshriuar të rrëzoj çdo mit rreth nesh. Të ndihmosh është vlerë e paçmuar dhe uroj që ta vijoj edhe më tej.
CMG: A keni qëllim në përfaqësimin e shqiptarëve në diasporë?
Etmond Guri: Po, është shpalosja e vlerave të shqiptarëve dhe tregimi i vlerave që ata kanë kudo. Ne jemi një popull i shkolluar dhe integruar dhe këto vlera unë kam dëshirë t’i shpalos në çdo moment. Ne si komunitet duam të tregojmë vetveten dhe origjinën e lashtë e të çmueshme që kemi. Ne kemi besën, kulinarinë dhe mikpritjen si vlerat më të mëdha të një kombi.
CMG: Çfarë është me e rëndësishme në jetën tuaj?
Etmond Guri: Familja! Unë mendoj se jeta ime pa ata nuk do të kishte kuptim dhe nuk do të ishte kaq e çmueshme. Jam përpjekur që çdo ditë të jetës sime ta kem të dedikuar kundrejt tyre dhe përpiqem që të ruaj identitin e rrënjëve të familjes sime.
CMG: A është dita juaj e lodshme?
Etmond Guri: Po patjetër që po, pasi më duhet të bëj shumë telefonata dhe të dëgjoj e përpiqem të zgjidh problematika të ndryshme të cilat lidhen me komunitetin shqiptar.
CMG: Cilat janë objektivat tuaja afatgjata?
Etmond Guri: Familja, puna dhe diaspora shqiptare në Greqi.
CMG:A keni një mesazh për të gjithë të rinjtë që e ndjekin këtë bisedë?
Etmond Guri: Dua t’i vetëdijësoj se jeta është në thelb e vështirë dhe për të marrë atë që dëshiron duhet shumë punë.
Intervistoi: Megi Latifi